Intervistë | Musliu: Në PDK po instalohet fryma e mungesës së transparencës - NACIONALE

Intervistë | Musliu: Në PDK po instalohet fryma e mungesës së transparencës

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar një grup të kolegëve të saj partiak për kultivimin e mungesës së transparencës në parti.

Ajo ka bërë me dije se ky grup i ngushtë po ndikon edhe në krijimin e frymës për përjashtim nga partie të një kategorie të caktuar të njerëzve.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Musliu ka thënë se një frymë e tillë nuk ka ekzistuar më herët.

Ajo ka deklaruar se nuk është kundër prurjeve të reja në parti, po kundër prurjeve që hezitojnë të identifikohen me PDK-në.

Deputetja e PDK-së është shprehur kritike edhe ndaj Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.

Sipas saj, disa panelistë të kësaj konvente nuk dinë asgjë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Musliu ka treguar se ka edhe pakënaqësi tjera në PDK-së, por është shprehur se kryetari Krasniqi do të arrijë të kalojë edhe këtë sfidë.

Në këtë intervistë, ajo ka folur edhe qeverinë Kurti.
Musliu ka vlerësuar se kjo qeveri është pasqyra më e keqe se si do duhej të qeverisej vendi.

Në raport me grevën, ajo ka thënë se Kurti duhet të ofroi zgjidhje ose të largohet nga posti i kryeministrit.

Nacionale: Znj. Musliu, ju nuk keni marrë pjesë në konventën e fundit të PDK-së. Madje, keni kritikuar këtë konventë. Pse ndodhi kjo?
Musliu: Besoj e kam bërë të qartë përmes sqarimit që e kam postuar në Facebook-un tim. Partia Demokratike, për një kohë të gjatë gjendet përballë një propagande të tmerrshme pa asnjë kriter dhe përtej kësaj pësoi një goditje të rëndë me arrestimin e ish liderëve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli përderisa gjendeshim para zgjedhjeve nacionale dhe lokale. Në gjithë këtë kaos, Partia Demokratike arriti të mbajë elektoratin e saj të cilët besojnë në ideologjinë dhe vizionin e partisë. Ne të gjithë mbështetëm fort lidershipin e ri të partisë, por me çdo ditë që kalon, në partinë tonë po instalohet fryma e mungesës së transparencës dhe e bashkëpunimit. Më e keqja është se po instalohet fryma e përjashtimit të një kategorie të caktuar, kjo si pasojë e zhvillimeve dhe e propagandës së cekur më lartë, por edhe si pasojë e interesave të një grupi të vogël brenda Partisë. Si anëtare e kësaj partie që nga fillimi kam kaluar të gjitha proceset që vetëkuptohen në një organizim të tillë. Kam punuar me orar të plotë për tetë vite pa asnjë pagesë për PDK-në, kam qenë Sekretare e Rinisë Demokratike në nivel vendi për dy mandate, kam qenë njëra nga asambleistet më të votuara në nivel vendi dhe jam deputete me pesë mandate. Të gjitha këto i kam arritur falë besimit që kam marrë nga votuesit e kësaj partie. Nëse sot, që jam deputete dhe jam kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, nuk e ngris zërin ndaj veprimeve destruktive brenda partisë, nëse sot nuk flas për shqetësimin e elektoratit të PDK-së, atëherë unë nuk e kam merituar këtë besim. Nuk dua të pres që të flas vetëm kur nuk kam më asnjë pozitë. Elektorati i partisë na ka bërë krenarë në tri palë zgjedhje, ua kemi borxh të ua kthejmë edhe ne atyre krenarinë që janë mbështetës të Partisë Demokratike.

Nacionale: Keni thënë se në këtë konventë janë favorizuar persona që nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja. Për kënd e keni pasur?
Musliu: Ka pasur disa persona në panelet e mbajtura që jo që dinë pak, por nuk dinë asgjë për partinë tonë dhe as që duan ta dinë. Për mirësjellje sot nuk dua ta ceki askënd me emër sepse nuk ishte faji i tyre. Ajo që mua më habitë është nxitja që me çdo kusht të arrihet një shkëputje nga bazamenti i Partisë Demokratike, nga një rrugë sa e vështirë po aq e suksesshme. Thirren në pruarje të tilla që duan t´i shfrytëzojnë strukturat e partisë, por nuk identifikohen me të njëjtën parti. Është krejt e thjeshtë, ai që nuk e gjen vetën në këtë PDK nuk ka nevojë të vij fare. Nuk mund të thirren në emër të reformës duke synuar tjetërsimin e partisë.

