Haki Abazi i VV-së, ish-zëvendëskryeministri konspiracionist që dyshonte se Ibrahim Rugova “u vra” - NACIONALE

Haki Abazi i VV-së, ish-zëvendëskryeministri konspiracionist që dyshonte se Ibrahim Rugova “u vra”

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Haki Abazi, me shumë gjasë, sot është i përgjumur. Sipas postimit të tij të fundit (i publikuar në orën 00:55), z. Abazi duket të ketë mbetur i zgjuar deri vonë. Dhe për këtë ka një arsye: ai, me shumë gjasë, përgatitej për konferencën e orës 10:00, të cilën e paralajmëroi nëpërmjet postimit me shumë gabime. Ndoshta për shkak se ishte mesnatë e qepallat e syrit mund ta kenë tradhëtuar gjatë shkrimit.

Konferenca e së premtes, që në kujtesën kolektive kosovare ndërlidhet me paraqitjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, është rikthyer në aktualitet nga ana e Abazit. Tashmë secilën të premte, z. Abazi, “deputet rebel” i VV-së, i flet popullit stoik kosovar. Por z. Abazi nuk e kopjoi tërësisht z. Rugovën, pasi deputeti i VV-së e mban dy orë më herët konferencën, pra jo në orë 12:00, por në orën 10:00.

Sidoqoftë, z. Abazi ka edhe një pikëpamje të çuditshme në lidhje me vdekjen e Rugovës dhe një të kaluar politike interesante, duke u kthyer nga dyshi i Qeverisë Kurti I në një deputet të margjinalizuar brenda grupit të madh parlamentar të VV-së.

Goliathi i “xhuxhëzuar”

Abazi ka qenë vazhdimisht aktiv në skenën publike, si ish-udhëheqës i Fondacionit “Rockfeller Brothers”, duke mbajtur qëndrime kritikuese ndaj ish-pushteteve, posaçërisht PDK-së së Hashim Thaçit. Hyrja e tij në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2019, ndonëse dukej e natyrshme, bëri bujë të madhe.

Ai e mori numrin 8 në listën për deputet dhe në zgjedhje u rëndit si i shtati më i votuari brenda partisë që edhe atëbotë udhëhiqej nga Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës. Më saktësisht, z. Abazi mori gjithsej 15.450 vota, numër për t’u respektuar. Natyrisht, para zgjedhjeve pati një moment aspak të mirë, duke u përleshur fizikisht me z. Dardan Molliqajn, kryetari i PSD-së, pas një debati të ashpër në "Pressing" të televizionit T7.

Profili i tij, e kaluara e tij, vokacioni i tij e votat e shumta që mori, e “katapultuan” z. Abazin si zëvendëskryeministër të Kosovës në Qeverinë Kurti I. Por krejt ndryshe është tani. Me 7.587 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, Abazi e humbi “shkëlqimin” në sytë e Kurtit. Ai më nuk është dyshi i Kurtit, madje duket të jetë krejtësisht i anashkaluar, gjë e cila ka bërë që Abazi ta kritikojë partinë e tij.

Hiç më larg se dje, z. Abazi “shpërtheu” përsëri, kësaj radhe në shënjestër të tij ishte Mimoza Kusari, që së fundmi është shndërruar në personin e parapëlqyer të Abazit për kritikë.

Vlera e VV-së është te pasioni i aktivistëve, që veten e kanë parë në dritëhijen e ndryshimeve të thella. Këtu është pakënaqësia edhe tek unë, edhe te Visar Korenica. Edhe për Kodin Civil, po të bëhej debati jashtë kornizimit të Mimoza Kusarit, do të gjendej zgjidhja e problemit. Unë jam pro Kodit Civil, Visar Korenica është kundër Kodit Civil, por të dy jemi për Kosovën me prosperitet”- vlerësoi Abazi në T7, duke e lavdëruar Korenicën, deputetin e shkarkuar nga dega e VV-së në Rahovec.

Ndonëse tani duket zë i vetmuar, Abazi ka një pikëpamje pozitive për ndikimin e tij, natyrisht, për ndikimin e tij në të kaluarën (nuk dihet nëse është kjo një nostalgji për kohën e kaluar, që nuk kthehet më).

