Politika e jashtme, huqja më e madhe e ‘referendumit’ të 14 shkurtit - NACIONALE

Politika e jashtme, huqja më e madhe e ‘referendumit’ të 14 shkurtit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Qeveria e shpresës” kishte ardhur në pushtet me premtime të mëdha edhe në fushën e politikës së jashtme. Në programin e Qeverisë, prioritet kryesor i politikës së jashtme ishte vendosur forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, shtimi i njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Pas një viti punë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e ka venitur shpresën në këtë fushë, duke mos realizuar asnjë nga këto objektiva.

Kjo ka bërë që ky sektor të konsiderohet si më i kompremituari gjatë vitit të parë të qeverisjes së Albin Kurtit.

Njohësit e politikës së jashtme kanë vlerësuar për gazetën Nacionale se politika e jashtme është dështimi më i madh i institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

“Në politikë të jashtme, kemi një dështim të plotë të institucioneve të Kosovës, të cilat janë treguar tejet të papërgjegjshme dhe kanë shpërfaqur një mungesë të thellë njohurie mbi diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare – aq sa është shqetësuese për kohën nëpër të cilën po kalojmë, kur me sulmin rus në Ukrainë, kemi një goditje të fuqishme ndaj rendit botëror të cilin e njohim që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Përgjatë këtij viti, politika e jashtme e Kosovës ka qenë e ç’orientuar dhe ka pasur mungesë vizioni e kohezioni”, ka thënë për Nacionalen njohësi i politikës së jashtme Emir Abrashi.

Ai ka thënë se kryediplomatja Donika Gërvalla e ka nisur mbrapsht punën e saj në këtë sektor.

“Është filluar mbrapsht me lirimin njëkohësisht nga detyra të të gjithë ambasadorëve me çelës politik, duke e lënë vendin pa përfaqësim në kryeqendrat e diplomacisë botërore si Uashingtoni, Londra, Berlini e Parisi, e madje jemi detyruar që edhe ta mbyllim Ambasadën tonë në Kanberra në mungesë të diplomatëve. Është vazhduar me gabime të njëpasnjëshme e të pandalura në diplomacinë digjitale, aq sa tanimë nuk ka pritshmëri që postimet nga profilet zyrtare të MPJD-së do të dalin pa gabime”, ka thënë ai.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Ibrahim Gashi ka deklaruar për gazetën Nacionale se gjatë këtij viti politika e jashtme ka qenë nën nivelin që është dashur të jetë.

“Politika e jashtme e Kosovës është vlerësim i përgjithshëm se ka pasur performacë të dobët dhe ka qenë e mbushur me veprime të ngutshme, shumë improvizime dhe skandale të shpeshta. Dështime mund të konsiderohet ngecja në procesin e anëtarësimeve dhe te njohjeve, vendime të ngutshme për shkarkime të diplomatëve dhe vonesa në zëvendësimin e tyre, duke lënë shije të keqe edhe tek vendet pritëse, emërime të ngutshme të stafit nga Departamenti i Diasporës (ish Ministria e Diasporës), pa i pasur parasysh kredencialet e tyre profesionale”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe kanë munguar vizitat nëpër vende të rëndësishme të botës.

“Në përgjithësi mund të themi se aktiviteti i MPJ gjatë një viti të kësaj qeverisje ka ngecur në atë që quhet afirmim ndërkombëtar i interesave të shtetit të Kosovës. Kanë munguar vizita të zyrtarëve tanë shtetëror në qendrat e rëndësishme vendimmarrëse, veçmas në vendet e QUINT-it”, ka deklaruar Gashi.

Gabimet në diplomaci lëkundin besimin e partnerëve

Njohësit e politikës se jashtme kanë komentuar edhe gabime në diplomaci digjitale të kryediplomates Donika Gërvalla dhe të zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi.

“Diplomacia digjitale është një fushë në të cilën Kosova jo gjithmonë ka qëndruar keq. Përkundrazi, ka qenë e ranguar si një nga vendet me diplomacinë digjitale më të zhvilluar në botë. Ndërsa, tanimë kur e gjithë bota u detyrua të kalojë në platformat online si pasojë e pandemisë, institucionet e reja të Kosovës nuk po arrijnë assesi t’i evitojnë gabimet në diplomaci digjitale. Kjo për shkak se në diplomaci digjitale, nuk mjafton vetëm njohuria e rrjeteve sociale, por mbi të gjitha nevojitet njohuri për diplomacinë”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, këto gabime ndikojnë në agjendën e Kosovës në fushën e politikës së jashtme.

