EKSKLUZIVE: Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj
Ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është ngritur kallëzim penal. Kjo është bërë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) me rastin që ishte lajmëruar nga gazeta Nacionale.
Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen vetë Agjencia, duke falënderuar Nacionalen për raportimin e këtij rasti. Kallëzimi penal ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.
“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.
Tashmë, ky rast është në duart e institucioneve të drejtësisë, më saktësisht Prokurorisë së Shtetit.

Më vonë, Nacionale gjeti se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë në vitin 2022.
Sipas deklarimit i cili është publik në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, shihet që Berishaj nuk e ka deklaruar kompaninë e tij ‘MB Consulting’, me pronar dhe punëtor vetë Berishaj, anipse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj është në pronësi edhe të dy kompanive të tjera me seli në Kosovë – “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C.”. Asnjërën nga këto nuk i ka deklaruar në formular.

Berishaj ka deklaruar banesë në vlerë prej 180 mijë euro e përfituar në vitin 2001, shtëpi e trashëguar nga 2008 në vlerë prej 72 mijë euro, një tjetër banesë të përfituar në vitin 2006 në vlerë prej 50 mijë euro, dhe tokë me sipërfaqe 62,000.00 m2 e trashëguar nga prindërit në vlerë prej 80 mijë euro.
Pasuri të luajtshme ka deklaruar veturë Mercedes E220 e blerë nga kursimet në vitin 2016 në vlerë prej 15 mijë eurove, dhe një veturë në emrin e bashkëshortes Audi 8 e blerë në vitin 2018 në vlerë prej 42 mijë eurove.
Ka deklaruar para të gatshme në dy banka sllovene, në emrin e vet 15 mijë euro, dhe në emrin e gruas 10 mijë euro.
Të hyrat si ambasador i ka deklaruar në vlerë prej 39,936.00 euro në vit, dhe të hyrat e bashkëshortes në vlerë prej 24 mijë euro në vit.
Skandali Martin Berishaj
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.
“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.