"Unë mendoj se Kurti 1 ka qenë rruga për me ardhë në Qeveri, unë kam sjellë diku rreth 20 mijë vota, të cilat e kanë mundur Vjosa Osmanin si kundërkandidate, nëse e shohim në këtë konstulacion, do të thotë, e keni parasysh, në fushatën e dytë, ku në të vetmin moment që unë shihem me Lëvizjen Vetëvendosje si i thirrur, është vizita te varri i Ibrahim Rugovës. Unë besoj në atë që besoj dhe nuk turpërohem, unë kam besu në të kaluarën dhe vazhdoj me besu, unë nuk turpërohem për qëndrimet e mia politike"- ka thënë Abazi.

Në njërën nga konferencat e së premtes, z. Abazi pati kritika për Kurtin, duke thënë se shefi i tij në parti nuk po ia dëgjon këshillat në lidhje me marrëdhëniet me Amerikën.

Dyshimet për vdekjen e Rugovës

Vite më parë, më saktësisht më 2016, z. Abazi ishte deklaruar për vdekjen nga kanceri të Rugovës, duke hedhur dyshime për “natyrshmërinë” e fatalitetit të ish-presidentit të Kosovës. Në fakt, kjo “teori konspiracioni” ishte përmendur nga tre persona. Përveç Haki Abazit, edhe Nexhmedin Saphiu, analist, dhe Shefqet Dibrani, aktivist i LDK-së në Evropë, qenë personat që dyshonin për vdekjen e Rugovës.

Normalisht, vdekja e një njeriu me rëndësi kaq të madhe historike, duke u prirë proceseve drejt pavarësimit të vendit, lë hapësirë për dyshime. Vdekja e tij bëhet e dyshimtë, pasi ndodhi pas ngjarjeve të vitit 2004 dhe para shpalljes së pavarësisë”- deklaronte Abazi për televizionin Rrokum në vitin 2016, transmetonte "Zona Express".

Këto dyshime z. Abazi i përsëriti edhe në vitin 2019 në emisionin "Personale" të televizionit "Dukagjinit", duke thënë se vdekja e Rugovës duhet të shihej e ndërlidhur me vdekjet e bashkëpunëtorëve të tij pas luftës.

“…Vrasja e Uk Bytyqit, plagosja e Fetah Rudit, vrasja e Xhemail Mustafës, Enver Malokut dhe vrasja e mëvonshme e Tahir Zemajt, bashkuar me idenë që ndaj Rugovës janë bërë edhe disa atentate të pasuksesshme për ta eliminuar nga skena politike, janë dyshime se rrjedhimisht nuk kishte mbetur formë tjetër për ta eliminuar fizikisht Rugovën përmes helmimit. Formë kjo e përdoruar ndaj Jaser Arafatit apo edhe në disa raste të tjera në botë” – vlerësonte z. Abazi, transmetonte "Telegrafi".

Përveç “dyshimeve” për vdekjen e Rugovës, Haki konspiracionisti kishte zgjedhur të hedh ca dyshime edhe mbi vdekjen e Astrit Deharit, aktivistit të VV-së, duke akuzuar se ndoshta vetë partia e tij e kishte vrarë atë.

E frikshme është kjo pakulturë, e pasender, pa njerëzi. Këta njerëz që derdhnin lotë krokodilli për të vrarët, për fëmijët e mbytur në gropë, këta janë të njëjtit që duan ta zëvendësojnë SHIK duke u bërë gjenerata e radhës e përfitimeve personale. Tani më hiqet të mendoj që në fakt këta janë vet vrasësit e Astrit Deharit sepse ndoshta ai do të ishte pengues i planit te tyre.”, shkurante Abazi më 18 janar të 2018, transmetonte Indeksonline.

Natyrisht, z.Abazi pasi hyri në LV, deklaroi se akuza nuk ishte për partinë ku u anëtarësuar, por për dy persona konkret: Frashër Krasniqi edhe Dardan Molliqaj.

Në bazë të deklaratave publike dhe mënyrës se si Abazi po e kopjon Rugovën me konferencat e së premtes, mund të konkludojmë se deputeti i VV-së ka një vlerësim pozitiv për figurën e ish-presidentit e udhëheqësit të LDK-së.

Nuk i dihet, një ditë mund ta shohim Abazin në partinë që dikur udhëhiqej nga Rugova. Duke e pasur parasysh historinë e aderimeve nëpër parti, një gjë e tillë nuk do të na befasonte.

Lajme të ngjashme