Krerë shtetërorë, ambasadorë e komandantë – Osmani në fluks takimesh pas zhvillimeve në veri
Zhvillimet e fundit në veri te vendit kanë nxitur Presidenten e vendit Vjosa Osmani të ketë takime të shumta në zyrën e saj për t’i diskutuar ritmet e ngjarjeve të fundit në veri.
Pas takimit me ambasadorin e ShBA-së Jeffrey Hovenier, komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, Osmani ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti, Kryetarin e Kuvendit Galuk Konjufca dhe ministren e Jashtem Donika Gërvalla.
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takimin e rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla-Schëarz lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit. Gjatë takimit u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit përmes zbatimit të rendit dhe ligjit në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Kurse për t’u informuar më shumë për ngjarjet në veri, Osmani ka pritur poashtu sot në takim edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Siç bëhet e ditur nga njoftimi i zyrës së Osmanit, ky takim ka qenë në kuadër të informimit për zhvillimet në veri të vendit.
Ministri Sveçla e njoftoi të parën e vendit për atë se si rrodhën gjërat gjatë ditës së sotme, teksa kujtojmë faktin se detaje të hollësishme dha edhe gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti.
"Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës", thuhet ndër të tjerash në njoftim.
E për temë të njejtë, mysafir në presidencë ishte edhe ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, ku veriu i vendit ishte theksi i disuktimeve të takimeve.
"Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropian", thuhet ndër të tjerash në komunikatë.
Takim tjetër i Osmanit ishte ai me komandatin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia.
Osmani dhe Michele Ristuccia, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
E para e shtetit të Kosovës theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar dhe forcat e KFOR-it në Kosovë.
“Zbatimi i rendit dhe ligjit është objektiv i institucioneve të Kosovës dhe se nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar, pa dallim përkatësie etnike”. tha Osmani, përcjell Zyra e Presidentës.
Kujtojmë se ngjarjet e në veri të vendit kanë shtyrë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të kordinohet me opozitën duke i ftuar në takim për ditën e nesërme (e martë).
Ftesën për Nacionalen e ka konfirmuar Lulzim Blaka, Drejtor për Informim në AAK. Ai ka thënë se ka ardhur ftesa në adresë të kryetarit Ramush Haradinajt dhe se i njejti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Blakaj.
Ftesën e Kurtit e ka pranuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale, Faton Abdullahu, zëdhënësi i kësaj partie.
"Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim", ka deklaruar ai.