Nacionale: Gjithashtu keni thënë se disa individë po tentojnë ta kontrollojnë partinë dhe ta bëjnë pronë të tyre. Kush janë këta individë, a bëjnë pjesë këtu kryetari dh nënkryetarët?
Musliu: Është Kryesia aktuale e ashtuquajtur “Kryesia e ngushtë” çfarëdo që supozohet të jetë një kryesi e tillë. Nëse një kryesi ndahet në dysh, në atë të ngushtë dhe atë të gjerë, punët nuk do të shkojnë mirë. Nëse një kryesi nuk komunikon me organet e partisë, me deputetët e partisë, por vendimet e tyre mësohen nga media, atëherë ne deshëm apo jo do të hyjmë në rrugën e dështimit.

Nacionale: Jeni shprehur kundër reformave që po ndërmerr lidershipi i ri, duke thënë po shkatërrohet historia, tradita dhe identiteti i PDK-së. A mund të na tregoni me pak fjalë se si po ndodh kjo?
Musliu: Shumë e thjeshtë. Filluan me largimin e slloganit të PDK-së në fushatat e disave nga kandidatët për kryetarë komunash. Narracioni në raport me votuesit se ky, kjo, ai apo ajo, nuk po pritet mirë, se na duhen prurje për imazh apo se faktori i ish ushtarëve të UÇK-së po e demton këtë imazh, për mua që jam gjithmonë në terren nuk qëndrojnë, përkundrazi nuk po pritet mirë. Humbja e rolit kryesor opozitar, heshtja në raport me mbajtjen peng të udhëheqësve të luftës sonë në Hagë, ndërprerja e komunikimit të rregullt dhe i debatit në organet e partisë janë indikatorë të rëndësishëm për synimin e shkatërrimit të asaj që ne e njohim dhe e duam si PDK.

Nacionale: A keni tentuar që këto pakënaqësi t`i shprehni në struktura të partisë?
Musliu: Patjetër që po. Jo vetëm tani, por edhe më herët gjatë rrugës sime në PDK kam qenë zë shumë kritik. Për dallim nga tani, dikur respektohej kritika dhe debati. Sot këto dy elemente të një organizimi demokratik po e humbin rëndësinë çdo ditë e më shumë. Unë, ka kohë që isha para një dileme të madhe, sepse e dua Partinë Demokratike sikurse njeriu që e donë shtëpinë e vet, me të mirat dhe të këqijat që ka. Dilema ime ishte kjo: Çfarë të bëjë përballë këtyre zhvillimeve. Jam përpjekur të gjejë një vesh brenda strukturave me të vetmin qëllim, që mos t´i shqetësoj votuesit e PDK-së. Për fat të keq nuk e kam gjetur përderisa në çdo takim me votuesit e mi jam përballur me pyetjen se çfarë jemi duke bërë dhe se ata nuk më kanë besuar për të heshtur pafund. Dua të shpresoj që Kryetari Krasniqi, ta merr me seriozitet pakënaqësinë në rritje të elektoratit tonë, sepse ende besoj që ai ka kapacitet njerëzor, intelektual dhe politik për ta bërë kthesën e duhur për Partinë Demokratike.

Nacionale: Se fundi, kemi parë se z. Buja ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e partisë. A ka edhe zyrtarë tjetër të PDK-së që mendojnë si ju dhe janë të pakënaqur?
Musliu: Po, z. Buja ka dhënë dorëheqje nga Kryesia, por jo nga PDK-ja. Motivet e tij ishin pikërisht mungesa e transparencës dhe e komunikimit. Sa i përket pakënaqësive, e them hapur se po, ka pakënaqësi megjithëse ne ende shpresojmë që kryetari Krasniqi, do të arrijë të kalojë çdo sfidë dhe bashkë me ne do ta rikthejmë Partinë Demokratike aty ku e ka vendin, në krye të shtetit.