“Kjo pasi që diplomacia është art në vete, ku edhe simbolikat e veshjet përçojnë mesazhe, e lëre më fjalët e veprimet. Kur ne kemi gabime të njëpasnjëshme, e shpeshherë të pafalshme pasi që ofendojnë palën tjetër, edhe mirëbesimi mes palëve lëkundet. Lëshimet si ajo e Zëvendëskryeministrit të Parë pas takimit me Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, përpos që na nxjerrin jo-seriozë, na nxjerrin edhe si palë të cilës edhe nuk mund t’i besohet”, ka deklaruar ai, duke i ftuar të gjithë liderët institucionalë të Kosovës të kenë kujdes në në diplomacinë digjitale.

“Është tejet e nevojshme që të gjithë krerët institucionalë pa dallim, nga Presidentja e poshtë, të kenë në stafet e tyre persona të cilët janë të fushës së diplomacisë, e të cilët në mos t’i shkruajnë, të paktën duhet t’i redaktojnë postimet para se ato të dalin nga profilet e liderëve dhe ato të institucioneve, e sidomos ato postime në gjuhën angleze e që kanë lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me palët të tjera. Thjesht, shkurt e shqip, nuk mund të vazhdohet me këtë avaz, por duhet të ketë një rishikim të strategjisë se si institucionet tona i qasen politikës së jashtme në përgjithësi, e diplomacisë digjitale në veçanti”, ka thënë Emir Abrashi.

Kurse, profesori Gashi ka thënë se mos puna dhe gabimet në diplomaci e bëjnë këtë sektor që të mos jetë i suksesshëm.

“Ka pasur edhe shtrembërime të deklaratave të zyrtarëve të lartë evropianë nga zyrtarët më të larta të qeverisë, keqkuptime dhe deklarata të pamatura, pa përmendur këtu gafa të shumta protokollare të kryediplomatës por edhe të diplomatëve të caktuar. Për më shumë në proceset ristrukturimit të brendshëm ka më shumë kaos se sa efiqiencë. Si përfundim, kjo që kemi parë dhe po shohim në politiken e jashtme gjatë një viti nuk mund të konsiderohet storje e suksesit”, ka thënë Gashi.

Gërvalla zhgënjen edhe përkrahësit e Kurtit

Në vitin e parë të punës së kryediplomates, Donika Gërvalla ka zhgënjyer edhe përkrahësit e kryeministri Albin Kurti.

Ish-këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, ditë më parë ka thënë se kjo ministri nuk ka përmbushur asnjë objektiv të saj.

“Për mua është e rëndësishme që nuk ka një program. Kur e sheh programin e LV-së, është vetëm një faqe. Nuk ka asgjë konkrete aty. Sot e hapa faqen e MPJ-së. Aty klikova tek një opsion që quhet cilat janë prioritet tona. E klikova dhe më tha është në proces. ‘Është në proces’ që 12 muaj. Paramendoni, që 365 ditë. Është dashur të punohet në këtë drejtim”, ka thënë Gashi për T7.

Politika e jashtme është kritikuar vazhdimisht edhe nga subjektet opozitare. Sipas zyrtarëve të këtyre partive, gjatë këtij viti Kosova ka hequr dorë nga politika e jashtme.

“Në politikë të jashtme, kjo qeveri është karakterizuar nga skandale me dëme të pariparueshme për pozitën e vendit – me komunikime të turpshme e amatoreske dhe me diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar; përjashto takimet e forumeve të përbashkëta me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë.

Pavarësisht kritikave të shumta nga opozita dhe shoqëria civile për shefen e diplomacisë kosovare, kryeministri Albin Kurti ka mbrojtur atë, duke e lavdëruar punën e saj. “Mund ta imagjinoj pse ka një sulm të egër, të papërmbajtur ndaj zëvendëskryeministres sime dhe ministres së Jashtme për shkak se ajo tash përfaqëson edhe një subjekt të ri politik dhe gjithashtu është në raporte të mira me mua si kryeministër”, ka thënë Kurti në një intervistë për RTK-në.

Gjatë këtij viti, Republika e Kosovës nuk është njohur nga asnjë shtet dhe nuk ka bërë asnjë aplikim për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, institucionet e politikës së jashtme kanë bërë me dije se kanë filluar përgatitjet rreth aplikimit për anëtarësim në këtë organizatë.

Lajme të ngjashme