“Mos e merrni atë që iu takon qytetarëve”: Komunat kundërshtojnë qasjen centraliste të Qeverisë Kurti
Komunat kanë protestuar kundër tendencës së Qeverisë së Kosovës për centralizim.
Në protestën e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kryetarët e komunave kanë bërë thirrje që të ndalet qasja e ekzekutivit për marrjen e kompetencave që iu garantohet me Kushtetutë.
Në adresimin e tij, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherit kryetar i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar reflektim të Qeverisë.
“Mjaft më me plagën financiare të komunave pa fajin e obligimeve të tyre, që po desfunksionalizon e shkatërron qeverisjen lokale si tërësi. Komunat nuk janë të kryetarëve. Komunat janë të qytetarëve të tyre. Përtej ritmit e hoveve të politikës ditore, përtej një partie që qeveris me atë apo këtë komunë, qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimi e shërbime. Qytetarët na besuan ta bëjmë më të mirë e më të lehtë jetën e tyre. Qytetarët e shqetësimet tona nuk meritojnë të dënohen, të ndëshkohen, të lihen në mëshirën e fatit”, ka thënë ai.
Edhe më i ashpër me Qeverinë ka qenë kryetar i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti po i ndëshkon qytetarët vetëm pse nuk e kanë votuar VV-në.
“Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për të bllokuar dhe ndëshkuar qytetarin. Shikojeni se çka po ndodh... Aty ku Vetëvendosja nuk fiton, Qeveria po e bllokon buxhetin dhe investimet. Po bllokohen të hyrat vetanake. Po merren nga buxhetet vetanake mjetet për kontrata të cilat komunat as që i kanë vetë... s’ishin pjesë e procesit vendimmarrës. Po e paguani ju qytetarë këtë. Pas gjithë kësaj sakrifice të popullit, pas luftës pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave për të krijuar institucionet, sot jemi në një pikë që duhet t’i mbrojmë komunat nga njerëzit që iu udhëheqin këto institucione. Katastrofale kjo. Duhet t’i mbrojmë komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre”, ka thënë Rama.
Në fjalimin e tij, i pari i kryeqytetit ka komentuar disa figura të Vetëvendosjes e që sot janë ministra.
Sipas tij, ata që dikur e kanë sulmuar shtetit sot po qeverisin.
“Çfarë paradoksi. Shikojeni kush po i udhëheq këto institucione. Po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegë, i kanë sulmuar me zolla e gaz lotsjellës pikërisht këto institucione. Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë, ai që sot udhëheq policinë dikur ka sulmuar policinë tonë... Ministri që duhet të përfaqësojë diplomacinë e Kosovës sot akuzohet për sulm ndaj institucioneve që vetë i përfaqëson. Fatkeqësia tjetër është se presidentja që duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotsjellës brenda këtyre institucioneve. Për më tepër për ta udhëhequr Kuvendin, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak, duke e kërkuar pikërisht këtë Kuvend të kësaj republike, Kurti e solli në krye të Kuvendit një njeri që UCK-në e ka quajtur organizatë kriminale. A po e kuptoni çka po ndodh o njerëz. A po e kuptoni agjendën? Këtu zhvlerësohet çdo periudhë, çdo institucion, çdo hero, çdo familje dhe njeri që ka kontribuar për lirinë dhe shtetin”, ka thënë Rama.