Kosova pa politikë të jashtme, për dy vite asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim - NACIONALE

Kosova pa politikë të jashtme, për dy vite asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Kryeministri Albin Kurti po krenohet me politiken e jashtme, por kanë kaluar dy vite që Kosova nuk ka marrë asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e politikës së jashtme kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të theksuara të kapaciteteve në këtë fushë.

Ata kanë vlerësuar se mungesa e vizionit dhe rezultateve në këtë fushë flet se Kosova nuk ka fare politikë të jashtme.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është në rënie të lirë.

Sot, Kosova bëri dy vjet pa asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë partneritet bilateral, asnjë marrëveshje me BE-në! Kjo është politika e jashtme e rënies së lirë!”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, ka kritikuar Qeverinë për mungesë të rezultateve në këtë fushë.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale, se kjo flet de fakto për mungesë të politikës së jashtme.

Kosova që dy vjet nuk ka asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë partneritet bilateral, asnjë marrëveshje me BE-në! Kjo fletë se Kosova de facto nuk ka politikë të jashtme. Kjo është një qeveri e fjalamanisë, duke filluar nga kryeministri Kurti që nuk ka sensin e të zhvilluarit të një politike të jashtme sipas modelit europerendimor por ka shprehitë ideologjike lindore polarizuese”, ka thënë ai.

Sipas tij, pushteti aktual po i rrezikon edhe miqësitë aktuale të Kosovës.

Si rezultat i kësaj, nuk ka arritur as ndonjë njohje, as ndonjë miqësi të re dhe vazhdon që miqësitë e vjetra e të arritura me mund sidomos nga dr. Rugova ti dëmtoj për çdo ditë e më shumë. Në organizimin e brendshëm është krijuar një anarki nga Ministrja e Jashtme, znj. Gërvalla, e cila është jokompetente dhe nuk ka sensin elementar diplomatik e as administrativ”, ka deklaruar ai.

Ministrja e Jashtme merret me çështje administrative

Njohësit e politikës së jashtme kanë kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për mungesë të kapaciteteve në këtë fushë.

Politologu Avdi Smajljaj, ka deklaruar për gazetën Nacionale, se kjo ministri nuk ka vizion për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Politika e jashtme e Kosovës nuk ka as vizion, as program, e as politika specifike për të mbrojtur interesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ministria e jashtme kryesisht është marrë me çështje administrative brenda ministrisë, ndër të tjera largimin e vendosjen e krerëve dhe pjesëtarëve të misioneve diplomatike e konsulare”, ka thënë ai.

Smajljaj ka bërë me dije se Kosovës nuk ka bërë asgjë për të penguar Serbinë në tërheqjen e njohjeve për Kosovën.

Në këtë drejtim, mungon edhe politika për qasjen ndaj shteteve që ende nuk na kanë njohur, atyre që kanë dilema me njohjen, dhe për fuqizimin e marrëdhënieve me shtetet që na kanë njohur. Sidomos kur kemi parasysh politiken e jashtme të Serbisë për heqjen e njohjeve dhe pengimin e njohjeve te reja. Politika e jashtme e Kosovës nuk ka bërë as edhe një gjë në këtë drejtim”, është shprehur ai, duke shtuar se politika e jashtme është shumë pasive.

Shpesh kemi parë edhe sjellje të Qeverisë së Kosovës, të tilla sikur shtet tjera kanë nevojë të na njohin neve, e jo e kundërta. E njëjta vlen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me një fjalë qasja e Kosovës në politikën e jashtme ka qenë ekskluzivisht pasive, wait and see, karshi ofenzives se Serbisë në politiken e jashtme kundër Kosovës”, ka deklaruar ai.

Me këtë sjellje të bartësve të politikës së jashtme, ka thënë ai, Kosova varët nga zhvillimet e jashtme.

Edhe sikur te mos ekzistonte fare Ministria e Punëve te Jashtme, punët nuk do te ishin me keq në politiken e jashtme. Me (mos)punën që është bërë në jemi ekskluzivisht te varur nga zhvillimet jashtë, me fjalë tjera, nen qiellin e hapur”, ka thënë ai.

Kurti krenohet me politikën e jashtme

Pavarësisht kritikave të opozitës, kryeministri Albin Kurti beson se qeveria e tij ka bërë shumë në këtë fushë.

Na adresimin e tij të fundit para Këshillit të Përgjithshme të LV-së, ai ka numëruar veprimet që i ka marrë qeveria në këtë fushë, por nuk ka përmendur njohjet.

Sa i përket integrimeve euro-atlantike, pas një pauze të gjatë të vetë-izolimit, si mungesë e dijes por edhe e ndëshkimit për shkak të korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në integrimet euro-atlantike dhe ndërkombëtare. Kemi aplikuar në Këshillin e Evropës si një vend demokratik, liridashës e paqedashës që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në NATO dhe Programin për Paqe të NATO-s. Kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku do ta dorëzojmë sivjet aplikacionin”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, ka lëvizje edhe në procesin e liberalizmit të vizave.

Kemi hequr çdo pengesë e dyshim te vendet hezituese të Bashkimit Evropian për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave përmes luftimit të krimit e korrupsionit dhe zhvillimit demokratik që e kanë përmirësuar shumë imazhin tonë. Jemi rreshtuar me vendet demokratike duke dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke ju bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Federatës Ruse dhe

jemi solidarizuar me popullin ukrainas duke hequr vizat dhe duke strehuar gazetarë të saj që tash janë banorë të kryeqytetit tonë”, është shprehur.

Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Republikën e Kosovës. Kjo ka ndodhur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pasi Kosova kishte nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në dy vitet e fundit është folur shumë për njohjen nga Greqia. Gazsjellësi amerikan dhe njohja nga Greqia janë parë të ndërlidhura.

Me refuzimin që Qeveria Kurti ia bëri projektit të gazsjellësit amerikan, janë zbehur gjasat që ky vend ta njeh se shpejti Republikën e Kosovës.

Lajme të ngjashme