Nacionale: Kemi parë një kundërpërgjigje ndaj jush që e ka bërë znj. Citaku, duke thënë se partia do të hapet. Si e keni parë reagimin e saj?
Musliu: Nuk e kam marrë si kundërpërgjigje sepse çdo parti siguron vazhdimësinë e saj përmes hapjes dhe rekrutimeve të reja. Në këtë pikë Zonja Çitaku, unë dhe të gjithë në PDK kemi konsensus të plotë. Asnjëherë nuk kam qenë kundër prurjeve, përkundrazi çdo të ardhuri i kam ofruar bashkëpunim të plotë në të mirë të Partisë.
Nëse unë jam kundër atyre që të NE vijnë për të përfituar vet duke e injoruar çdo gjë që me të cilën identifikohemi si PDK dhe në qoftë se unë jam kundër privilegjeve pa kriter dhe pa përmbajtje, kjo nuk do të thotë që unë “për se” jam kundër prurjeve. Dhe nuk lejoj që të cilësohem si e tillë nga askush.

Nacionale: Çka mendoni se duhet të bëj partia që ta rikthej elektoratin e saj, sepse siç e kemi parë sondazhet PDK-në po e nxjerrin si parti të tretë?
Musliu: Partia Demokratike duhet ta intensifikojë komunikimin me qytetarët dhe t´i marrë seriozisht shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Sondazhet e fundit janë shqetësuese sepse partinë e nxjerrin në vend të tretë kurse kryetarin në vendin e katërt. Edhe pse sondazhet tregojnë këto rezultate ne mund të rikthejmë një frymë përkrahjeje dhe të përmirësojmë këto rezultate. E thashë edhe më lartë PDK ka kapacitete të shumta brenda saj jo vetëm për të përmirësuar rezultatet e sondazheve, por për ta rikthyer pushtetin si partia e parë në vend. Për këtë duhet një reflektim i sinqertë i lidershipit aktual. Kam punuar me Memli Krasniqin në Rini Demokratike dhe e di që ai mundet dhe do duhej të kishte një vlerësim shumë më të mirë se sa tregojnë sondazhet e fundit.

Nacionale: Znj. Musliu, Qeveria Kurti ka mbush një vit e gjysmë në pushtet. Cili është vlerësimi i juaj për punën e deritashme të qeverisë?
Musliu: Kjo qeveri është pasqyra më e keqe se si do duhej të qeverisej ky vend. Për një vit e gjysmë ne u bëmë spektator të një demagogu të paaftë për të menaxhuar as edhe një problem si duhet. Shpresoj që populli i Kosovës e ka kuptuar se me fjalë nuk u rregullohet mirëqenia dhe se në zgjedhjet e ardhshme do ia japim përgjigjen e duhur. Albin Kurti dhe kabineti i tij i paaftë, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë punë as sa për të thënë, por po shkatërrojnë Kosovën çdo ditë e më shumë.

Nacionale: Po bëhet një muaj që greva në arsim po vazhdon, ndërsa qeveria nuk po tregon ndonjë angazhim në ndërprerjen e grevës. Çfarë do të thotë kjo për qeverinë?
Musliu: Kjo qeveri është arrogante dhe e rrezikshme sepse po nxitin trazira qytetare në një kohë kur e tërë bota është në lëkundje. Është e papërgjegjshme që qindra mijëra nxënës sot nuk e vijojnë mësimin dhe Kryeministri bashkë me Ministrin, i cili grevistët i penalizon me mosdhënien e pagës udhëtojnë për në Japoni. Greva është e drejtë e qytetarëve dhe Kryeministri i vendit e ka obligim që të ofrojë zgjedhjen e duhur për të dalë nga greva. Çdo veprim tjetër është veprim që na dërgon drejtë një diktature të pushtetit.

Nacionale: Se fundi, kryeministri Kurti, sindikalistët i ka akuzuar si bashkëpunëtorë të opozitës, duke thënë se iu ka ngelur ora të PAN-i. Si e ke parë këtë akuzë të kryeministrit?
Musliu: Albin Kurti ka harruar qëndrimin e tij kur organizoheshin grevat e dikush tjetër ishte në krye të qeverisë. Grevistët nuk janë as me PAN-in as me VV-në dhe as me LDK-në. Ata janë organizatë e pavarur dhe përfaqësojnë interesat e anëtarësisë së tyre. Është e dhimbshme se si ky Albin Kurti që popullit i premtonte mirëqenie e prosperitet sot të mbahet në pushtet duke akuzuar të tjerët. Si duket ka besuar se gjithçka është kryer dhe ai do të qeveriste vetëm duke treguar përrallat e tij përmes Facebook-ut. Në raport me grevën, unë i bashkëngjitëm thirrjes së Ramush Haradinajt: Kryeministër ofro zgjidhje ose jep dorëheqje!

Lajme të ngjashme