Gjermania thirrje Kosovës e Serbisë: Palët të dialogojnë e të shmangin përshkallëzimin
Gjermania luan rol të rëndësishëm në dialogun Kosovë - Serbi.
Ishte pikërisht Kancelari Scholz që në bashkëpunim me Presidentin Macron angazhuan këshilltarë të posaçëm që do t'i ndihmonin Lajçakut sa u përket negociatave mes dy vendeve.
Megjithatë, zhvillimet e fundit në Veri, ku serbët konfirmuan tërheqjen nga intitucionet kosovare kanë ndryshuar rrjedhën e gjërave.
Autoritetet evropiane dhe jo vetëm kanë ftuar palët për qetësi e mospërshkallëim situate.
Pëderisa gjatë ditës së djeshme u regjistruan reagimet e BE-së, ambasadorit të ShBA-së në Beograd e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, sonte për këtë çështje kanë folur edhe nga Berlini zyrtar.
Në një përgjigje dhënë Express-it, nga Republika Federale e Gjermanisë kanë thënë se palët duhet të dialogojnë dhe se duhet të shmangin çfarëdo përshkallëzim eventual.
“Ne disa herë deri tani kemi thënë që referuar Ballkanit Perëndimor e posaçërisht raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të largohemi/shmangemi, si të themi që rregullisht të shikojmë gjatë në humnerën e skadimit të afateve. Për një afat të tillë bëhet fjalë në këtë rast. Çështja është se duhet të bëhen kompromise tani. Apeli ynë urgjent i drejtohet të dyja palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe ta zgjidhin këtë konflikt realisht në dialog të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën”, thuhet në përgjigje.
Fluksi
Zhvillimet e fundit në veri te vendit kanë nxitur Presidenten e vendit Vjosa Osmani të ketë takime të shumta në zyrën e saj, për t’i diskutuar ritmet e ngjarjeve të fundit.
Pas takimit me ambasadorin e ShBA-së Jeffrey Hovenier, komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, Osmani ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti, Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takimin e rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla-Schëarz lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit. Gjatë takimit u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit përmes zbatimit të rendit dhe ligjit në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ç'ngjau dje?
Shumë reagime. Më i ashpri nga ta ishte Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ky i fundit tha se tërheqja nga institucionet nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe përshkallëzon edhe më shumë situatën.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, u tha në komunikatën e BE-së.
Veç kësaj, përmes së njëjtës komunikatë, spanjolli kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre, pa u vonuar më shumë.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhej ndër të tjerash.
Chris Hill
Gjatë së dielës ndërkaq, foli edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill.
Në një paraqitje për N1, Hill ftoi serbët e Kosovës që të rikthehen në institucione, ndërsa autoriteteve kosovare u ka bërë thirrje që të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Veç kësaj ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet. Andaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke ftuar përfaqësuesit serbë që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’u kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale".
Tutje ai vazhdoi duke shtuar se kjo nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit.
“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për ta zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin e vendit”.




