Çka është dialogu me Serbinë? - NACIONALE

Çka është dialogu me Serbinë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dialogu ishte kryefjala e zhvillimeve politike në Kosovë përgjatë dhjetë viteve të fundit. Prej tij thuhet se varej fati ynë si shtet, e përveç tij edhe fati ynë si individë. Polemikat e sulmet që në qendër e kishin dialogun, u bënë aq të shpeshta, sa me kalimin e kohës çuan drejt vetëkuptueshmërive që mjegullonin domethëniet. Prandaj, çka është dialogu me Serbinë?

Më 8 mars të këtij viti u mbushën dhjetë vjet prej që Kosova e nisi dialogun me Serbinë.

Edita Tahiri për Ditën Ndërkombëtare të Grave në vitin 2011 do të fluturonte për në Bruksel që të niste një kapitull politik për vendin.

Si kryesuese e një ekipi të përbërë nga pesë burra (Lirim Grajçevci, Dren Zeka, Murat Meha, Naim Huruglica dhe Flamur Keqa) ajo në ora 19:00 të asaj dite do t’i dilte përballë kryesuesit të ekipit serb që mbante emrin Borko Stefanoviq. Në mes të Editës dhe Borkos ishte Robert Cooper, ndërmjetësues nga Bashkimi Evropian (BE).

Polarizimi politik i atyre ditëve ishte jashtëzakonisht i lartë. Vetëvendosje vazhdonte të shkruante nëpër muret e ndërtesave të Kosovës “Jo Negociata, Vetëvendosje” ndërkohë që konsideronte se me Serbinë “nuk mund të kishte dialog teknik, por politik”.

Kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi, politikani që kishte lexuar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 duke i dhënë idenë shumicës dërmuese të popullit se Serbia... s’do të përbënte më problem.

Dhe fillimisht ai e kishte mohuar se dialogu me Serbinë ishte dialog politik apo se do të bëhej dialog politik. Një gjë e tillë, siç e dimë, nuk rezultoi të ishte e vërtetë.

Një lajm i mirë dhe një lajm i keq

“Zgjidhja e problemeve me dialog është rrugë evropiane, ndërsa qëllimi i bisedimeve është të promovohet bashkëpunimi dhe që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi t’i afrohen Bashkimit Evropian”, thoshte Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (pozicion që mbahet nga Josep Borrell sot).

Tingëllonte mirë, por të gjithë e dinin se nuk ishte aq mirë sa tingëllonte.

Një lajm i mirë dhe një lajm i keq do t’i vinte Kosovës para nisjes së dialogut.

Vetëm pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Ban Ki Moon - ku mësynte e mësyn anëtarësimin vendi ynë - e propozoi një plan 6-pikësh i cili e shkelte shtetësinë e vendit. Kjo goditje e rëndë ndaj Kosovës që u bë në fund të nëntorit 2008 do të trondiste Kosovën që ende jetonte nën gëzimin e shpalljes së Pavarësisë.

Ajo që fatkeqësisht po bëhej e qartë çdo ditë në lidhje me këtë pavarësi ishte se “ajo u shpall në formë të njëanshme”. Ana tjetër ishte Serbia.

Pas këtij lajmi të keq, një lajm i mirë kishte ardhur në korrikun e vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Aty kërkohej opinion në lidhje me përputhjen e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare. Dhe përgjigja, rizgjoi edhe një herë euforinë e madhe të popullit.

Kryetari i ekipit që përbëhej nga 15 gjykatës ndërkombëtarë, Hisashi Owada, ishte shprehur si vijon: "GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare."

Por, as ky opinion nuk mjaftonte që të bindej Serbia. E në anën tjetër, nuk mjaftoi as për BE-në që të anashkalonte qëndrimin e Serbisë për Pavarësinë e Kosovës. E në një anë edhe më tjetër, Kosova ishte nisur me ngulmim drejt një rruge e cila quhej “rruga drejt BE-së” dhe kërkesat e bllokut evropian ishin në praktikë urdhra për lidershipin kosovar.

Çka na duhej dialogu?

“Jo Negociata, Vetëvendosje!” ­– ishte një parullë në lidhje me negociatat e Vjenës që kishte paraprirë Pakon e Ahtisaarit dhe Shpalljen e Pavarësisë.

