Çka e pyeti Nacionale e çka bëri AKK për kallëzimin penal ndaj Martin Berishajn? - NACIONALE

Çka e pyeti Nacionale e çka bëri AKK për kallëzimin penal ndaj Martin Berishajn?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në prill të këtij viti, gazeta Nacionale ishte media e parë kosovare që raportoi për një skandal të madh financiar në Slloveni, e ku përfshihej edhe ambasaodori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

E një ditë pas, Nacionale zbuloi edhe një skandal tjetër të Berishajt. Ambasadori kishte fshehur pasurinë e tij në deklarimin në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pasi u zbulua ky fakt, Nacionale dërgoi disa pyetje në adresë të AKK-së, duke e njoftuar Agjencinë se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi me emerin “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë. Madje, Nacionale ishte kujdesur t’i ofronte dëshmi AKK-së.

Krahas kësaj, gazeta kishte shtruar tri pyetje.

“1. Në raste të tilla, si vazhdon procedura nga Agjencia Kundër Korrupsionit?

2. A do të nisni hetimet?

3. Çfarë hapash do të ndërmerrni?”, ishin pyetjet e Nacionales për AAK.

E gati katër muaj pas këtij raportimi, AKK ia konfirmoi Nacionales se tashmë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

“Pas informacioneve tuaja të datës 22.04.2022, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar procedurën e hetimit paraprak”, thuhej në hyrje të njoftimit të AKK-së dërguar në Nacionale.

Tutje, thuhej se të gjitha dokumentet janë dorëzuar në prokurori.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

Në fund, Agjencia falënderoi Nacionalen për bashkëpunim.

“Agjencia Kundër Korrupsionit u është mirënjohëse për bashkëpunimin tuaj dhe ju inkurajon që të vazhdoni këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen”, thuhej ndër të tjera.

Por, një medium i afërt me pushtetin, madje përmes burimesh, deklaroi se "kallëzimi penal ishte ngritur për vonesën 1-2 ditore", por pa specifikuar informacione relevante për burimin.

Më pas, ata e fshinë pjesën e lajmit ku thirreshin në burime, pa ofruar asnjë arsyetim për një gjë të tillë. Madje, ata nuk dhanë asnjë njoftim për lexuesit se lajmi është përditësuar, ashtu siç e kërkon etika gazetareske.

Pushteti hesht, opozita kërkon dorëheqjen e Berishajt

Skandali financiar në të cilin u përfshi ambasadori Martin Berishaj përsëri është bërë temë e rëndësishme mediale. E gjitha pasi Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, pas shkresës së Nacionales, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori. Opozita tashmë ka kërkuar dorëheqjen e tij, gjersa pushteti ende nuk ka folur.

Gazeta Nacionale ka kërkuar sqarime nga Qeveria Kurti, ministrja Gërvalla e presidentja Vjosa Osmani, të cilët qenë të zhurmshëm në mbrojtje të Berishajt.

Deri tani, pushteti ka heshtur.

Por, një gjë e tillë, i vuri në lëvizje partitë opozitare.

E para me qëndrim ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Zëdhënësja e LDK-së, Jehona Lushaku, theksoi se shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj është domosdoshmëri, duke e akuzuar se ai po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës.

Lushaku në një deklarim për Nacionale ka thënë se kallëzimi penal për Berishajn është veç një përfundim logjik ndaj skandalit me 600 mijë euro.

“Shkarkimi i Ambasadorit Martin Berishaj domosdoshmëri. Agjencia Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni. Hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit”, ka thënë ajo.

Në një konferencë për media edhe PDK kërkoi shkarkimin e Berishajt.

Faton Abdullahu tha se PDK tash sa kohë në forma të ndryshme ka insistuar që të ndriçohet rasti i ambasadorit Berishaj, që nga zbulimi i skandalit korruptiv ku përflitej se ishte përfshirë ai.

“I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara, e për rrjedhojë krejt kjo ka ngjallur me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se, edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga Kryeministri edhe nga Presidentja”, tha ai.

Lajme të ngjashme