Gjenerali Clark i thotë “mjaft” Speciales: Thaçi ishte patriot, ai dhe të tjerët të kthehen në Kosovë
Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së të kthehen sa më shpejt në Kosovë.
Clark në një intervistë të dhënë së fundi, u shpreh se Evropa duhet të respektojë popullin e Kosovës dhe ka shprehur bindjen e tij se Thaçi është “viktimë” e një procesi të gabuar.
Ish-gjenerali amerikan ka deklaruar gjithashtu se kishte kërkuar prova në lidhje me akuzat ndaj Thaçit, por, sipas tij, nuk kishte parë prova të tilla.
Duke iu referuar periudhës së luftës në Kosovë, Clark tha se në atë kohë kishte prova për veprime vrastare nga forcat e ish-Jugosllavisë dhe se autoritetet kishin ndërmarrë hapa ndaj personave të dyshuar për krime lufte.
Ai e krahasoi punën e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi me atë të Gjykatës Speciale, duke thënë se Tribunali, sipas tij, ishte më i drejtë dhe se vendimet e tij bazoheshin në prova reale.
“Evropa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim. Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time. Mendoj se ishte, sepse në atë kohë kishte prova të vërteta për veprimet e gabuara që u bënë. Ne parashtruan informacione në atë kohë. Arrestuan disa kriminelë lufte. Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq“, tha ai në Klan.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të dëshmonte në Apel në favor të ish-krerëve të UÇK-së, Clark tha se do ta konsideronte një mundësi të tillë.
“Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi“, tha ai.
Mes tjerash, gjenerali amerikan u shpreh se Thaçi ishte një patriot që u kthye në vendin e tij në një kohë krize.
“Gjatë luftës, ne i kërkuam Millosheviçit që të tërheqë trupat dhe i dhamë një dokument, që e vërtetonte këtë. Ai më tha se shqiptarët janë vrasës, janë përdhunues. Ai ma tha se jemi marrë me shqiptarët më parë dhe se ne e kemi zgjidhjen dhe ne “do i vrasim të gjithë”. Millosheviçi e nënshkroi dokumentin, por në janar çoi sërish forcat në Kosovë dhe rinisi spastrimin etnik. Kurrë nuk krahasohet Millosheviçi me Hashim Thaçin. Thaçi ishte një patriot, që u kthye në vendin e vet në kohë krize.
Millosheviçi ishte kokëfortë, ishte i sigurt se do i jepte fund UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Serbia kishte arrestuar dhe vrarë intelektualë dhe ju thanë njerëzve që na jepni pasurinë dhe gratë e reja, ose ndryshe do ju vrasim. Millosheviçi e dinte se çfarë ndodhte në terren. Kur pamë se situata u bë e rëndë, ne ndërhymë dhe e bombarduam Serbinë”, u shpreh ai.