Intervistë | Rukiqi: Në LDK nuk hyra për poste, por për ta ndihmuar të kthehet në pushtet - NACIONALE

Intervistë | Rukiqi: Në LDK nuk hyra për poste, por për ta ndihmuar të kthehet në pushtet

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Aderimin në politikë e sheh si zhvillim të natyrshëm në karrierën e tij profesionale. Berat Rukiqi, i cili të mërkurën ka aderuar në LDK-së, ka bërë me dije se pjesë e politikës nuk është bërë për poste. Ai ka deklaruar se ideologjia dhe lidershipi i LDK-së e kanë bindur që të bëhet pjesë e kësaj familje politike.

Ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka zyrtarizuar aderimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ekonomisti i njohur ka vlerësuar se ky aderim është një veprim i natyrshëm në karrierën e tij profesionale.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Rukiqi ka treguar arsyet e bashkimit me LDK-në.

Ai ka deklaruar se ideologjia dhe lidershipi i LDK-së e kanë bindur që të bëhet pjesë e kësaj familje politike.

Rukiqi ka bërë me dije se kësaj partie nuk i është bashkuar për poste politike.

Ai ka thënë se bashkë me profesionistët e kësaj partie do të marrin përgjegjësinë për të rikthyer LDK-në në qeverisje.

Nacionale: Z. Rukiqi, sot jeni bërë pjesë e LDK-së. Çka ju shtyri që t`i futeni politikës?
Rukiqi: Futja në politikë, është një zhvillim i natyrshëm, në karrierën time profesionale, pas një përvoje të gjatë në sektorin publik dhe privat. E kam menduar gjatë këtë veprim, sepse dihet se çdo angazhim politikë e ka përgjegjësinë e vet, prandaj ishte një vendim të cilin e kam analizuar mirë, sidomos pas përfundimit të mandatit tim në Oden Ekonomike. Ajo që me ka shtyrë është mendësia që me vepru konkretisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Këtë kontribut e kam dhënë me 15 vite nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe tani do të jap përmes një platforme politike.

Nacionale: Pse vendoset që këtë pikërisht në LDK?
Rukiqi: Lidhja Demokratike e Kosovës ma bëri më të lehtë zgjedhjen për rrugëtimin tim politik. Këtu ka ndikuar edhe orientimi i qartë ideologjik si dhe me kredibilitetin që e gëzon LDK-ja si parti, e cila ka kontribuuar në të gjitha proceset për shtendërtimin e vendit.

Pra, LDK-ja është parti e vetme e djathtë. Dhe siç e dimë platformat politike të këtyre partive krijojnë mundësi për zhvillimin e sektorit privat që ku sektor të jetë bartës i zhvillimit të vendit.
Gjeja tjetër që me ka shtyrë ka qenë edhe komunikimi që kam pasur me udhëheqjen e LDK-së gjatë muajve të fundit. Ata më kanë krijuar mundësi dhe hapësirë për atë që do të angazhohem. Puna e jonë do të fokusohet në një ekip i cila vendit do t`i ofrojë një plan të qartë, një orientim të qartë për ta përmbyllur procesin e shtetet-ndërtimit, duke e orientuar nga një zhvillimet që të rinjtë i mban në vend, kurse vendit i jep kahje të qartë politike. Në këtë mënyrë krijohet ajo që nuk po duket në horizont me këtë qeverisje aktuale.

Nacionale: Pra, mendoni se idetë e juaj për zhvillimin e vendit janë të zbatueshme vetëm përmes programit të LDK-së?
Rukiqi: Absolutisht. Jo vetëm nga aspekti ideologjik, por edhe për nga aspekti i memories institucionale që ekziston aty dhe hapësirës që më është dhanë që ato të shprehen pa asnjë kufizim.

Nacionale: Vendimin tuaj për të iu bashkuar kësaj partie, sa është ndikuar nga reformar që lidershipi i ri i kësaj partie po i ndërmerr?
Rukiqi: Natyrisht. Në komunikimet që kam pasur me z. Abdixhiku, më është bërë e ditur se kjo reformë nuk është kozmetike, por është një reformë përmbajtjesore, e cila ka për synim me i tërheq profesionistët, jo grupet e interesit dhe jo profilet e ndryshme që janë vetëm sa për numër. Pra, është një reformë përmbajtjesore, me një ekip të shkëlqyeshme të profesionistëve, të cilët në muajit në vazhdim kanë çka t`i ofrojnë vendit. Sepse ata do të jenë alternativa e vetme për zhvillim, për punësim dhe fushat tjera me rëndësi jetike për qytetarët, përfshirë shëndetësinë dhe edukimin.

