Kompanisë së Martin Berishajt i dalin të hyrat marramendëse: Veç në 2017-n i mori gati një milion - NACIONALE

Kompanisë së Martin Berishajt i dalin të hyrat marramendëse: Veç në 2017-n i mori gati një milion

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një hulumtim të përgatitur nga Gazeta Reporteri del se kompania e ambasadorit të përfshirë në super-skandalin financiar në Slloveni, Martin Berishaj, ka pasur në xhirollogari afër dy milionë euro.

E gjithë kjo shumë parash është mbledhur gjatë periudhës 2016 deri në 2020.

“Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milion euro të hyra”, shkruan gazeta në fjalë.

Nacionale kishte raportuar përmes mediave sllovene se si z. Berishaj kishte marrë në xhirollogaritë e biznesit të tij mbi gjysmë milioni euro për një periudhë fare të shkurtër kohore nga GEN-i slloven me filial në Beograd.

Ambasadori Martin Berishaj nuk ka dhënë asnjë informacion të vetëm në lidhje me shumë pikëpyetje që shtrohen për aktivitetin e tij, e ku përfshihet edhe miqësia me krerët aktualë shtetërorë të Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, ai thjesht ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij ku përfshihej shpëlarja e parave.

Për më tepër, në zbulimet e fundit del se kompania “MB Consulting” kishte përfituar për vetëm 19 ditë pas themelimit gati 100 mijë euro në xhirollogaritë e saj.

Aktiviteti i kompanisë në fjalë ishte këshillëdhënia për çështjet energjetike.

Viti i lartpërmendur, 2017-a, kishte qenë viti më i ngjeshur me transaksione bankare në të mirë të kompanisë së Berishajt e në të cilën ai bën pjesë si pronar dhe si punëtor i vetëm, ka raportuar Reporteri.

Gjatë kësaj periudhe kohore ai kishte përfituar rreth 900 mijë e 666 euro.

Në vitin 2018, Martin Berishaj do të bëhej edhe zyrtarisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti. Sidoqoftë, ai kishte qenë pjesë e agjendës së Vetëvendosjes sa i përket temës së Demarkacionit me Malin e Zi.

Përveç me Kurtin, Berishaj besohet të ketë formuar miqësi edhe me figura tjera të partisë Vetëvendosje si presidenten Vjosa Osmani, kryekuvendarin Glauk Konjufca, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe të tjerë.

Lajme të ngjashme