Intervistë | Hamza: Vendimi për të garuar për kryetar të PDK-së, çështje e të ardhmes - NACIONALE

Intervistë | Hamza: Vendimi për të garuar për kryetar të PDK-së, çështje e të ardhmes

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Nuk e ka pohuar e as mohuar mundësinë për të garuar për kryetar të PDK-së. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se kjo çështje i takon të ardhmes. Ai ka bërë me dije se gara për të parin e PDK-së do të jetë demokratike dhe mund të ketë më shumë se një kandidat.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, nuk e ka përjashtuar mundësinë për t`i hyrë garës për kryetar të PDK-së në zgjedhjet e brendshme, të cilat do të mbahet këtë vit.

Ai ka treguar se procesi do të jetë demokratik dhe gara mund të ketë më shumë se një kandidat.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hamza ka thënë se tani është i fokusuar në punën e tij si kryetar i Mitrovicës dhe nuk ka vendosur për ketë çështje.

Ai ka bërë me dije se vendimi për t`i hyrë garës për kryetar të PDK-së është çështje që i takon të ardhmes.

I par i Mitrovicës ka falënderuar të gjithë aktivistët e kësaj partia të cilët po kërkojnë që ai të jetë kandidat për kryetar të PDK-së.

Në këtë intervistë, Hamza ka folur edhe për dy-vjetorin e Qeverisë Kurti.

Zyrtari i lartë i PDK-së ka thënë se kjo Qeveria nuk ka prodhuar ndonjë rezultat pozitiv domethënës për Kosovës.

Sipas tij, dështimet e kësaj qeveria janë evidente në secilën fushë.

Nacionale: Në shkrime të shumta nëpër medie kemi parë kërkesa të aktivistëve të PDK-së që kanë kërkuar që ju të jeni në krye të partisë. Si e keni parë këtë mbështetje që e keni te aktivistët e PDK-së?
Hamza: Unë i falënderoj dhe shprehi mirënjohjen time deri në përulje për të gjithë ata. Jam pjesë e PDK-së që nga fillimi dhe gjithmonë e kam pasur mbështetjen e tyre dhe kam bërë përpjekje që të bëj maksimumin brenda kapaciteteve të mija në cilëndo pozitë që kam shërbyer.

Nacionale: Z. Hamza, komuna që drejtoni ju është prekur shumë nga vërshimet e fundit. A keni bërë ndonjë vlerësim të dëmeve, se sa është vlera e tyre?
Hamza: Komuna e Mitrovicës dhe disa komuna të tjera, këto ditë janë ballafaquar me vërshime të përmasave të mëdha. Fatmirësisht, nuk ka viktima por ka qenë situatë shumë serioze për t’a menaxhuar. Komuna e Mitrovicës, me të gjitha kapacitet i ka qëndruar afër qytetarëve, me vendosjen e qytetarëve të prekur nga vërshimet në objekte hoteliere, duke i’u ofruar ushqim, mjete higjienike, veshmbathje, batanije, dhe kujdes shëndetësor. Si kryetar komune, kam propozuar dhe kemi marrë vendim në Kuvendin Komunal për të ndarë shumën prej 500,000 euro për përkrahje të këtyre familjeve. Komisionet përkatëse për vlerësimin e dëmeve janë në përfundim të punës së tyre dhe vlerësohet që deri tani, demi të jetë rreth 9 milionë euro.

Nacionale: Sa besoni që Qeveria do të iu ndihmon në sanimin e këtyre dëmeve?
Hamza: Qeveria e Kosovës është dashur të veproj më shpejtë për shkak të seriozitetit të situatës. Deri tani nuk kemi pasur asnjë përkrahje financiare. Kapacitet dhe mundësitë ekzistojnë. Dua të besoj së do të kemi përkrahje dhe mbetet të shihet!

Nacionale: Cili është bashkëpunimi i juaj me qeverinë? A jeni i kënaqur me këtë bashkëpunim?
Hamza: Unë jam shumë i hapur dhe i përkushtuar për bashkëpunim institucional. E vlerësoj çdo formë të bashkëpunimit dhe komunikimit institucional, megjithatë mendoj që duhet të jetë në nivele më të larta dhe një dinamikë më të madhe.