Nacionale: Pse mendoni se LDK-ja është alternativa e vetme për Kosovën?
Rukiqi: Në zgjedhje qytetarët zgjedhin kush i përfaqëson më se miri, por ne mendojmë se LDK-ja e përfaqëson më se miri.
Në bazë të përvojës, në aspektin e profesionalizmit që kemi, në bazë ta bagazhit institucional dhe kontributin që e kemi pasur si parti, ne mendojmë se jemi ata që mundemi me e shtyrë vendin përpara drejt integrimeve euro-atlantike.

Nacionale: Cili do të jetë pozicioni i juaj në LDK? A keni diskutuar për këtë çështje?
Rukiqi: Në këtë parti kam ardhur nga një post që e kam pasur, pra kam qenë kryetar i Odes Ekonomike dhe kam pasur edhe pozita tjera në bordet profesionale. Nuk po i hy tash politikës për poste. Kështu që, nuk kemi diskutuar për poste te caktuara, kemi diskutuar për hapësirë, për ide dhe kemi diskutuar qysh unë si vlerë e shtuar mund të jap kahje pozitive reformës, pjesës së programit politik, pjesës së rrugës që LDK-në e kthen në qeverisjen e vendit.

Nacionale: Sa jeni optimist se këto reforma do të ndikojnë në kthimin e LDK-së në qeverisjen e vendit?
Rukiqi: Varet se nga cili këndvështrim shikohet. Ne besojmë në këtë rrugë. Kjo nuk është një sprint, sepse viteve të fundit kanë ndodhur zhvillime të ndryshme ku pothuajse secilës alternativë politike i pamundësohet komoditeti. Prandaj, ne nuk konsiderojmë se kemi komoditet që të ndalemi vetëm në këto reformat që po ndodhin tani për tani. Ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe duke qenë proces i vazhdueshëm bëhet proces i besueshëm. Kur të jetë ky një proces i besueshëm edhe qytetarët do të kenë më të lehtë që të na zgjedhin si alternativë politike.

Nacionale: Z. Rukiqi, tani jemi në prag të dy-vjetrit të Qeverisë Kurti II. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qeverisje?
Rukiqi: Mendimet e mija për këtë qeverisje i kam dhënë edhe në kapacitete tjera që kam qenë. Ndërsa tash prej këndvështrimit politik mund të jap vlerësim, sidomos për atë fushën ku jam i thirrur. Pra, në pjesën e zhvillimit ekonomik, në pjesën e krijimit të vendeve të reja të punës, në pjesën e adresimit të sfidave ekonomike që i ka vendit, sidomos në këtë kalimin nga kriza ekonomike e pandemisë në këtë krizën ekonomike të inflacionit, kjo qeveria ka dështuar në çdo aspekt. Simbol i kësaj qeverie është ajo ora 3 metra në fshatin Saradran të komunës së Istogut.

Nacionale: Pritni që kjo qeveri të ndryshojë diçka në këtë pjesën e dytë të mandati?
Rukiqi: Nëse marrim parasysh atë fjalën e urtë “Dita e mirë shihet në mëngjes”, me këtë qeveri ajo nuk është parë as në mëngjes e as në mesditë. Kështu që, nuk pres që të ndryshojë diçka as në këtë pjesën e dytë. Pra, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh, sepse çdo projekt i madh që fillon merr kohë dhe deri me sot asnjë projekt i madh ekonomik nuk ka filluar dhe nuk po duket se do të fillon as në këtë vit.
Vitit tjetër është viti i fundit i kësaj qeverie dhe duke qenë vit i fundit i qeverisjes shndërrohet në një vit me ngarkesë elektorale. Kjo mos punë është një lajm i mirë për neve si opozitë, por është një lajm i keq për vendin. Pra, kjo qeveri nuk ka arritur deri me sot ta lënë një shenjë të rëndësishme në ekonomin e vendit.

Lajme të ngjashme