Oda, Bon Vivanti dhe Bedri Hamza: Tri ‘grupe’ në luftë për të marrë në dorë PDK-në - NACIONALE

Oda, Bon Vivanti dhe Bedri Hamza: Tri ‘grupe’ në luftë për të marrë në dorë PDK-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën tri grupe po ‘luftojnë’ që të marrin në dorë lidershipin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) derisa zgjedhjet e brendshme po aviten e po aviten. Kush janë këto grupe dhe kush pritet të fitojë?

Rrjetet sociale të Internetit u mbushën javën e fundit me fotografi të Sami Lushtakut nëpër oda. Ai dukej në to bashkë me Fatmir Limajn, Adem Grabovcin dhe figura tjera të margjinalizuara të PDK-së së dikurshme që kanë lidhje të forta me luftën e UÇK-së.

Ata ndodheshin pranë sofrash, të ulur nëpër shilte, pranë pjatave të mbushura me mish dhe gotash të mbushura me verëra e raki.

Por, ajo që po kërkohej prej tyre (disa prej tyre) ishte më shumë se ndeja e përbashkët. Ata po kërkonin të kthenin kohën përmes ndërtimit të një ‘makine kohore’ që do t’i çonte në vitet e para të pasluftës, mundësisht vitin 2000.

E e gjithë kjo duket se nuk ka kaluar pa pasoja. Grupi tjetër brenda kësaj partie, ai që më vonë do ta quajmë Bon Vivant, duket se e ka përjetuar rëndë. Të flasim me rend!

Grupi Oda

Odat, kafeteritë dhe komunat duket se shpërfaqin edhe ndasitë mes tri grupeve që po mësyjnë ta dominojnë njëra-tjetrën në garën për lidershipin e PDK-së.

Po e quajmë grupin e parë, grupi ODA. Njeriu më i fuqishëm i këtij grupi është Sami Lushtaku, që pas vetes ka – natyrshëm – gati gjithë komunën e Skënderajt me rrethinë. Mes figurave të njohura e publike është – përsëri natyrshëm – i biri i tij deputet Mërgim Lushtaku, kryetari i komunës Fadil Nura, deputetja Ganimete Musliu e të tjerë.

Ky grupim joformal politik së fundi ka qenë i angazhuar në kërkesën për të pranuar në parti liderin e Nismës Fatmir Limajn. Për këtë arsye, odat u shndërruan në forume partiake dhe mesazhet politike që dilnin prej tyre ishin të forta. Madje, aty shihen bashkë e të gjysmëpërqafuar Fatmir Limaj me Adem Grabovcin – që raportohet se nuk kanë pasur raporte të mira për një kohë shumë të gjatë.

Elektoralisht, vlera e vetme e këtij grupi politik del të jetë Sami Lushtaku – i cili ia doli që në mënyrë sensacionale të mposhtte edhe Jasharajt në garën komunale. Por, Limaj në anën tjetër vazhdon të sillet rreth 2 për qind me partinë e tij në sondazhe dhe të ketë nën kontroll një komunë të vogël si Malisheva.

Përveç Limajt, aty ndodheshin edhe figura tjera të harxhuara politikisht si Shukri Buja, Isni Kilaj e Gani Koci. Se çka bënte Dardan Gashi, tash për tash, nuk e dimë. Por, vlera e tyre elektorale është krejtësisht minore ndërkohë që dëmi që mund ta bëjnë te votuesi i qendrës – që po shkëputet përditë nga lufta – do të ishte dërmues për këtë parti.

Sami Lushtaku me të tijët beson fuqishëm që kryeministri Albin Kurti është thellë thellë anti-UÇK, dhe që thellë-thellë bashkëpunon me Serbinë. Në bazë të kësaj bindjeje, ai e sheh opozitarizmin aktual të PDK-së si të zbehtë e të dëmshëm, ndërsa lidershipin aktual të PDK-së si “kullera” të pavyeshëm.

Edhe fotografitë nëpër oda duket të jenë mesazh ndaj lidershipit në fjalë, për të cilin do të flasim më poshtë.

Por, siç e thamë, përpjekja për kthimin e kohës me shumë gjasë do të dalë e pafrytshme përkundër zbulimeve të fundit nga shkencëtarët. Grupi i mbledhur në Oda nuk do ta krijojë makinën e kthimit të kohës mbrapsht, edhe nëse rrinë natë e ditë nëpër krejt odat e Kosovës.

