Figura e Rugovës i bën truç Kurtin, Osmanin, Gërvallën, LDK-në: Çka u pa në Podujevë?
Nga shumë njerëz, Ibrahim Rugova konsiderohet si “president historik”. Për më shumë, Rugova përgjithësisht është vlerësuar edhe për anën “unifikuese” dhe “paqësore” gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe pas luftës. Ndonëse ka vdekur në vitin 2006, figura e Rugovës ka arritur t’i bashkojë sot në Podujevë politikanët e gati të gjitha ngjyrave. Kundërshtarët politikë u panë afër njëri-tjetrit, ndërsa miqtë e dikurshëm nuk dënjuan të përshëndeten.
Në përurimin e shtatores së ish-presidentit Rugova morën pjesë kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, ministrat Donika Gërvalla e Faton Peci, zyrtarë të ndryshëm të LDK-së dhe personalitete të tjera. Megjithatë, jo çdo gjë ishte krejt në vijë. Çka u pa?
Refuzimi “estetik” i Osmanit ndaj Gërvallës
Për dallimet politike dhe “hatërmbetjet” në mes Osmanit e Gërvallës është folur gjerë e gjatë. Madje, është spekuluar se ka pasur plasaritje të ashpra në mes dy politikanëve që dikur i bashkonte LDK-ja e Rugovës.
Një shenjë e këtij “hidhërimi” u pa edhe sot në ceremoni. Shefja e shtetit, pra zonja Osmani, nuk ia zgjati dorën kryediplomates, pra zonjës Gërvalla, përkundër që kjo e fundit i qeshi nga largësia. Në një gjuhë rugoviane, Osmani e refuzoi “estetikisht” Gërvallën.
Djali i Rugovës nuk e përshëndet Kurtin
Një tjetër refuzim erdhi nga vetë familja e ish-presidentit Rugova. Djali i vogël i presidenti Rugova, Ukë Rugova, që dikur ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk e përmendi me emër kryeministrin Albin Kurti.
Djali i Rugovës u treguar “uk”, duke e përshëndetur vetëm presidenten Osmani.
“Të dashur qytetarë të Podujevës, e të gjithë Republikës së Kosovës; e nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani-Sadriu; mysafir të nderuar; llapjan të dashur, në emër të fëmijës se presidentit Rugova dëshiroj të ju falënderoj” – ka thënë djali i ish-presidentit Ruogava.
“Muhabeti” i Osmanit me Kurtin e Sejdiun
Për dallim me Gërvallën, Osmani u përshëndet me kryeministrin Kurti, me të cilin që një kohë ka disa dallime politike në lidhje me veriun dhe raportet me ndërkombëtarët. Përveç me Kurtin, Osmani ishte edhe më e afërt me ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, në kabinetin e të cilit dikur kishte punuar Komandantja Supreme.
Një shënjues tjetër që vlen të përmendet është edhe mungesa e fjalimit nga ana e Kurtit në këtë ceremoni, edhe pse mori pjesë në heqjen e “vellos së kuqe” mbi shtatoren e Rugovës.
Përqafimi presidencial
Osmani u përkujdes që të ofronte edhe një moment tjetër, mjaftueshëm simbolik dhe meritor për t’u komentuar politikisht. Si për të konfirmuar “distancën” me pushtetin dhe afërsinë me LDK-në, Osmani u përshëndet me dy figura të LDK-së.
Osmani u ofroi “përqafim presidencial” Ekrem Hysenit, kryetar i LDK-së në Podujevë, dhe Doruntina Malokut, zyrtare e LDK-së dhe vazja e heroit Enver Maloku, i vrarë gjatë luftës në një rast, fatkeqësisht, ende të pabzardhur nga drejtësia.
“Hahaha”-ja enigmatike
Përveç mungesës së përshëndetjes me duar me Osmanin, Gërvalla e kishte edhe një moment tjetër të sikletshëm. Gjatë prezantimit të Gërvallës nga moderatori, dikush ia kërsiti të qeshmes me zë.
“E ftoj zëvendëskryeministres dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe diasporës së Republikës së Kosovës, zonjën Donika Gërvalla-Schëarz” – thotë moderatori, ndërsa në prapavijë dëgjohet një e qeshme në zë.
“Hahaha” – qeshet dikush me zë goxha të lartë, duke e ia tërhequr vëmendjen disa personave.
Nacionale nuk ka arritur të identifikojë subjektin që “gervalli” “hahaha”-në gjatë ceremonisë. Megjithatë, nëse eventualisht ky “i kërkuar” e lexon këtë artikull, e ftojmë të lajmërohet në redaksinë e gazetës tonë.