Gërvalla s'i bën "hesap" hetimet ndaj Berishajt: S'e shkarkoj për prokurorët politikë - NACIONALE

Gërvalla s'i bën "hesap" hetimet ndaj Berishajt: S'e shkarkoj për prokurorët politikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për nisjen e hetimeve ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për raportim të rremë të pasurisë. E bindur në pafajësinë e tij, u shpreh Donika Gërvalla – Schwarz. Kryediplomatja beson fuqishëm se Prokuroria Themelore në Prishtinë po vepron me qëllime politike.

Gërvalla s’e ka ndërmend ta shkarkojë Berishajn, dhe këtë, e konfirmoi vetë të martën në Rubikon. Sipas saj, nuk ka asnjë arsye të besojë që akuzat ndaj tij janë të verteta.

“Kemi besuar, jam ulur, kam biseduar me ambasadorin, nuk kam asnjë arsye të besoj që ambasadori ka treguar të pavërteta me partnerët tanë. As partnerët nuk kanë dhënë sinjal që ka indikacione të vërteta. Shteti malazez ka thënë që ambasadori s’i ka mbetur borxh”, tha fillimisht Gërvalla.

Por zëvendëskryeministrja beson në fajin e dikujt tjetër. Ajo i lë fajtorë prokurorët, të cilat sipas saj, punojnë me qëllime politike për të hedhur baltë mbi ambasadorin Berishaj.

“Ne mund të bëhemi më francezë, se sa francezët, duke e njohur realitetin tonë...Asnjë nga njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për ndryshime në këtë vend, nuk janë të sigurtë nga hapja e hetimeve të prokurorisë, duke e njohur profesionalizmin e një pjesë të vogël të prokurorëve dhe nevojën për Vetting. Natyrisht (mund të ketë intencë), absolutisht nuk e përjashtoj mundësinë që intenca për të hedhur baltë mbi ambasadorin Berishaj, ka intencë politike për të dëmtuar këtë qeveri”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja shkoi edhe më tej – ajo tha se pret fushatë edhe kundër anëtarëve të tjerë të Qeverisë, duke përdorur prokurorët.

“Dua të jem e hapur, nuk përjashtoj për asnjë nga anëtarët e kësaj qeverie, që të përballen me një fushatë jashtëzakonisht jo-fair, e cila shërbehet me mjete të prokurorisë, pa dashur të sulmoj prokurorët që kryejnë me ndershmëri detyrat e tyre. Ka në mesin e prokurorëve të tillë, kam informacione, që Prokuroria, që një pjesë e prokurorve, jo vetëm në Prishtinë, merren me gjetjen e preteksteve për të hedhur baltë mbi personaltete të pakorruptuara. Nuk do të çuditesha, nëse një nga kolegët e mi përballet me akuza, që e dimë, se nuk kanë të bëjnë me realitetin”, shtoi ajo.

Në fund, përfundimisht Gërvalla konfirmoi se nuk e shkarkon ambasadorin Berishaj, pasi që sipas saj nuk ka fakte, pavarësisht se Agjencia Kundër Korrupsion ka bërë të ditur se ky nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë.

Rasti “Martingate”

Para rreth një muaji, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar kallëzim penal në prokurori ndaj ambasadorit Martin Berishaj, pasi për të njëjtin rast AKK ishte njoftuar nga Nacionale.

Meqenëse afati për hudhje të kallëzimit penal, kur nuk ka elemente të veprës penale është një muaj, Gazeta Nacionale ka kontaktuar prokurorinë, nga ku ka mësuar se tashmë ka një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj ambasadorit Berishaj.

Në prill të këtij viti, gazeta Nacionale ishte media e parë kosovare që raportoi për një skandal të madh financiar në Slloveni, e ku përfshihej edhe ambasaodori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

E një ditë pas, Nacionale zbuloi edhe një skandal tjetër të Berishajt. Ambasadori kishte fshehur pasurinë e tij në deklarimin në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pasi u zbulua ky fakt, Nacionale dërgoi disa pyetje në adresë të AKK-së, duke e njoftuar Agjencinë se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi me emerin “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë. Madje, Nacionale ishte kujdesur t’i ofronte dëshmi AKK-së.

Gati katër muaj pas këtij raportimi, AKK ia konfirmoi Nacionales se tashmë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

“Pas informacioneve tuaja të datës 22.04.2022, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar procedurën e hetimit paraprak”, thuhej në hyrje të njoftimit të AKK-së dërguar në Nacionale.

Tutje, thuhej se të gjitha dokumentet janë dorëzuar në prokurori.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

“Agjencia Kundër Korrupsionit u është mirënjohëse për bashkëpunimin tuaj dhe ju inkurajon që të vazhdoni këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen”, thuhej ndër të tjera në përgjigjen e dhënë për Nacionalen nga AKK.

Por, sa mund të dënohet Berishaj?

Neni 430 i Kodit Penaltë Republikës së Kosovës për këto raste parasheh dënim maksimal deri në 5 vjet burgim, e konfiskim të pasurisë, për vlerën e padeklaruar.

Gjoba, burgu:

“Çdo person i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave të dhuratave të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfillë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.”

Lajme të ngjashme