Grupi “Bon Vivant”

Grupi aktual mban pushtetin në PDK. Por, nga kush përbëhet? Është fjala për kryetarin Memli Krasniqi, nënkryetaren Vlora Çitaku dhe për anëtarët Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Eliza Hoxha e të tjerë.

PDK-ja ka qenë në përpjekje të vazhdueshme përgjatë dhjetë viteve të fundit që të thyente stigmën e një partie të shtrirë vetëm në zona rurale. Zgjidhja? Merr nja dhjetë qytetarë. Por, meqë nuk mjaftoi thjesht të merrje qytetarë e aktivistë nga zona urbane, u desh që dalëngadalë ata të uleshin në karriget më të mëdha të pushtetit.

Kësisoji, erdhëm në situatën aktuale. PDK udhëhiqet nga grupi më minoritar i saj, që ka shkëputur lidhjet me fshatin... e qëmoti edhe me varfërinë.

Por, akuzat ndaj tyre aktualisht nuk kanë të bëjnë aq shumë me shkëputjen e lartpërmendur sa me opozitarizmin konkret ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ky grup duket se e kishte përbrendësuar stigmën e Kurtit ndaj PDK-së aq shumë sa iu desh të distancohej sa më shumë që mundej prej saj. Kjo u shpreh veçanërisht në fushatën e fundit, në të cilën Uran Ismaili garoi për të parin e Prishtinës duke e hedhur logon e partisë krejt në qoshe. Por, si duket ky distancim është bërë edhe më radikale. Nënkryetarja e Prishtinës nga PDK-ja, Donjeta Sahatçiu, është kritikuar shumë kohët e fundit për shkak se pëlqente postime të kampit kundërshtar dhe bënte postime në dukje mbështetëse për kryeministrin Kurti.

“Bon Vivant” është personi që i pëlqen të jetojë mirë e në luks sipas fjalorit të Oksfordit. Eh, pikërisht i tillë duket grupi në fjalë. Tepër i rehatuar nën pushtetin e Kurtit mbi krye.

Grupi “Komunat”

Le ta themi menjëherë se ky nuk është grup. Tamam grup. Personat në fjalë nuk rrinë vazhdimisht me njëri-tjetrin, megjithëse kanë të përbashkëta të qarta. Kreu i këtij grupi është... Bedri Hamza. Hamza, siç e mbani mend, e mposhti pa balotazh Agim Bahtirin e Vetëvendosjes për të parin e Mitrovicës.

Dhe, për dallim nga grupi i parë që po shoqërohet odave e nga grupi i dytë që shoqërohet nëpër kafeteritë luksoze të kryeqytetit, grupit të tretë i duhet të punojë.

Bedri Hamza – siç mëson Nacionalja – ka edhe mbështetje nga të paktën tre kryetarë tjerë komunash nga radhët e PDK-së për të qenë kryetari i kësaj partie. Nuk besohet që takohen bashkë me njëri-tjetrin, e që kanë një projekt të qartë për të shtyrë përpara, por duket që besojnë se... të jesh në opozitë nuk nënkupton të mos punosh asgjë.

Në një sondazh privat të bërë nga gazetari ynë Berat Buzhala së fundi, e ku votuan mbi 7400 profile për më pak se 24 orë, Bedri Hamza doli bindshëm më i votuar se kryetari aktual Memli Krasniqi përkundër që ky i fundit u ndihmua edhe nga shumë ‘vajza tajlandeze’ (profile të rreme).

Kjo, mes shumë e shumë gjërash tjera, duket se sqaron edhe se cili prej grupeve në të vërtetë gëzon popullaritet më të madh nëse votimi nuk bëhet në ndonjë odë apo kafeteri të izoluar.

Grupi Haga

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndodhen në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Por, duket që dyshja që po përballet me proces gjyqësor në kryeqytetin e drejtësisë ndërkombëtare nuk ka marrë anë në këtë luftë të brendshme partiake.

Thaçi e Veseli me gjasë duan të mbesin spektatorë në garën e brendshme partiake, megjithëse nuk dihet nëse ajo do të mbetet vazhdimisht nën kontroll dhe brenda rregullave demokratike.

Duhet kujtuar se njerëz nga të dyja grupte kanë qenë në Hagë për të vizituar dy ish-liderët partiakë, ndoshta duke shpresuar se do të merrnin edhe përkrahjen e tyre në këtë garë. Por, deri tash nuk ka pasur indikacione se një gjë e tillë ka ndodhur.

Lajme të ngjashme