"Opop-zita*: Pse LDK e PDK kaq të lodhtë ndaj Kurtit? - NACIONALE

"Opop-zita*: Pse LDK e PDK kaq të lodhtë ndaj Kurtit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Azem D E L I U

Do ta nisim këtë artikull, siç mund të pritet, prej 14 shkurtit. Dita e të dashuruarve, solli një dashuri të re politike ndërmjet kryeministrit të sotëm dhe presidentes së sotme, të kurorëzuar me votë masive popullore. Ngaqë kjo e fundit vinte nga “brezi i ri” i LDK-së, kjo parti, bashkë me PDK-në e AAK-në, u gjetën në një sandwich të padëshirueshëm. Cili do të ishte funksioni i ri i tyre? Tani, jo vetëm në opozitë, por edhe të pafuqishëm për gjithçka, ata do të portretoheshin si fajtorë për gjithçka. Edhe dështimet e mëpastajme të qeverisë, do t’u faturoheshin atyre si “ngecje të sistemit të ndërtuar keq për 20 vjet”. Ky artikull, fokusohet në dy forcat kryesore opozitare, PDK-në dhe LDK-në.

Flitet gjerësisht për një takim mes Nikita Hrushovit dhe punëtorëve në Bashkimin Sovjetik, në të cilin lideri komunist shpjegonte planet e reja dhe, për çudi në fund, pasi askush nuk e kundërshton, detyrohet të shtrojë pyetjen: Po ju, shokë, a nuk keni mendim?
Ne kemi mendim, - i përgjigjen ata – shoku Hrushov. Por, ne nuk pajtohemi me mendimin tonë, pajtohemi me ju.

Të shantazhuar e të diskredituar siç edhe mund të pritej, opozitarët filluan të kalkulonin se kur duhet të kishin mendim, e kur duhej të mos pajtoheshin me veten, por të pajtoheshin me Kurtin, për të mos i dalë kundër “vullnetit të popullit” dhe për “t’u bashkuar për të mirën e përgjithshme”.

Dhe skena e parë e kësaj përballjeje erdhi me “reformat” e partive opozitare. Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi u bënë kryetarë të dy partive të mëdha opozitare, LDK-së dhe PDK-së.

Jam i bindur, e mund edhe të jem gabim, që po t’i kërkohej Albin Kurtit të zgjidhte dy figura që do të bëheshin kundërshtarët e tij politikë, ai do t’i zgjidhte pikërisht këta të dy.

Opozita e LDK-së: “m’i jep zot dy palë sy ta shoh”

Me siguri të gjithëve ju kujtohet shprehja e famshme popullore “m’i jep zot dy palë sy ta shoh”. E menduar për ta përshkruar “nusen ideale” të patriarkatit, shprehja nënkupton një njeri që vullnetarisht heq dorë nga identiteti i vet, për t’iu përshtatur atij të burrit: nuk flet, nuk kundërshton, i bën detyrat e shtëpisë dhe është gjithmonë aty për t’ia mundësuar pushtetit (lexo: burrit) ta realizojë agjendën e vet.

Qëndrimi në seancë për votimin e “Presidentes së konsensusit”, që nuk ishte fare e tillë, e vulosi që në start natyrën opozitare të kësaj partie. Të dërmuar nga rezultatet e zgjedhjeve e të frikësuar nga kërcënimi për zgjedhje të reja që Kurti po ua mbante mbi kokë, ata u bënë “bashkë për të mirën e Kosovës” dhe ia mundësuan Vjosa Osmanit zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës. A ishte ky kalkulim për të fituar votat e larguara me të, apo frikë për të pësuar më keq në një skenar të zgjedhjeve të reja, kjo nuk dihet. Ajo që dihet është se, edhe e lodhur, edhe e shantazhuar, opozita e LDK-së është tipike për shprehjen e përdorur në këtë nëntitull.

Opozita e PDK-së: Sa t’ia jep syni i pranverës.

PDK-ja, për dallim prej LDK-së, është në opozitë që nga 3 shkuri i vitit 2020. Ata paralajmëronin vazhdimisht krijimin e një organizmi opozitar të njohur si “qeveria nën hije”, por arsyetimet për mosfinalizimin e këtij projekti shkuan deri në banalitete të tilla si infektimi me Covid i kryetarit Krasniqi.
E tillë siç është, asaj i përgjigjet një tjetër shprehje popullore. “Sa t’ia jep syni i pranverës” është shprehje që shënjon plane të së ardhmes të cilat, ashtu të vagullta e jospecifike, mund edhe të mos bëhen kurrë.

E dyta, komandantët e fuqishëm. Figura krejt të diskredituara dhe që, ndonjëherë me e ndonjëherë pa të drejtë, nuk e kanë as çerekun e respektit publik që e kanë gëzuar dikur, u sulmuan nga të gjitha anët për mënyrën sesi ishte qeverisur vendi. Megjithatë, PDK-ja gati se refuzonte të fliste për ta, duke e krijuar përshtypjen se “as ata vetë nuk i duan brenda partisë, po s’kanë çka bëjnë”.

Ndaj figurave të tilla si Sami Lushtaku, Xhavit Haliti, e plot të tjerë, ka vetëm dy rrugë: ose duhen hequr krejtësisht nga partia, ose duhet, siç thonë anglezët, partia t’i “own up”. Pra, të mos lejojë të turpërohet asnjëherë për veprimtarinë e këtyre njerëzve, përkundrazi, ta kundërshtojë fuqishëm narracionin e ndërtuar për ta dhe t’iu jap hapësirën që e meritojnë, nëse partia mendon që e meritojnë. Por, nuk mund të mbahen varur. Ose i mbani sepse e meritojnë, ose i largoni sepse e meritojnë. Ata nuk mund të jenë “gjysmë-anëtarë”.

Përndryshe, kjo sjellje e largimit pa i larguar, është veprim nën optikën e kryeministrit dhe bën që, duke u ndjerë vazhdimisht inferiorë për këtë veprimtari politike, opozitarizmi i PDK-së të fillojë “sa t’ia jep syni i pranverës”.

Çka nëse shantazhi nuk do të ekzistonte?

Po, ka mundësi që opozita e sotme është e shantazhuar, qoftë edhe padrejtësisht, nga pushteti i madh deri në dhimbje në kuptimin e numrave. Megjithatë, edhe po të mos ishte kështu, vështirë të besohet se do të bëhej gjë e hajrit me opozitën në Kosovë. Reagimet janë kuturu, organizimi është minimal e çakordimi është pjesë e fatalitetit të tyre politik. Ndonëse herë pas here shfaqen feksje të lehta të ideve, ato mbyten që në embrion sepse, para guximit për të vepruar, mungon edhe guximi për të menduar në mënyrë jopopullore.

Lumir Abdixhiku i hoqi nga partia elementët “e padëshirueshëm për popullin” (lexo: për Kurtin) e Memli Krasniqi po i mban si “gjysmë-anëtarë” këta elementë. Kjo na e sjell një skenar të dhimbshëm ku, nëse Albin Kurti nuk është kryeministri i duhur, kaosi i radhës është “Kush është i ardhshmi?”.

Pra, sa t’ia jep syni i pranverës, do të shohim me dy palë sy. Por, opozita mungon dhe pushteti e shtrin veten aq sa i duhet e ku i duhet, prandaj nuk e di saktë çfarë do të mund të shohim.

Pranvera është larg.

*Opop-zita - term i zgjedhur për të shënjuar zhargonin e të rinjve me kthimin e fjalës ''Po" mbrapshtë.

Lajme të ngjashme