Vetëvendosje konsumon gjysmën e mandatit – premtimet kryesore as në gjysmë të realizimeve - NACIONALE

Vetëvendosje konsumon gjysmën e mandatit – premtimet kryesore as në gjysmë të realizimeve

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Sot (14 shkurt) bëhen dy vite prej kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet parlamentare, duke u bërë subjekti i parë në Kosovë që korri një sukses plebishitar me një rezultat elektoral prej 50.2 për qind. Vetëvendosje erdhi në pushtet me premtimin që do ta sjell një ndryshim rrënjësor në sistem. Megjithatë, edhe pas dy vitesh nga fitorja që përshkruhet si historike, premtimet kryesore të Kurtit duken larg horizontit të përmbushjes.

Edhe pse premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje përqendroheshin në ndryshimin e sistemit politik dhe luftimin e korrupsionit, Vetëvendosje premtoi edhe se do i realizonte edhe disa projekte madhore siç janë ndërtimi i 4,000 mijë njësive banesore, ndërtimi 160 çerdheve e pesëfishimi i inspektorëve të punës krahas premtimit se punëtorët e sektorit privat do të mirëtrajtoheshin nën qeverisjen e Kurtit.

Megjithatë, disa prej premtimeve kryesore kapitale të Vetëvendosjes ende nuk janë nuk janë ende as në gjysmë të rrugës për tu realizuar.

4,000 banesat për çiftet e reja ende veç në studim fizibiliteti

Banesat për çiftet e sapomartuara ishte premtim famoz i kryeministrit Kurti në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Katër mijë banesat e Kurtit, edhe pas një viti e gjysmë nuk shihen askund në horizont, derisa çmimet për metër katror janë më të shtrenjta se kurrë.

Banesat, sipas Kurtit, do të ndikonin në stopimin e ikjes së rinisë kosovare, të cilët edhe tash po e lëshojnë vendin me trend të njëjtë.

Madje, gjatë vitit të kaluar, vit që shënon ardhjen e Kurtit në pushtet, çdo ditë nga 117 të rinj lëshuan Kosovën.

Për këtë kategori, Kurti premtonte se do të ndërtojë 4000 njësi banesore ku do të përfitojnë po kaq bashkëshortë me një kosto lehtë të përballueshme për blerje.

Për jetësimin e këtij projekti, në 16 shkurtin e vitit të kaluar, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe drejtori rajonal i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) që është anëtare e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për studimin e fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm.

Edhe pse në programin e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2021 – 2025, ky projekt shtjellohet jo më shumë se në tri paragrafe, duke u theksuar se fillimisht këto banesa janë të destinuara për punonjësit e sektorit publik ndërsa kostoja vjetore e projektit thuhet se shkon në 22 milionë euro për vit, fillimi i punimeve konkrete nuk ka filluar ende.

Ministria e ka njoftuar gazetën se ka filluar faza e hartimit të studimit të fizibilitetit dhe me mbështetjen e IFC-së janë duke u bërë hulumtimet e këtij projekti.

Kurse destinacionet e ndërtimit thonë se janë të shpërndara në pesë komunat më të mëdha të vendit, siç është Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani dhe Mitrovica.

Megjithatë, inflacioni i lartë me të cilën po ballafaqohet Kosovë, ka ndikuar automatikisht që edhe çmimi i metrit katëror të banesave të pësoj rritje të dukshme.

Por, nëse e marrim për bazë formën se si qeveria e ka prezantuar mënyrën e blerjes së këtyre banesave, e cila e ndan në dy mundësi, pra prej një kostoje prej 120 euro për 120 muaj dhe nga 150 euro për po kaq muaj, del se çmimi i një banese të tillë prej 80 metrash katror të variojë nga 14 mijë e 400 euro deri në 22 mijë e 500 euro. Pra, larg nga shuma reale sa mund të kushtojë një banesë e tillë aktualisht.

"160 çerdhe për katër vjet" - deri tani kanë filluar ndërtimin veç tri

Ndërtimi i 160 çerdheve të reja ishte një premtim tjetër madhor i Vetëvendosjes i përfshirë në programin e tyre në fushatën ne fundit elektorale.

Pra, 40 çerdhe çdo vit të qeverisjes 4-vjeçare do të ndërtoheshin në Kosovë gjatë qeverisjes së Albin Kurti.

Mirëpo, kur tashmë janë bërë dy vite prej që Vetëvendosje ka fituar në zgjedhje, është vendosur gurthemeli i vetëm 3 çerdheve, pra Qeveria Kurti, aktualisht është 157 çerdhe larg premtimit, kur i kanë mbetur edhe dy vite qeverisje.

Megjithatë, në prezantimin e Buxhetit për vitin 2023, Kurti njoftoi se janë buxhetuar edhe 11 çerdhe të reja, që priten të ndërtohen këtë vit.

Pra tri gurthemele të vendosura dhe 11 çerdhe të buxhetuara. Megjithatë nuk dihet se kur do të buxhetohen ose ndërtohen edhe 146 të tjera nga 160 çerdhe të premtuara.

Çerdheve të cilave iu ka vendosur deri më tani themeli, janë në qytetin e Prishtinës (1), Gjilanit (1) dhe Gjakovës (1).

Shtimi i inspektorëve të punës me "hapa të breshkës"

Pesëfishimi i inspektorëve ishte një nga premtimet tjera të zëshme të kryeministrit Albin Kurti i cili besonte se do ta përmirësonte dukshëm ambientin e punës dhe do të ndërpriten në maksimum rastet e vdekjeve në punë. Për këtë, Vetëvendosje premtonte pesëfishim të inspektorëve.

Por, deri më tani numri i këtyre inspektorëve të punës ka lëvizur fare pak, e rrjedhimisht as gjendja e punëtorëve, sidomos atyre të sektorit ndërtimtarisë, të cilët vazhdojnë ta gjejnë vdekjen në vendin e punës.

Me të dhënat që ka ofruar Inspektoriati i Punës për Nacionale, gjatë vitit 2022 janë rekrutuar vetëm tëtë (8) inspektorë shtesë.

Por, nga ky institucion kanë thënë se në vitin 2023 priten të rekrutohen edhe 100 inspektorë shtesë.

Kujtojmë që në vitin 2022, në Kosovë humbën jetën 24 punëtorë në vendin e punës, apo mesatarisht çdo dy javë nga një vdekje në punë, duke bërë që në vitet e pasluftës, vetëm viti 2017 të ishte statistikisht më i rëndë, ku 27 punëtorë vdiqën në vendpunishte.

Ndonëse Kosova tash e gati dy vite po qeveriset nga një forcë e majtë politike që karakterizohet me ligjerim mbi barazinë shoqërore dhe për të drejtat e punëtorëve, gjendja në teren ende ka mbetur e papërmirësueshme, ashtu siç ka mbetur e papërmisuar në shumë sektorë, dhe premtimet kryesore nga fushata e cila prodhoj një fitore plebishitare.

Lajme të ngjashme