Por, e njëjta do të rikuptimësohej nga Albin Kurti me Vetëvendosjen sapo ata të hynin në Kuvendin e Kosovës në vitin 2010 në pëshpëritjet për dialogun e ri.

Kosova kishte marrë njohje nga një numër shumë i madh shtetesh por procesi i forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dukej i lidhur nyje me Bashkimin Evropian. Pesë shtete të BE-së (Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia) nuk e njohën Pavarësinë e Kosovës dhe kjo bëri që BE-ja të ishte neutrale në platformën e saj ndërmjetësuese të dialogut.

Izolimi diplomatik dhe politik i këtij shteti të ri e të brishtë ishte fati që duhej shmangur sipas lidershipit kosovar.

Dhe kjo çoi në shumë e shumë negociata dhe në 33 marrëveshje me Serbinë.

Për ta kuptuar më mirë se sa i mundimshëm ishte dialogu mjafton të lexojmë këta rreshta të një komunikate të Vetëvendosjes të quajtur “Dialogu” e që ishte publikuar më 17 prill 2013.

“Dialogut nuk po i shihet fundi. Edhe pse u dhanë afate për përmbylljen e dialogut, Serbia arriti të shtyjë afatin dhe të sigurojë edhe një raund të ri... Kryeministri Thaçi duke dashur t’ua dëshmojë të gjithëve se është i pazëvendësueshëm në këtë proces, tregohet i zellshëm edhe kur Kosova nuk ka fare interes për dialog. Për sa kohë dialogu ia mundësin Thaçit qëndrimin në pushtet, ai është i interesuar që të zgjasë deri në pafundësi.” - shkruhej aty.

Në fakt, Thaçi prej 10 nëntorit 2020 ndodhet i paraburgosur në Hagë (tash e tetëmbëdhjetë muaj) por dialogut me Serbinë përsëri “nuk po i shihet fundi”.

Përtej anës teknike, Kosova nga dialogu me Serbinë ka pasur vazhdimisht kërkesa të qarta: vazhdim të rrugës evropiane, njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Por, këto kërkesa nuk shprehnin thelbin e asaj që kërkohej.

Njohja

Ishte “njohja” nga Serbia ajo që konsiderohej si rezultati ideal i kërkuar nga dialogu. Nëse do të ndodhte kjo njohje, atëherë s’do të kishte asnjë arsye për vazhdim të dialogut ndërkohë që Kosova mund të fitonte mundësinë që të anëtarësohej në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Kjo njohje ishte menduar për kohë të gjatë si rezultati që do të ndodhte “në fund” të procesit. Për një kohë të gjatë ishte përmendur togfjalëshi “marrëveshje finale” ndërkohë që mes kompromiseve të përmendura ishin “shkëmbimi i territoreve” dhe “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.

Mos-zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin që ishte nënshkruar në vitin 2013 aktualisht ka ndërprerë procesin dialogues, megjithëse përpjekjet për rinisjen dhe ridinamizimin e tij nuk mungojnë.

Kryeministri i ri i Kosovës i zgjedhur më 22 mars 2021, Albin Kurti, ka deklaruar se “njohja (nga Serbia) ishte vendosur më herët në fund, e tash është vendosur në qendër”.

“Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke, pra jo në një njohje që vjen si fund i një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund”­ – ishte shprehur ai pas takimit në Berlin me kancelarin Olaf Scholz, pak orë para se ta takonte presidentin e Serbisë.

Nuk dihet nëse kjo është thjesht lojë fjalësh nga Kurti, apo ndonjë taktikë e re për të marrë njohjen në fjalë. Sidoqoftë, në darkën informale në Berlin – e që shkaktoi bujë të madhe në vend për shkak të qëndrimeve të mëhershme nga Kurti – ai ishte vendosur në qendër të tavolinës.

Se çka do të ndodh më tej, është e paqartë. Por ajo që dihet është se “status quo-ja” ka nisur të lëkundet pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike. E për të marrë vesh më shumë në lidhje me Status Quo-në, ju ftojmë të lexoni KËTË artikull nga gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme