Haxhiu ua kërkon partive propozimet për anëtarët e rinj të KQZ-së: A do t’ia njohë PDK-së dy anëtarë?
Albulena Haxhiu vazhdon të paraqitet si ushtruese e detyrës së presidentes edhe pas betimit si deputete në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht deklarimeve të njohësve të Kushtetutës se ajo më nuk ka të drejtë ta ushtroi detyrën e ushtrueses së presidentes, zyrtarja e VV-së po vazhdon të bëjë një gjë të tillë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se Haxhiu ua ka kërkuar partive politike propozimet për anëtarë të ri të KQZ-së.
Burimet e gazetës brenda partive politike kanë treguar se në shkresën e Haxhiut për subjektet politike është kërkuar që partitë propozimet e tyre t`i dërgojnë në Presidencë brenda afateve ligjore.
Mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i lidhur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se shefja e shtetit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.
Në nenin 61 të këtij ligji, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, jepen detaje për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të këtij neni.

Më tej, në këtë nen tregohet se brenda çfarë periudhe kohore partitë politike duhet t`i përgjigjen presidentes Osmani.
“Grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”, thuhet në këtë paragraf.
Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
Përfundon mandati i Krasniqit, Gashit dhe Hamitit, kush do të jenë anëtarët e rinj?
Pjesë e përbërjes së re të KQZ-së nuk do të mund të jenë Alban Krasniqi (LVV), Ilir Gashi (PDK) dhe Sami Hamiti (LDK), të cilët janë në mandatin e tyre të tretë radhazi.
Kjo pasi Ligji për Zgjedhjet në Kosovë ka paraparë se anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se tri mandate të njëpasnjëshme.

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë nxjerrë në Kuvend katër grupet e parlamentare, ashtu si në zgjedhjet e 28 dhjetorit: LVV, PDK, LDK dhe AAK. Kjo do të thotë se dy grupet më të mëdha parlamentare, LVV dhe PDK, kanë të drejtë të emërojnë nga një anëtar shtesë, pra nga dy.
Por, pavarësisht se Kushtetuta parashikon qartë përbërjen e KQZ-së, presidentja e kaluar, ish-presidentja Vjosa Osmani dhe U.D. Albulena Haxhiu, nuk ia kishin emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, duke krijuar vakuum institucional dhe duke mos garantuar fuksionimin kushtetues në përbërje të plotë të këtij institucioni.
Në këtë mënyrë zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit si asnjëherë më parë janë organizuar nga KQZ-ja, në përbërje të paplotë, pra me vetëm 10 anëtarë nga 11 sa duhet të jetë përbërja e plotë e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.
Ende nuk dihet se si do të veprojë Haxhiu gjatë konstituimit të përbërjes së re të KQZ-së.