‘S’mora asnjëherë përgjigje’: Haki Abazi ia bën tri pyetje ministres Gërvalla, ndahet i pakënaqur
Në muajin e kaluar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ishte ankuar se nuk e takon shumë kryediplomaten Donika Gërvalla, ndonëse është Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme. Takimi i shumë dëshiruar, ndodhi sot. "Erdhi dita" që Haki Abazi të përballet me Donika Gërvallen në komision.
Këtë të premte, deputetit të "rrebeluar" të partisë në pushtet iu ndërpre "pritja" dhe pati rastin të “ballafaqohet” me ministren, duke ia shtruar disa pyetje për çështjet që i interesonin.
Kryediplomatja Donika Gërvalla gjatë ditës së sotme ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme.
Pyetjet e fundit, Gërvallës ia ka parashtruar deputeti i LVV-së, Haki Abazi, subjektit politik me të cilin kryediplomatja është në koalicion qeverisës, tani si kryetare e Listës Guxo.
Tri pyetjet
Kjo ditë, me shumë gjasë, mund të ketë qenë e shumëpritur për deputetin Abazi, dhe më në fund, pati mundësinë që t’i parashtrojë pyetjet për temat që i interesojnë.
Tri, ishin pyetjet që ai ia drejtoi kryediplomates Gërvalla.
“Më 1 shkurt iu kam dërgu një email, lidhur me hapjen e përfaqësisë diplomatike në Pakistan, a është e përfsirë në buxhet hapja e përfaqësive të reja?”, tha fillimisht z.Abazi.
Sidoqoftë, pyetja e dytë, shprehte edhe një kritikë direkte të deputetit ndaj ministres që e udhëheq një prej institucioneve më të rëndësishme të Qeverisë.
Deputeti Abazi e filloi pyetjen e dytë të tij me fjalët: Kemi ngecje në njohje të reja dhe anëtarësim.
“Kemi ngecje në njohje të reja dhe anëtarësimin, edhe diskutimin, por edhe anëtarësimin direkt në mekanizma ndërkombëtarë, siç është UNESCO, Interpoli e të tjera. A keni paraparë mekanizëm të analizuar, efektiv, të buxhetuar, siç është shembull, përfaqësues special për njohje, apo angazhim direct vetëm për anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë?”, tha ai.
Në fund, ish-zëvendëskryeministri duket se e kritikoi edhe për diçka tjetër ministren Gërvalla – për mungesën e dhënies së informacioneve për punën që po bëhet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Shkurt, nëse mund të na njoftoni për strategjinë e komunikimit me publikun, sepse kemi të bëjmë me një hapësirë të vërejtjve të zakonshme dhe të pazakonshme, nga qytetarët dhe ata që janë të interesuar përp unën e MPJ-së, për mungesën e sasisë së informacionit të punës së Ministrisë së punëve të Jashtme dhe jam i bindur, që departamenti për marrëdhënie me publikun duhej ta kryente këtë punë?”, tha ai.
Gërvalla i përgjigjet, ndërhyn sërish Abazi
“Jam duke menduar për një moment, se a është ende në fazën kur mund të bëhet publik, kemi paraqitur kërkesën te kryeministri për hapjen e një misioni të ri, për pak dihet bëhet e qartë se cili është misioni. Kemi paraparë misione të reja, por s’i kemi përcaktuar me buxhet fiks se cili do të jetë”, tha fillimisht Gërvalla për çështjen e hapjes së misioneve të reja, por pa pranuar të jap më shumë detaje.
Por në një pjesë tjetër të deklaratës së saj, ajo u shpreh se do të diskutojë edhe me komisionin “në një rrafsh më të gjerë” për hapjen e tyre.
Kjo, siç duket e “irritoi”, deputetin, i cili ia rikujtoi ministres një ankesë të tij më të hershme: “Ju kam bërë pyetje me shkrim, nuk kam marrë asnjëherë përgjigje”.
“Me ligj, ministre, komisioni ka të drejtë të rekomandojë, nuk është përfshirje. Ju kam bërë pyetje me shkrim, nuk kam marrë asnjëherë përgjigje”, tha deputet Abazi.
Ministrja Gërvalla foli shumë pak për njohjet e reja, duke e përmendur këtu edhe fushatën që po e bën Serbia për t’i penguar ato.
“Sa i përket strategjisë së njohjes, unë iu propozova që të takohemi edhe një herë gjatë këtij viti dhe ta bisedojmë. Është temë shumë e ndjeshme, çështja e njohjeve të reja duke ditur se kemi një betejë nga ana tjetër, prandaj, një dy minutësh rreth kësaj teme nuk do të shërbente as për një informim të mirë të juajin”, tha ajo.
Ndërkaq, sa i përket një “përfaqësuesi special” për njohje, znj.Gërvalla përfundoi se nuk kanë paraparë që të ndërmarrin një hap të tillë.
“Nëse e keni fjalën për një instancë të re, apo dikaster të ri brenda, nuk kemi paraparë një gjë të tillë, kemi paraparë gjëra të tjera që do të mund t’i bisedojmë”, deklaroi në fund ministrja Gërvalla.
Në fund, kryetari i Komisionit i tha ministres Gërvalla se që tani, “shpreson”, që të fillojnë me procedurat për përgatitjen e takimit të radhës.


