DASh: Dialogu Kosovë – Serbi prioritet për ShBA-në, shfrytëzojeni - NACIONALE

DASh: Dialogu Kosovë – Serbi prioritet për ShBA-në, shfrytëzojeni

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një konferencë për media u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që ta shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive.

Tutje, siç transmeton VOA, Price ka thënë se dialogu i ditës së sotme në Bruksel ka gëzuar vëmendjen e shumë zyrtarëve të lartë, teksa shtoi faktin se angazhimi i drejtpëdrejt i Sekretarit Blinken dhe prania e Gabriel Escobar në kryeqytetin evropian veçse e konfirmojnë një gjë të tillë.

“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, tha ndër të tjerash Price.

Në këtë linjë ka qenë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Ky i fundit ka paralajmëruar kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq që do të mbajnë përgjegjësi për çfarëdo përshkallëzimi të situatës.

“Pra, ky s’është momenti për rritje të tensioneve. U ka thënë liderëve, ky ishte takim për menaxhim krizash. Në anën tjetër, jemi fokusuar në rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës. Të dy liderët patën rastin të bisedojnë. Sigurisht që ka dallime sa i përket këndvështrimeve sa i përket statusit vendimtar. Është diskutuar edhe për tabelat për hyrje-dalje të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo përshkallëzimi në terren”, tha ndër të tjera Borrell para gazetarëve, kur veç edhe e konfirmoi mos arritjen e marrëveshjes.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Republikës përmes një deklarate kanë thënë se takimi i tretë i nivelit të lartë është dashur të mbahet me 19 korrik, por që u shtye me kërkesë të palës tjetër.

Veç kësaj, ekzekutivi kosovar publikoi edhe rrjedhën e takimit gjegjës.

“E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhej mes tjerash në komunikatë.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vazhduar me paraqitjet e tij humbëse. Përmes një video-adresimi në rrjetin social “Instagram”, i pari i serbëve ka shtuar se mezi po pret që të kthehet në Serbi, pas një takimi të vështirë që kishte në Bruksel.

Kujtojmë se sipas raportimeve më të fundit, Escobar dhe Lajçak po vazhdojnë takimin me Vuçiqin edhe në këto momente.

Në fakt, ka qenë vet Vuçiq që ka thënë se do të qëndrojë edhe më tutje në Belgjikë, për të synuar një arritje të marrëveshjes.

Lajme të ngjashme