Haki Abazi i thërret mediet për ta sharë Mimoza Kusari-Lilën: Si mund ta mbajë atë post, kur s’është as anëtare e VV-së?
Nga zëvendëskryeministër në vetëm deputet, Haki Abazi i VV-së thirri sot mediet për ta sharë shefen e VV-së në Kuvend, Mimoza Kusari-Lilën – që sipas tij, s’e meriton atë post.
Haki Abazi thirri konferencë për medie dhe njoftoi se do të dalë çdo të premte – si LDK-ja e paraluftës – për të na njoftuar me zhvillimet e fundit.
Sot, Abazi zgjodhi që ta sulmojë Shefen e VV-së në Kuvend, edhe pse në fakt s’është pjesë e VV-së.
“Një deputet të udhëheqë një grup parlamentar kaq të madh, është problematike sepse dinamikat brenda Lëvizjes e bëjnë poashtu komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar” – tha Abazi për Mimoza Kusari Lilën.
Kur u pyet nga gazetarët se a e synuar postin e shefit të VV-së në Kuvend, apo e synon tani, Abazi e mohoi kategorish.
Megjithatë, tha se brenda VV-së njerëz që punën e Kusari-Lilës do ta bënin më mirë.
“Unë mendoj se ka njerëz që janë brenda grupit parlamentar që kanë edhe aftësi më të mëdha edhe durim më të madh edhe kapacitet për ta udhëhequr grupin parlamentar drejtpërsëdrejti” – u shpreh Abazi para medieve.
Edhe pse i revoltuar, Abazi siguroi se nuk është duke dalur nga Vetëvendosja.
“S’jam duke dalë nga Vetëvendosje, unë mendoj se proceset e rëndësishme brenda VV-së janë kryer” – tha Abazi.
Pos problemeve me Mimoza Kusari-Lilën, Abazi ka ndërlikime edhe me sektorin e ekzekutivit. Edhe pse kryetar i Komisionit për Punë të Jashte, Abazi tha se me ministren e Jashtme më shumë kanë kontakt gazetarët sesa ai vetë.
“Për besë, ju mund të flisni me ministren e Punëve të Jashtme më shpesh se unë që jam kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme”.
Këto ankesa, Abazi konfirmoi se i ka adresuar në instancat më të larta të mundshme.
“Natyrisht unë këto çështje i kam ngritur te kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes – Albin Kurti” – shtoi Abazi.
Më shumë se një vit e gjysmë kanë kaluar që kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale. Vetëvendosja fitoi më shumë se gjysmën e votave, por vend brenda ekzekutivit nuk i gjeti fare Haki Abazit, ndonëse në qeverisjen e kaluar ishte zëvendëskryeministër.
Përveç qeverisë, Abazi nuk mori post të rëndësishëm as në Kuvend. Me Rexhep Selimin në Hagë, Vetëvendosje zgjodhi që shef të Grupit Parlamentar ta bëjë dikë që s’është fare në VV – Mimoza Kusari-Lilën.