Nacionale: Kosova po përballet me një krizë ekonomike. Çfarë vlerësimi keni për qasjen e Qeverisë ndaj kësaj krize. A ka mundur të bëhet më tepër?
Hamza: Kriza ekonomike është dashur të trajtohet me ndryshe sepse ekonomia e Kosovës po ballafaqohet nga kriza në krizë. Fillimit me pasojat nga Covid-19, ku për herë të parë në vitin 2020 është shënuar normë negative e rritjes ekonomike dhe ende pa i rikuperuar nga pasojat, ekonomia e Kosovës po përballet me normë të lartë të inflacionit i cili ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas vlerësimeve norma e rritjes ekonomike do të sillet rreth 3%, normë kjo e pamjaftueshme për t`i adresuar sfidat e ekonomisë së Kosovës, siç janë përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale, papunësia, deficiti i lartë tregtar dhe për më tepër ulja e nivelit te invesitimeve kapitale që aktualisht është 16% e totalit të buxhetit është një faktor që ndikon në rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Qeveria është dashur që përmes legjislacionit të krijojë kushte dhe lehtësira për bizneset, me qellim qe bizneset ta zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik, te zgjerojnë investimet, të rrisin punësimin dhe të rritet prodhimi i produkteve brenda ekonomisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës është dashur të lehtësoj qasjen në financa dhe të bëjë përkrahje përmes granteve.

Ligji i pagave, jo qe e përmirëson pozitën e të punësuarave, por për disa kategori që realizojnë pagat përmes buxhetit, e përkeqëson pozitën e tyre. Te gjithë përfituesit nga skema pensionale kanë përkeqësim të gjendjes së tyre socio-ekonomike si rezultat i inflacionit dhe nuk kemi rritje të pensioneve. Pagesat e njëhershme, janë për tu vlerësuar, por janë të paqëndrueshme dhe qytetarët kanë nevojë për parashikushmeri dhe qëndrueshmëri në financat e tyre.
Kemi ngecje në zhvillimin e projekteve kapitale çka ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Nacionale: Z. Hamza, ju më herët keni mbajtur pozita të rëndësishme publike. Cili është një vlerësim i juaj i përgjithshëm për Qeverinë Kurti?
Hamza: Edhe pse është proklamuar si prioritet i ulet nga Qeveria Kurti, pjesën më të madhe të kohës e ka marrë procesi i dialogut. I vetëdijshëm që nuk ka alternativë, dhe i vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij procesi, megjithatë për momentin nuk ka prodhuar ndonjë rezultat pozitiv domethënës për Kosovës. Në aspektin ekonomik ka vështirësi, në politikën e jashtme pa rezultate të prekshme, vështirësi të theksuara në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera. Nëse e shikojmë programin e qeverisë dhe premtimet e qeverisë dhe realizimin e këtyre premtimeve, del që kemi pasur një qeverisje jo efektive.

Nacionale: PDK-ja është partia kryesore opozitare, por jo rrallë kjo parti është kritikuar për mungesë të aktivitetit opozitar. Sa jeni i kënaqur me rolin e saj opozitar?
Hamza: Gjithmonë ka vend për më shumë, mirëpo vërehet së është një aktivitet më dinamik dhe opozita çdo ditë e më shumë po e bën punën e saj. Megjithatë, mendoj që si opozitë, përveç kritikave duhet te kemi edhe alternativa tjera konkrete. Jo që po mungojnë, por besoj që ka vend edhe për më tepër.

Nacionale: Kjo parti në këtë vit pritet t`i mbajë zgjedhjet e brendshme. A mund të presim që ju të jeni njeri nder kandidatët për kryetar të kësaj partie?
Hamza: Partia Demokratike e Kosovës, sapo ka përfunduar zgjedhjet për rininë. Në një proces demokratik është zgjedhur kryetarja e Rinise Demokratike, kandidate më shumë vlera dhe premtuese. Organet e partisë në kohen e duhur sigurisht do të marrin vendimin për caktimin e orarit të mbajtës së zgjedhjeve. Gara do të jetë e hapur dhe demokratike. Për momentin jam i fokusuar në punën time si kryetar i komunës së Mitrovicës dhe është e mundur që në garë të këtë një e më shumë kandidatë.

Nacionale: Në shkrime të shumta nëpër medie kemi parë kërkesa të aktivistëve të PDK-së që kanë kërkuar që ju të jeni në krye të partisë. Si e keni parë këtë mbështetje që e keni te aktivistët e PDK-së?
Hamza: Unë i falënderoj dhe shprehi mirënjohjen time deri në përulje për të gjithë ata. Jam pjesë e PDK-së që nga fillimi dhe gjithmonë e kam pasur mbështetjen e tyre dhe kam bërë përpjekje që të bëj maksimumin brenda kapaciteteve të mija në cilëndo pozitë që kam shërbyer.

Nacionale: Nëse strukturat e brendshme ua kërkojnë që të jeni kandidat për kryetar të PDK-së, a do ta pranoni këtë sfidë?
Hamza: Unë kam respekt për të gjitha strukturat e PDK-së, por vendimet merren në kohen e duhur, bazuar në rrethanat dhe kjo është çështje që i takon te ardhmes.

Lajme të ngjashme