S’ka përshëndetje, Darka e Lamës, deputetët: Tri “isharetet” që GUXO-ja është përçarë
Ndonëse jozyrtare, tashmë marrëdhënia ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe partisë Guxo, të cilën e kishte themeluar vite më parë, është trazuar në mënyrë domethënëse. Përveç mospërshëndetjes me duar në dy raste, janë edhe dy sinjale të tjera që shënojnë një çarje të “guxoistëve”. Çka po ndodh me GUXO-n e vogël?
Ishareti nr. 1: S’ka përshëndetje me duar
Në kulturën shqiptare, përshëndetja me duar është themel i një lloji të kurtuazisë mes njerëzve. Mozgjatja e duarve nënkupton ofendim e injorim, por edhe një mungesë totale të respektit e komunikimit normal. Në fakt, mes Osmanit dhe dy bashkëkryetarëve të GUXO-s, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, mospërshëndetja me duar ndodhi, së paku, në dy raste.
Rasti i parë, kur mungoi përshëndetja me duar mes Osmanit dhe Gërvallës e Pecit, u pa gjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores së Ibrahim Rugovës, ish-president dhe udhëheqës historik i Kosovës gjatë viteve të 90-a. Osmani vendosi që ta dërgonte simbolikisht mesazhin e ftohjes së marrëdhënieve me dy liderët e GUXO-s.
Në këtë ceremoni, Osmani i përshëndeti kryeministrin Albin Kurti, ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe një mori zyrtarësh të LDK-së, por jo edhe Gërvallën e Pecin.
Edhe dje mungoi përshëndetja mes Osmanit dhe Gërvallës e Pecit. Pas përfundimit të fjalimeve, Osmani nuk ua zgjati duart Gërvallës e Pecit, por as kryeministrit Kurti.
Ishareti nr. 2: Darka e Lamës
Dje, gazeta “Reporteri” raportoi në lidhje me një nismë të ministrit Peci, që lehtësisht mund të komentohet si shpërfaqje e çarjes së “guxoistëve”. Në artikullin e “Reporterit” shkruhej se Peci është duke tentuar që t’ia marrë nga duart Osmanit patronatin e organizimit të Darkës së Lamës, nismë e ish-presidentit Rugova.
“Ministri Peci ka nisur organizmin e një eventi të ngjashëm paralel më 2 dhjetor…Për këtë “organizim paralel”, Ministri i Bujqësisë ka nisur t’i shpërndajë edhe ftesat” – shkruan mediumi në fjalë.
Ishareti nr. 3: Deputetët e ndarë
Kohë më parë, Nacionale kishte raportuar për dy qasje të ndryshme të deputetëve të GUXO-së ndaj intervistave të presidentes Osmani. Pala e parë, që është më e madhja e ku përfshihen Gërvalla, Guxo, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli, e shfrytëzuan heshtjen, duke mos e komentuar me asnjë fjalë intervistën e Osmanit, e cila kishte kritika ndaj pushtetit.
Ndërsa pala e dytë, ku përfshihet deputeti i GUXO-s, Burim Karameta, ishte goxha e zëshme në promovimin e qëndrimeve të Osmanit. Atëbotë Meta e kishte shpërndarë intervistën e Osmanit, duke shkruar edhe një koment.
“Per te gjithe ata qe duhet me e ndegju me shume se nje here!” – ka shkruar Meta, transmeton Nacionale.
Po ashtu, Meta ishte treguar i ashpër edhe me zëvendësministrin e Bujqësisë, Imri Demelezi, duke e mbrojtur Osmanin nga kritikat e anëtarit pak të njohur të VV-së.
“Zvm. Demelezi eshte mire me kujtu cka i pat be vaki LDK-se kur paten fillu me fol palidhje (keshtu si Demelezi) kunder Presidentes Vjosa Osmani!
Eshte mire me kujtu sa vota i patet marre ne Viti ne shkurt 2021 me Vjosen ne liste, e sa ne shtator 2021 pa Vjosen ne liste. Me mire e keni te mesoni nga gabimet, qofte te te tjereve qofte tuajat” – kishte shkruar deputeti Meta.
Kohëve të fundit në publik është duke u diskutuar për mundësinë e lëvizjeve të të pakënaqurve në GUXO, të cilët janë më të afërt me presidenten Osmani. Një gjë të tillë e paralajmëroi mbrëmë edhe një ish-anëtar i GUXO-s, Balton Dërguti.
“Pas votimit të Buxhetit pritet rrjedha të reja. Mua po më vijnë informacione se grupi i Vjosa Osmanit është në bisedime për kthimin në LDK. Brenda dy ditëve ka gjasa që një pjesë e tyre të dalin publikisht në LDK” – ka deklaruar Dërguti në emisionin “Debat Plus”.