Intervistë| Lekaj: Gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti kemi parë vetëm regres dhe dështime - NACIONALE

Intervistë| Lekaj: Gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti kemi parë vetëm regres dhe dështime

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, dëshiron që Qeveria Kurti t`i shkojë mandatit deri në fund. Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë kryeministri Albin Kurti nuk mund të viktimizohet siç ka ndodhur në të kaluarën. Duke komentuar dy vitet e para të kësaj qeverie, ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur vetëm dështime.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, nuk është fare i kënaqur me Qeverinë Kurti.

Ai ka thënë se në dy vitet e para të kësaj ka pasur vetëm regres dhe dështime.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lekaj ka vlerësuar se kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Ai ka bërë me dije se kjo qeveria duhet çoi mandati deri në fund dhe te jep llogari për dështimet e saj.

Sipas tij, qeveria Kurti shpresën e qytetarëve e ka shndërruar në zhgënjim.

Në këtë intervistë, Lekaj ka folur edhe për festimet e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se liderët institucionalë duhet t`i respektojnë ish-krerët e UÇK-së, të cilët gjenden në Hagë.

Sipas tij, injorimi i tyre nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti është tentim për të ndryshuar historinë.

Nacionale: Z. Lekaj, Kosova ka shënuar dje 15-vjetoirn e pavarësisë. Si e ka gjetur Kosovën ky përvjetor?
Lekaj: Sigurisht se që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka arritur progres të madh si në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Sot, Kosova është shumë më mirë se sa që ka qenë para shpalljes së pavarësisë. Sot, Kosova është faktor stabiliteti dhe ka arritur suksese të dukshme në të gjitha sferat. Sigurisht se gjendja e tanishme nuk është e kënaqshme, pasi po përballemi me shumë sfida të cilat duhet tejkaluar.

Nacionale: Në adresimet e tyre liderët institucionalë përsëri nuk përmenden ish-krerët e UÇK-së të cilët gjend në Hagë. Si e keni parë këtë qëndrim të tyre?
Lekaj: Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, ka ndodhur edhe vitin e kaluar kjo qasje e pushtetarëve pikërisht ndaj njerëzve të cilët janë kyç në luftën për liri dhe në shpalljen e pavarësisë. Kushdo që tenton ta njollosë apo ta ndryshojë historinë e re të Republikës së Kosovës, duhet ta ketë të qartë që ajo nuk rishkruhet.

Nacionale: Ky ishte përvjetori i dytë, që ata nuk ia përmendin as emrin Hashim Thaçit, kryeministri që ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë. A mund të konsiderohet kjo si tentim për ndryshim të historisë nga ana e këtij pushteti?
Lekaj: Pavarësisht dallimeve partiake që mund t'i kemi, respekti për secilin personalitet për kontributin në shtetbërje nuk guxon të mohohet. Edhe sikur të tentohet që të ndryshohet historia nga pushteti, populli e din se kush janë njerëzit që kanë qenë prijës si në përpjekjet për liri por edhe në shtetkrijim. UÇK-ja është arritja më e madhe e popullit tonë. Lufta e saj e lavdishme dhe prijësit e saj, meritojnë mirënjohje të përjetshme dhe vlerësim edhe nga krerët e tanishëm shtetëror, pavarësisht inateve politike që mund t'i kenë.

Nacionale: Në prag të këtij përvjetori, kryeministri Kurti i ka thënë “po” në parim planit franko-gjerman. Cili është vlerësimi i juaj për ndryshimin e qëndrimit të Kurtit për dialogun?
Lekaj: Ne i kemi paraprirë me mbështetje këtij plani. Konsiderojmë që ky plan është një hap i mirë dhe i nevojshëm për të kaluar mosmarrëveshjet me Serbinë dhe për të arritur deri te marrëveshja finale, që në qendër ka njohjen reciproke. Ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit për dialogun nuk është më befasi, pasi që nga ardhja në pushtet ka shkelur gjitha premtimet për të cilat e kanë votuar qytetarët.

Nacionale: Ndryshe nga dy partitë tjera opozitare, AAK-ja ka mbështetur kryeministrin në këtë drejtim, duke kërkuar pranimin e planit të BE-së. Pse po e mbështet AAK-ja?
Lekaj: Ta kemi të qartë, AAK nuk e mbështet Kurtin, por e mbështet Qeverinë e Kosovës në përballje me Serbinë. Për ne është e nevojshme që pavarësisht dallimeve që mund të kemi, përballë Serbisë duhet t'i lëmë inatet politike. E mbështesim këtë plan pasi në këtë plan është garant edhe ShBA, si aleat kyç i yni, andaj sa herë kemi pasur garancë nga Amerika kurrë Kosova nuk ka dalur humbëse.

Nacionale: Z. Lekaj, tani jemi në dy vjetorin e Qeverisë Kurti. Çfarë vlerësimi keni për punën e kësaj qeverie?
Lekaj: Kemi 2 vite regres, dy vite dështime të njëpasnjëshme. Ekonomia është në kolaps, e qytetari çdo ditë më i varfër. Jo rastësisht e kam quajtur edhe më herët si qeveria më e dobët që nga paslufta.

Nacionale: Me këtë ritëm të punëve, besoni që kjo qeveri do t`i shkoj deri në fundit mandati të saj?
Lekaj: Dua të besoj që kjo qeveri do të arrij ta përfundojë mandatin e saj të plotë, të japë llogari për gjitha premtimet e saj megalomane për të cilat qytetarët kanë shpresuar. Po e shohim çdo ditë se gjithë ajo shpresë është shndërruar në zhgënjim, andaj konsideroj që është e nevojshme që kjo qeveri t'i shkojë mandatit deri në fund që të mos ketë mundësi për t'u viktimizuar siç ka ndodhur në të kaluarën për të mbuluar dështimet e tyre qeverisëse.

Lajme të ngjashme