Irani thotë se nuk ka përparim për ringjalljen e paktit të përkohshëm për paqe me ShBA-në - NACIONALE

Irani thotë se nuk ka përparim për ringjalljen e paktit të përkohshëm për paqe me ShBA-në

1 orë më parë

nga NACIONALE

Irani dhe Shtetet e Bashkuara mbeten në ngërç sa u përket përpjekjeve për t’u pajtuar për përfundimin e përhershëm të luftës në Gjirin Persik, sipas një burimi të lartë iranian, i cili tha se nuk ka pasur përparim në bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes së përkohshme të arritur në qershor dhe për të përcaktuar një kornizë kohore për zbatimin e saj.

Këto komente janë një goditje e mëtejme ndaj shpresave për zgjidhjen e krizës, pas sulmeve të reja ndaj transportit detar në rajon të martën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Njëra nga çështjet që po diskutohen përmes ndërmjetësve është që ShBA-ja të rikthehet te marrëveshja e përkohshme dhe përcaktimi i një kornize kohore për zbatimin e zotimeve. Nuk ka pasur absolutisht përparim në këtë çështje” – tha burimi iranian.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Uashingtoni.

Mijëra njerëz janë vrarë në konflikt, kryesisht në Iran dhe Liban, që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit.

Irani ka goditur asete dhe infrastrukturën amerikane në disa shtete të rajonit, përfshirë Omanin, Jordaninë, Kuvajtin, Izraelin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Me marrëveshjen e qershorit për armëpushim të përkohshëm ishte vendosur një periudhë 60-ditore e ndërprerjes së luftimeve, që do të mund të zgjatej me pajtimin e dy palëve, brenda së cilës ShBA-ja dhe Irani pritej të arrinin një marrëveshje përfundimtare me të cilën do të kufizohej programi bërthamor i Teheranit dhe do të hiqeshin sanksionet amerikane.

Burimi iranian hodhi poshtë një raport të agjencisë së lajmeve “Anadolu” që citoi burime qeveritare pakistaneze të kenë thënë se palët janë pajtuar që ta zgjatin këtë periudhë armëpushimi edhe për 60 ditë.

“Nuk ka bisedime për zgjatje [të periudhës së armëpushimit], sepse, nga këndvështrimi i Iranit, nuk ka pasur periudhë që filloi dhe prandaj nuk ka asgjë për t’u zgjatur. Shtetet e Bashkuara e shkelën marrëveshjen e përkohshme 48 orë pas arritjes së saj dhe u tërhoqën nga ajo disa ditë më vonë” – i tha ky burim agjencisë “Reuters”.

Lajme të ngjashme