Konventa 50/50 e PDK-së nervozon Ganimete Musliun: Në emër të reformave, po shkatërrohet historia - NACIONALE

Konventa 50/50 e PDK-së nervozon Ganimete Musliun: Në emër të reformave, po shkatërrohet historia

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës sot ka zyrtarizuar vendimin për përfaqësim gjinor të barabartë, në një konventë ku parulla kryesore ishte “50/50”. Patetike, i është dukur kjo një prej deputeteve më të zëshme të partisë, Ganimete Musliu, e cila në një shkrim të gjatë ka shprehur pakënaqësinë e saj.

Musliu përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se nuk ishte pjesëmarrëse në këtë konventë.

“Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut”, tha ajo.

Musliu ka folur edhe për reformat në parti, duke thënë se në emër të tyre, po shkatërrohet historia, tradita e identiteti i partisë.

“Nuk mund të ia lejoj vetës të heshti kur jam dëshmitare se çdo ditë, në emër të reformave po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor. Reformat janë të mirëpritura, por nuk reformohet një parti duke mohuar vlerat mbi të cilat u themelua, vlerat mbi të cilat e qeverisi dhe e rindërtoi vendin. Çdo Parti duhet të hapet dhe të bëhët shtëpi ku gjeneratat e reja do të angazhohen, por pa e mohuar kontributin dydekadësh të aktivistëve dhe kuadrove të cilët ishin mburrja dhe krenaria e Partisë dhe e Kosovës

Reformimi bëhët gradualisht, duke diskutuar hapur dhe sinqertë në organet drejtuese të Partisë dhe duke zhvilluar strategjitë më të mira, duke respektuar meritokracinë dhe duke respektuar dinjitetin e kuadrove poseduese. Por po ndodhë e kundërta. Partia Demokratike, nga një parti e vlerave kombëtare dhe shtendërtuese po shëndërrohet një një „Parti-Pronë“ e një grupi të vogël interesi i cili me çdo verim synon ikjen nga identiteti i saj. Nuk e shoh të arsyeshe të bëhëm numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhën ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkelqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”, tha mes tjerash deputetja e PDK-së.

Ajo tutje ka përmendur edhe sondazhet, duke thënë se nuk është aspak mirë që PDK del në vend të tretë.

“Sondazhet e fundit janë matës serioz për neglizhencën e Organeve të PDK-së. Sot sondazhet na nxjerrin në vendin e tretë dhe po vazhduam kështu nuk dua as të mendoj se ku do të përfundojmë në zgjedhjet e ardhëshme. E kemi provuar me heshtje duke kërkuar debat të brendshëm, por Kryesia aktuale e PDK-së (Kryesia e ngushtë sepse e gjëra është në terr informativ) ka injoruar çdo përpjekje duke u vetëknaqur në „lavdinë“ e tyre momentale. Elektorati i PDK-së, ka mbetur vetëm dhe pa një vizion të qartë të Partisë, prandaj për hir të atyre qindra mijëra votuesve dhe mbështetësve të vërtetë të PDK-së, nuk mund ta marr përgjegjësinë e heshtjes. Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Dmeokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Bashkë me ta do të qendroj fuqishëm në PDK, por kurrë më nuk do të hesht para veprimeve destruktive dhe të dëmshme për Partinë dhe për Kosovën. Nëse debati i hapur dhe i sinqertë dhe kritika konstruktive do të më penolizojnë mua personalisht mbetet të shihet; Por do të ngushëllohem nëse në të ardhmen Gratë dhe Vajzat do të marrin guxim dhe do të ngrisin zërin e tyre për përmbajtje dhe për barazi të vërtetë”, ka thënë ajo.

Në fund të reagimit të saj, Musliu ka thënë se nëse kritikat konstruktive, si kjo që e publikoi në Facebook, e penalizojnë, mbetet të shihet.

“Por do të ngushëllohem nëse në të ardhmen Gratë dhe Vajzat do të marrin guxim dhe do të ngrisin zërin e tyre për përmbajtje dhe për barazi të vërtetë”, ka thënë ajo.

50/50

Partia Demokratike e Kosovës e prezantoi sot këtë si formulë të re për drejtimin e partisë. Kryetari Memli Krasniqi tha se në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, do të propozojë ndryshimet statutore që të mundësohet zbatimi i këtij vendimi, që synon udhëheqje të barabartë mes burrave dhe grave.

“Mes tjerash, do ta bëjmë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit tonë, të kenë ndarje të barabartë të pozicioneve udhëheqëse, pra 50/50, duke përfshirë pozitat e Kryetarëve, Nënkryetarëve dhe Sekretarëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në lidhje me vendimin e ri të partisë më të madhe opozitare, për Nacionalen foli edhe aktivistja Zana Avdiu, e cila tha se po vendoset një standard i ri në politikën kosovare.

“PDK vendos standard të ri për partitë politike në Kosovë. Ajo bëhet partia e parë që ngritë kuotën gjinore në 50 për qind në secilën pozitë vendimmarrëse në parti. Një shembull për t'u ndjekur nga të gjitha partitë tjera. Duhet t'i japim fund një herë e përgjithmonë idesë se politika është sport i burrave agresivë dhe i bibave autoritare, që të zëne në garë për të dominuar e nënshtruar njeri-tjetrin, lenë pas dore gjithë shoqërinë. Ky koncept i politikës është i dëmshëm, i pamoralshëm dhe në thelb anti-politik. Prandaj, sa më parë lirohemi nga ky koncept, aq më mirë”, tha ajo.

Tutje, Avdiu i tha Nacionales se kuotat gjinroe janë të nevojshme në shoqëri, si kjo në Kosovë.

“Kuota gjinore me një shoqni si kjo e jona është e domosdoshme, dhe, e keni pa që deri tani, asnjë grua nuk ka qenë më shumë sesa ai 30% i paraparë me ligj, sepse nuk e kanë konsideruar të rëndësishme përfshirjen e grave”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, për këtë vendim të PDK-së, disa fjalë në Facebook i pati edhe analisti Valon Syla.

Syla ka përshëndetur vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për përfaqësim në parti me formulën 50/50.

Syla analizës së tij i ka shtuar edhe një pjesë komike, duke thënë se koha kur gratë e linin pasulin në plloqë, në 2sh, në mënyrë që pas fjalimit në kuvend, ta vazhdojnë zierjen e tij, duhet të përfundojë.

Tutje ai ka shtuar se gjithmonë ka qenë kundër forumeve të ndara, siq janë ai i gruas e i rinisë, sipas Syles, në botën modern nuk ka vend për këso strukturash.

“Por këto sisteme lypin njerëz të fortë, dhe ata njerëz duhet të jenë të gatshëm dhe proaktiv ta nxjerrin shoqërinë edhe politikën me një fazë tjetër duke u angazhuar vet, por pak ma shumë. Dhe kjo do të merr kohë deri sa të gjithë e kuptojnë se gjysma tjetër botës, që janë gratë, janë shumë të rëndësishme për tregun e punës, zhillimin e shoqërisë, shkencën dhe duke shërbyer vetëm nëpër shtëpitë e tyre, që nuk është send i vogël, potencialisht ne humbin nga mos angazhimi i gjysmës tjetër të popullatës që do të duhej ti shërbenin të gjithë sistemit aq dhe barabartësisht me burrat. As ma shumë as ma pak, por me meritë dhe aftësi”, ka thënë mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme