Kurti me dylbi në veri, por nuk "këqyr" nga Ura e Ibrit: Pse s’po përmendet më hapja e saj?
Vera e këtij viti u karakterizua nga “nxehja” e idesë së hapjes së Urës së Ibrit, temë e kamotshme politike në Kosovë. Megjithatë, që disa muaj ka një ftohje “jometeorologjike” të kësaj teme. Politikisht tema e urës është e varrosur nga heshtja e pushtetit. Tashmë pushteti po ngurron që ta përmendë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, temë e parapëlqyer muaj më parë. Pse s’po e përmend pushteti hapjen e urës?
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, javën që shkoi qëndroi për vizitë në veri të Kosovës. Në një postim të publikuar dje, Kurti tregoi se e vuri gurthemelin e nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë.
“Të premten e javës së kaluar u vendos gurthemeli i nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë. Sot, në mëngjes, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, vendosëm gurthemelin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit, dy kilometra larg kufirit me Serbinë. Në objektin e ri, që presim të ndërtohet shumë shpejt, do të shërbejë policia kufitare” – ka shkruar Kurti.
Në njërën nga fotografitë, Kurti shihet me dylbi duke shikuar në drejtim të disa kodrave. Fotografia u bë virale, teksa pushteti po e përdor për ta proklamuar ndryshimin në veri.
“I çmendi edhe andej edhe këndej.
S’ka kthim mbrapa” – shkroi dje Mefail Bajqinovci, deputet i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, Bajqinovci, por edhe shumë figura të tjera të VV-së, të cilët gjatë verës qëndruan mbi hapësirën e Urës së Ibrit, janë duke heshtur për temën e hapjes së kësaj ure. Pra “dylbitë” e Kurtit dhe vartësve të tij nuk po këqyrin më nga Ura e Ibrit.
Madje, për këtë çështje ka pasur një koment të shkurtër profesori universitar, Milazim Krasniqi, që shënon pikërisht heshtjen e pushtetit për temën e hapjes së Urës së Ibrit.
“Kryeministri ka mujtë me qit harq me e këqyrë edhe urën e Ibrit. Me gjasë (e) ka harrue” – ka shkruar Krasniqi.
Mbi heshtjen e pushtetit për Urën e Ibrit ka një arsye ose një hamendësim racional. Heshtja e pushtetit lidhet me vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, në Kosovë në fund të gushtit të këtij viti. Që nga vizita e Burnsit më 22 gusht, eksponentët e pushtetit i kanë “harruar” vizitat mbi Urën e Ibrit dhe komentet e paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit.
Ndonëse nuk ka asnjë njoftim zyrtar për atë se çfarë u bisedua në takimin mes Kurtit dhe Burnsit, mediumi i njohur britanik “Rueters” ka raportuar javë më parë për “vijën e kuqe” të Burnsit. Më saktë, duke u thirrur në burimet e tij, “Reuters” shkroi se Burnsi i ka kërkuar Kurtit kujdes në lidhje me çështjen e Urës së Ibrit.
“Zyrtarët perëndimorë e kanë paralajmëruar Kurtin se hapja mund të shkaktojë dhunë etnike dhe të rrezikojë trupat e NATO-s të vendosura atje. Zyrtarët e NATO-s kanë vizituar Kosovën muajt e fundit për të bindur Kurtin të tërhiqet. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, William Burns, gjithashtu kërkoi kujdes në një takim me Kurtin në gusht, thanë burimet” – shkruante Reuters javë më parë, trasmetonte Nacionale.