Italia e pezullon paktin e Shengenit me Spanjën për shkak të krizës me emigrantë në Ceuta
Italia tha të premten se do ta pezullonte marrëveshjen Shengen për lëvizje të lirë me Spanjën si reagim ndaj fluksit të madh të emigrantëve që kanë hyrë në enklavën spanjolle Ceuta nga Maroku fqinj.
Italia nuk ka kufi tokësor me Spanjën, por kjo masë, e cila me gjasë do ta zemërojë Madridin, do t’i prekë njerëzit që udhëtojnë me aeroplan ose anije mes dy vendeve, që do të thotë se ata duhet t’i paraqesin pasaportat, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministria e Brendshme e Italisë tha në një deklaratë se gjithashtu është pajtuar me Francën që t’i fuqizojë kontrollet përgjatë kufirit tokësor mes dy vendeve në përpjekje për ta parandaluar kalimin e emigrantëve pa dokumente.
Kritikët e qeverisë djathtiste të kryeministres Giorgia Meloni e cilësuan këtë vendim si gjest simbolik për audiencën e brendshme politike, pasi nuk ka ndonjë dëshmi se emigrantët në Ceuta kishin për synim që të niseshin drejt Italisë.
Vendimi për ta pezulluar Shengenin erdhi pasi Spanja tha se kishte kthyer prapa një turmë emigrantësh që kishin hyrë në enklavën e saj në Afrikën e Veriut dhe se shumica prej më shumë se 50 mijë njerëzve që e kishin kaluar kufirin po kthehen në mënyrë vullnetare.
Koalicioni i Melonit, i cili erdhi në pushtet në vitin 2022 me premtimin për ta pakësuar migrimin e paligjshëm, është ballafaquar me trysni të fuqishme nga një parti e re e së djathtës ekstreme, e udhëhequr nga ish-gjenerali Roberto Vannacci, retorika kundër emigrantëve e të cilit ka gjetur mbështetje te një pjesë e votuesve.
Kur migrimi po kthehet përsëri në kryetitujt e gazetave, qeveria italiane është përpjekur që të dëshmojë një pozicion të ashpër sa i përket sigurisë kufitare. Megjithatë, kundërshtarët nga qendra e majtë e kanë akuzuar për përkulje para një agjende populiste.