“Qëndrimet ndryshe nga qeveria”, “ideja s’është të tregohet mendimi ndryshe”: Pse u shkarkua Abazi sipas Kusarit?
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur për kolegun e saj nga ky subjekt politik, Haki Abazi, i cili para disa ditësh përmendi pakënaqësitë me partinë të cilës i takon, duke e veçuar edhe emrin e saj. VV-ja thotë se zanafilla e pakënaqësive daton që më herët, por pse u shkarkua ai?
Kusari-Lila shprehet se pakënaqësitë e deputet Abazit kanë qenë që prej kur u bë kryetar i Komisonit, por më pas, foli edhe për “qëndrimet ndryshe nga politikat e Qeverisë dhe grupit parlamentar”.
Në një pikë të intervistës së saj për Pressing, ajo ia përmendi z.Abazit edhe votat që i kanë marrë në zgjedhje.
“Unë kam dalë e teta, ai i 58-ti”
Znj.Kusari-Lila thotë se nuk i kundërvihet Haki Abazit, megjithatë, sipas saj, vetë ajo ishte një ndër personat më të votuar në listën e LVV-së.
“Ne kemi qenë në listë, për të njëjtat fjalë ose kauza që ai po flet, unë kam dalë një ndër personat më të votuar. Unë e kam pas numrin 18, ai numrin 19, unë kam dalë e teta në nivel të vendit, ai ka dalë i 58-ti.” – tha ajo.
Sa i përket incizimeve të përmendura nga deputet Abazi, ajo thoë se bisedat e partisë janë të hapura, e madje se janë bërë publike në portale pak minuta pasi diskutoheshin.
“Le ta zbulon atë bisedë, të gjitha bisedat janë të hapura. Ne i kemi pasë diskutimet e grupit parlamentar ku për shembull u diskutu diçka, për pak minuta ka dalë në portale. Takimet tona janë 20-30 deputetë, deri ka pasë raste në 50.” – tha ajo.
Por pse u shkarkua ish-zv.kryeministri?
Dikur mbante një prej pozitave kryesore në Qeverinë Kurti I, si zëvendës i kryeministrit Albin Kurti. Tash, Abazin partia e ka shkarkuar edhe nga pozita e vetme që mbante, si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Fillimisht, Kusari-Lila këtë shkarkim e arsyetoi me “rrugën dhe qëndrimet e tij që dallojnë me politikat e grupit dhe Qeverisë”.
“Po tashmë rruga dhe qëndrimet e tij në raport me politikat e grupit dhe qeverisë kanë dallu, dhe po dallojnë dramatikisht. Së pari, në komisionet parlamentare, në komisionet funksionale, të gjithë delegohen prej grufpit parlamentar, dmth zgjedhen, dhe më pas bëjnë propozime se ku njerëzit janë adekuatë për të kryer detyrat.” – ka thënë ajo.
Tutje, Kusari-Lila ka lënë të kuptohet se nuk ka pasur koordinim të Abazit gjatë kohës sa mbante këtë pozitë, duke i përmendur edhe deklarimet publike të këtij të fundit.
“Ne udhëheqim 7 komisone, edhe për Punë të Jashtme. Ky ka konsideru se është më i rëndësishëm se sa të mbajë koordinimin dhe komunikimin me grupin. Agjenda e komisionit ka qenë shpeshherë e mbajtur përbrenda, dhe jo me diskutime. Pastaj kanë filluar edhe adresimet komplet ndryshe prej asaj që ka qenë qëndrimi i Qeverisë, jo për konferencat, edhe nëpër përcjellje të agjendës së Qeverisë.” – tha ajo.
Në fund, shefja e grupit parlamentar ka përmendur edhe “kushtëzime” nga ana e deputetit të LVV-së megjithatë, nuk ka treguar për çfarë konkretisht e ka fjalën.
“Në situatën ku fillojnë abstenimet dhe kushtëzimet që ky i ka bërë vazhdimisht, jo, prezenca apo mosprezenca e tij shihet, kushtëzimet me tërheqje të legjislacionit, ose deklarata që nuk janë në frymë të njëjtë me qeverinë, qofshin për dialogun.” – u shpreh Kusari-Lila.
Sipas saj, “ideja nuk ështe që të nxirret secili mendim ndryshe në opinion publik”.
“Unë si shefe e grupit parlamentar mund të kem mendime ndryshe me Qeverinë, por i adresoj te Qeveria, se ideja nuk është me e nxjerrë secilin mendim ndryshe në opinion publik, për të them që kam mendim.” – ka deklaruar ajo.


