S’flet për urën, Kurti duket i rreshtuar me ShBA: Janë të përkushtuar të parandalojnë çfarëdo kërcënimi ndaj nesh - NACIONALE

S’flet për urën, Kurti duket i rreshtuar me ShBA: Janë të përkushtuar të parandalojnë çfarëdo kërcënimi ndaj nesh

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Je vonuar një çikë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mospërgjigje ndaj gazetarit që pyeti se “kur po hapet e Ura e Ibrit” gjatë një vizite-përuruese në QKUK pas renovimit të Klinikës Emergjente: investim ky 800 mijë eurosh.

Kurti s’foli për çështjen që e kanë kumbuar më së shumti publikisht për hapjen e Urës së Ibrit pavarësisht gjithçkaje dhe gjithkujt, por foli për seriozitetin dhe peshën e vizitës së William Burns, shefit të CIA-s, në Prishtinë – përveç Sarajevës dhe Beogradit.

Dëshmi e përkushtimit dhe kujdesit të ShBA-së për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë, në kuadër të marrëdhënieve bilaterale tona”, tha Albin Kurti para gazetarëve duke folur për takimin me Burns dhe në çka përkthehet ajo.

Takimi ka shkuar shumë mirë, dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me këtë institucion tejet të rëndësishëm (CIA-n); parasegjithash përmes AKI-së”, shtoi ai.

Hapja e Urës së Ibrit ka qenë tema më e madhe në diskursin e pushtetit kohëve të fundit, deri në përmasa konfrontimi verbal me hisedarët e sigurisë në vend, QUINT-in dhe KFOR-in.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës madje i janë drejtuar me shkrim/raport Presidentes së Kosovës se jetët e ushtarëve amerikanë “vendosen në rrezik” nga hapja thjesht-ashtu e Urës së Ibrit, ç’gjë “nuk merret parasysh në planin e qeverisë”.

Për herë të parë në historinë e vendit në diskurs u hodhën paramendime të një konfrontimi të mundshëm mes policit kosovar dhe ushtarit amerikanë, pyetje kjo e shtruar edhe nga vetë Vjosa Osmani se “në interes të kujt është kjo?”.

Vizita e William Burns kishte ardhur në këtë kontekst, dhe me ç’është parë ditëve të fundit ka sjellur ndryshim rrënjësor në gjuhën e përditshme të akterëve të pushtetit.

Unë e falënderoj shefin e CIA-s, William Burns; dhe kjo është edhe një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të ShBA-së për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë, në kuadër të marrëdhënieve bilaterale tona, pro dhe të paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha Albin Kurti sot para gazetarëve.

Burns në Beograd ka takuar zyrtarë të lartë shtetëror, dhe me ç’ka mësuar dhe raportuar ditë më parë BBC, tema që ka mbizotëruar bisedën mes tyre ishte Kosova dhe se takimet “kanë qenë më shumë të natyrës politike, se sa çështje të inteligjencës”.

E për hapjen e Urës së Ibrit, gjë që qeveria kosovare në flakje tutje të shqetësimeve amerikane ditë më parë e quante “çështje të mbyllur, vendim të marrë”; ka mbizotëruar një heshtje e gjithëmbarshme.

Je vonu një çikë...”, tha Kurti në mospërgjigje ndaj gazetarit për urën.

A ndërruan hesapet pas vizitës së Burns?

Aktualisht “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit, rezonoi deklarata e fortë e ambasadorit gjerman Jorn Rohde.

Ky konstatim i prerë i Rohdes u tha në fjalë të zhveshura nga zhargoni diplomatik dhe përzbutjet kuptimore të zakonshme të diplomatëve.

Këto oktava dukshëm më të larta në deklarime publike erdhën vetën dy ditë pas zbarkimit në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë të shefit të CIA-s, William Burns.

Duke folur sot për RTK-në, Rohde iu referua “shqetësimeve të sigurisë” që burojnë nga hapja tjesht-ashtu e Urës së Ibrit – e dhënë për “çështje të mbyllur, vendim të marrë” nga qeveria kosovare.

Për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë”, u shpreh Jorn Rohde, i cili një ditë më parë edhe u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen”, tha Rohde.

Lajme të ngjashme