Frika me protestu kundër Kurtit - NACIONALE

Frika me protestu kundër Kurtit

16 orë më parë

nga NACIONALE

Nuk ka hajr prej një proteste që bohet me gjysë zemre.

Nuk ka hajr prej një proteste ku protestuesit nuk e dinë kundër kujt po protestojnë.

Nuk ka hajr prej një proteste politikisht korrekte, ku gjithkush osht i mirëseardhun.

Veç në kishë edhe në xhami dyert hapen për secilin.

Një protestë duhet me pasë një kauzë. Duhet me pasë një adresë. Duhet me pasë dikë që e zemëron dhe dikë që tutet prej saj.

Përndryshe, çka është?

George Orwellit i atribuohet ideja se nëse një shkrim i botuar nuk e zemëron as edhe një njeri, atëherë ai nuk është shkrim, është marketing.

Po çka kish thanë Orwelli për një protestë që nuk e zemëron askënd?

Kish thanë: ajo nuk është protestë.

Është festë.

Festë për çka?

Çka kish thanë për një protestë ku organizatori i zgjedh me konkurs ata që kanë me folë, duke u mundu që secili prej tyre me qenë sa ma i padëmshëm, sa ma neutral, sa ma i pranueshëm?

Si ata që shesin akullore.

Me i dashtë secili.

Organizatori duhet me ia bo vetes një pyetje shumë të thjeshtë:

Çka jemi tuj dashtë me bo, që po i nxjerrim njerëzit çdo mbramje në rrugë?

Me i bindë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin se populli po i don?

Ata këtë e dinë.

Me tregu që organizatorët po bojnë diçka?

Mirë.

Po çka?

Prej 17 shtatorit, Qeveria po i ngreh për hunde.

Në fund e nxori një deklaratë, efekti i së cilës ishte sikurse efekti i ujit të bekum:

as nuk të bon hajr, as nuk të bon sherr.

Nëse deri tash nuk e keni gjetë kauzën e protestës, atëherë naleni.

Ose lëshojeni sheshin.

Sepse nuk ka kuptim me i nxjerrë njerëzit natë për natë në rrugë vetëm për me dëshmu që protestë ka.

Djem, nuk e keni seriozisht.

Në momentin që filloni me kalkulu se kujt mundeni me ia prishë qejfin, kë duhet mos me e përmendë, cilin emër duhet me e kursy dhe cila fjali mundet me tingëllu tepër politike, atëherë ajo nuk është ma protestë.

Është event.

Mundeni me i nxjerrë 100 mijë veta në rrugë.

Ama për çka?

Çka arrini me ta?

Albin Kurti ka arritë me e justifiku veten edhe kur ka dalë në rrugë kundër proceseve politike që çonin drejt pavarësisë së Kosovës.

E ju hala po ndiheni si në marre para Albin Kurtit.

Dy ditë para vendimit, Kurti tha që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli duhet me kërku falje për votën e tyre për Gjykatën Speciale.

Pra ai nuk ka problem me e thanë qartë çka mendon.

E ju?

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kanë tregtu trupin e tyre me atë që e kanë besu se është një e ardhme ma e mirë për Kosovën.

Mundesh me u pajtu ose jo me vendimin e tyre.

Por ata e kanë marrë një vendim.

Kurse sot, organizatorët e protestës tuten me ia përmendë emrin Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës kur flasin për përgjegjësinë politike për qëndrimin ndaj ndryshimeve të ligjit.

I kanë disa mijëra veta në shesh.

Njerëz që kanë dalë aty sepse presin që dikush me i drejtu.

Që dikush me ua kallxu se pse janë aty.

Që dikush me e artikulu zemërimin e tyre.

E çka bojnë organizatorët?

E nxjerrin në foltore dikë që këndon.

Ose dikë që flet rrumullak.

Del Donika Gërvalla dhe thotë:

“Katër të akuzuar, katër të dënuar.”

Dhe në protestë askush nuk guxon as me ia përmendë emrin.

Atëherë, çfarë proteste është kjo?

Nëse protestoni kundër një padrejtësie, duhet me tregu kush po e prodhon atë padrejtësi.

Nëse kërkoni ndryshim të një ligji, duhet me tregu kush po e pengon atë ndryshim.

Nëse mendoni që Qeveria po gabon, atëherë thujeni:

Qeveria po gabon.

Nëse mendoni që Albin Kurti po gabon, thujeni:

Albin Kurti po gabon.

Nëse mendoni që Donika Gërvalla po gabon, thujeni:

Donika Gërvalla po gabon.

Kaq.

Protesta nuk është konkurs bukurie.

Nuk është konferencë për pajtim kombëtar.

Nuk është koncert.

Dhe nuk është vend ku duhet me u ndi mirë secili.

Një protestë që nuk e shqetëson pushtetin është protestë që i konvenon pushtetit.

Prandaj, vendosni.

Ose thirrni protestë të vërtetë.

Me kauzë.

Me kërkesë.

Me adresë.

Me emra.

Ose lëshojeni sheshin.

Sepse njerëzit që dalin çdo natë aty meritojnë me ditë për çka kanë dalë.

Dhe, mbi të gjitha, meritojnë organizatorë që nuk tuten prej Albin Kurtit.

Lajme të ngjashme