Skandali i Martin Berishajt, si e mbrojtën Kurti, Osmani e Gërvalla ambasadorin e kallëzuar penalisht?
Skandali financiar i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit, pas shkrimit të Nacionales, ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berisha.
E këtë të fundit, pushteti aktual e kishte mbrojtur në mënyrë të zjarrtë. Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ishin treguar shumë të vendosur në pastërtinë e ambasadorit Berishaj.
Ndërsa, eksponentë të afërt me VV-në, e këshillonin të qëndronte vertikalisht kundrejt shkrimeve për skandalin financiar në Slloveni, e ku ishte përfshirë edhe ambasdori.
Mbrojtja e pushtetit
Ishte krejtësisht e çudtishme mënyra se si kryeministri Kurti e kishte mbrojtur Berishajn.
Siç nuk ndodh shpesh, Kurti kishte cituar vartësin e tij, zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun.
“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin dhe po ashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon se ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, tha shkurt Kurti.
Por, çfarë kishte thënë zëdhënësi, që u citua nga Kurti?
Kryeziu kishte deklaruar se Berishaj i ka mohuar akuzat në drejtim të tij, ku raportimet e medieve sllovene e përfshinin atë në një skandal financiar.
“Ambasadori jonë në Kroaci, Martin Berishaj, i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveç se janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”, deklaroi ai.
Tutje, ai ishte bërë edhe vlerësues i medies kosovare, duke i qaujtur si pretendime dhe akuza.
“Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, shtoi ai.
Ndërsa, Presidenca kishte njoftuar se ka kërkuar raport me shkrim nga ambasadori i Kosovës në Kroaci.
“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, theksonte Presidenca.
Ministjra Gërvalla kishte deklaruar se asnjë dyshim në pafajësinë e Berishajt.
Ajo kishte thënë se nuk dyshon në deklaratën e Berishajt.
“Ne kemi pasur deklaratën e tij që në fillim dhe nuk kemi pasur asnjë arsye që të dyshojmë në deklaratën e ambasadorit Berishaj”, theksoi ajo në një konferencë për media.
Tutje, ajo kishte deklaruar se këtë qëndrim nuk e kishte marrë apriori.
“Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë apriori, por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”, theksoi ajo.
Madje, Gërvalla kishte hedhur dyshime edhe për raportimet.
“Pra, ka qenë një fushatë e bazuar në një medium slloven i cili në një fushatë zgjedhore pak ditë para zgjedhjeve ka lansuar një fushatë të tillë”, shprehej Gërvalla.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, raportimet e medieve për skandalin financiar në Slloveni, e kishte quajtur dëm kolateral.