Aksioni i mbrëmshëm në Prishtinë, tre të arrestuar: Dy u kapën me kokainë, një tjetër pengoi zyrtarët policorë - NACIONALE

Aksioni i mbrëmshëm në Prishtinë, tre të arrestuar: Dy u kapën me kokainë, një tjetër pengoi zyrtarët policorë

41 minuta më parë

nga Eriola Cacaj

Një aksion i Policisë së Kosovës, mbrëmjen e së mërkurës, u kap nga kamerat e Gazetës Nacionale.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, rreth orës 21:30, ku një numër i madh i zyrtarëve policorë ndërhynë në një rast që përfundoi me arrestimin e tre personave.

Detaje të reja për aksionin ka dhënë Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, ndërsa rasti është ndarë në dy procedura të veçanta.

Në rastin e parë, policia arrestoi dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit, te ta u gjetën dhe u konfiskuan rreth 9 gramë kokainë.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Në kuadër të të njëjtit aksion, në pranga përfundoi edhe një shtetas i Shqipërisë.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Pas intervistimit, edhe ndaj tij, me vendim të prokurorit, është caktuar masa e ndalimit dhe është dërguar në mbajtje.

Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Gazeta Nacionale ka mësuar se bëhet fjalë për një 23 vjecar, i cili gjatë këtij aksioni, me qëllim që të pengonte zyrtarët policor, kishte shtyrë njërin nga ta dhe i njëjti dyshohet se dyshohet se i ka kundërshtuar vazhdimisht veprimet e Policisë

Lajme të ngjashme