LDK subjekti më aktiv në aderime, a po bëhet partia e Abdixhikut destinacioni më i dëshirueshëm politik? - NACIONALE

LDK subjekti më aktiv në aderime, a po bëhet partia e Abdixhikut destinacioni më i dëshirueshëm politik?

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Ndonëse është subjekti i tretë sipas fuqisë elektorale, shumë zëra në opinionin kosovar besojnë se Lidhja Demokratike e Kosovës mund të jetë një alternativë e besueshme politike në të ardhmen. Edhe pse për LDK-në ka shumë kritika për mënyrën e opizitëbërjes, duke etiketuar shpesh si defansive kundrejt pushtetit plebishitar të Vetëvendosjes, partia që drejtohet nga Lumir Abdixhiku është parë shumë ofensive në aktivitetin e saj rreth zgjerimit të anëtarësisë së partisë.

Muajve dhe javëve të fundit, këtij subjekti i janë bashkuar disa figura të ndryshme nga skena kosovare e politikës dhe jo vetëm.

Prurja më e re e Abdixhikut ndodhi sot, LDK-së iu bashkua ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ardhjes së Rukiqit iu lumturua Abdixhiku, i cili në një njoftim në llogarinë e tij në Facebook ku njoftoi për aderimin e Rukiqit, tha se është i lumtur që LDK-së po i shtohen profesionistë.

LDK është e lumtur që - si adresë e vetme e njerëzve profesionistë - po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”, - ka shkruar Abdixhiku.

Kurse ekonomisti Rukiqi në një intervistë për Nacionalen tregoi arsyet dhe synimet pse i është bashkuar subjektit më të vjetër politik në vend.

Rukiqi beson se ideologjia dhe lidershipi i LDK-së e kanë bindur që të bëhet pjesë e kësaj familje politike, duke shtuar se nuk është bërë pjesë e kësaj partie për poste politike.

Ai i tha Nacionales se bashkë me profesionistët e kësaj partie do të marrin përgjegjësinë për të rikthyer LDK-në në qeverisje, teksa kishte shumë kritika për pushtetin aktual.

"Peshkimi" i LDK-së në ujërat e pushtetit

Në shtator të vitin të kaluar, Lidhja Demokratike arriti që ta zvogëloj numrin e deputetëve të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, pasi që ish-deputetja e këtij grupi parlamentar, Doarsa Kica-Xhelili i ndau përfundimisht rrugët me VV-në dhe me subjektin e saj, Partia Guxo.

Kica-Xhelili ishte bërë deputetja më e përfolur në atë kohë menjëherë pas vendimit për tu bashkuar me partinë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Madje, nga shumë figura dhe mbështetës së pushtetit, ajo u etiketua edhe si “tradhtare” me pretekstin se ka “tregtuar” besimin që i është dhënë nga qytetarët.

Mirëpo, si një ndër arsyet e para që kishte dhënë deputetja, është mungesa e një identiteti të partisë ku përkiste. Ajo aludonte se pas shkuarjes në Presidencë të Vjosa Osmanit, GUXO humbi orientimin, duke specifikuar se vlera e vetme që mbeti në GUXO është “se ishim rugovistët e vërtetë”. Por sipas saj kji nuk ishte aspak e mjaftueshme.

Ajo thoshte se qëllimi nuk ishte diferencimi nga Vetëvendosje, por gjetja e një pozicioni të qartë të Guxo.

“Kam dashur që ta dimë ku qëndrojmë ne dhe si qëndrojmë ne, jo vetëm të diferencohemi Vetëvendosje. Kur pyesja çfarë na bënë neve të ndryshëm… duhej ta kuptonim se a jemi vlerë e shtuar në politikën kosovare”, - deklaronte Kica-Xhelili.

Rikthimi i Shqipe Pantinës në politikë, ish-deputetja e VV-së gjeti strehë në LDK

Në fillim të këtij viti, LDK-ja u “përforcua” edhe me një transferim të ri. Më datë 9 të muajit të kaluar, ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, më pas pjesë e PSD-së e së fundmi analiste në debatet politike, vendosi që karrierën e saj politike ta vazhdoj nga linja e djathtë ideologjike.

Pantina iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës duke u prezantuar nga kryetari i saj Lumir Abdixhiku si pasurim i radhës politike të LDK-së dhe vazhdimësi e ciklit të bashkëngjitjeve të këtij subjekti.

Kurse ish-deputetja, deklaronte se ka zgjedhur LDK-në për rrugëtimin e saj politik sepse sipas saj, kjo parti ka të zhvilluar më së shumti demokracinë e brendshme në vend, madje sipas saj dhe ndoshta edhe në rajon.

Pantina deklaronte se e pëlqen mënyrën se si LDK e bënë politiken duke e quajtur parti që është e zhveshur nga popullzimi dhe se nuk ka qenë asnjëherë e tillë, teksa besonte në potencialin e rikthimit triumfalisht të kësaj partie.

LDK-ja tani është duke u organizuar më mirë që të koordinojë punën brenda strukturave dhe ekipeve profesionale në mënyrë që të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet drejt përgatitjeve për zgjedhjet nacionale e të cilat unë besoj se do t’i fitoj LDK-ja”, - thoshte Shqipe Pantina.

Si jopopulist dhe e të matur, Lumir Abdixhikun e ka vlerësuar së fundmi edhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke zgjuar disa zëra aludues se edhe ai mund të bëhet pjesë e kësaj partie.

Megjithatë, përtej aludimeve të tilla, Ymeri kishte lavdëruar Abdixhikun për pozicionin sipas tij të qartë karshi dialogut dhe politikave në përgjithësi, duke shtuar se një gjë e tillë mungon nga pushteti dhe kryeministri Albin Kurti.

“LDK e Abdixhiku në anën tjetër po i rezistojnë me ngulm tundimit për të rrëshqitur në diskursin e gjithëpranishëm popullist, të premtimeve të bukura e zgjidhjeve të lehta e të shpejta. Në kohën kur një numër i madh i njerëzve po e kërkojnë gënjeshtrën e re, LDK e Abdixhiku po e thonë atë që ata e shohin si të vërtetë, të bëshme e të duhur për Kosovën. Kjo është për t’u vlerësuar”,- kishte shkruar Ymeri, duke lënë shumë hapësirë interpretuese se ai mund të bëhet pjesë e LDK-së, ndonëse vazhdimisht deklaron se i përket krahu politik të majtë apo socialdemokrat.

Përveç këtyre zhvillimeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe sondazhet e ndryshme si ato të UBO Consulting e projektojnë si subjekt në rritje duke u pozicionuar aktualisht si partia e dytë më e preferuar për elektoratin në Kosovë.

Lajme të ngjashme