Intervistë | Humolli: Qeveria Kurti po nxitë urrejtje dhe mosbesim te qytetarët
Fatmir Humolli nuk është i kënaqur me punën e Qeverisë Kurti. Deputeti i VV-së ka thënë se kjo qeveri përmes disa hapave po nxitë urrejtje dhe mosbesim te qytetarët e Kosovës. Ai është shprehur skeptik edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Deputeti i VV-së, Fatmir Humolli, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në disa fusha.
Ai ka bërë me dije se në aspektin e brendshëm Qeveria Kurti ka bërë disa hapa të gabuar.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Humolli ka thënë se këta hapa kanë nxitur urrejtje dhe mosbesim tek qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, qeveria ka armiqësuar veteranët e luftës, ka ulur gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së dhe policëve që të jenë në nivel të detyrës, dhe kanë krijuar armiqësi në mes të mësimdhënëseve dhe mjekëve.
Humolli ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë dhe kushtet e kryeministrit Albin Kurti për formimin e Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se duhet të refuzohet çdo asociacion që nuk është në interes të Republikës së Kosovës.
Deputeti i VV-së ka vlerësuar se ndërmjetësit nuk po e trajtojnë Kosovën si palë të barabartë në procesin e dialogut.
Nacionale: Z. Humolli, kryeministri Kurti para deputetëve e pranoi se Asociacioni mund të formohet me disa kushte. A u befasuat me këtë ndryshim të qëndrimit të kryeministrit? Cili është vlerësimi i juaj për qëndrimin e ri të z. Kurti për këtë temë?
Humolli: Fillimisht, dua ta bëjë të qartë që Kurti është kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe çdo dështim apo sukses i tij është edhe dështim apo sukses i deputetëve të cilët kanë për detyrë ta mbikëqyrin punën e tij dhe rrjedhimisht edhe i të gjithë qytetarëve. Thënë këtë, do të doja që intervista në vazhdim (ashtu si diskursi mediatik dhe publik) të koncentrohej në substancën e çështjes, e jo në emra të përveçëm. Qeveria jonë ka bërë disa hapa të gabuar, hapa thelbësor të cilët kanë nxitur urrejtje dhe mosbesim tek qytetarët. Kanë armiqësuar veteranët e luftës duke përbuzur kontributin e tyre, rrjedhimisht kanë ulur gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së dhe policëve që të jenë në nivel të detyrës, nuk kanë përfshirë në buxhet sigurimet shëndetësore për ta, kanë krijuar armiqësi me mësimdhënësit, me mjekët, e me shumë sektor të rëndësishëm të shoqërisë sonë. Te gjitha këto janë gabime që të qojnë në një përfundim, me apo pa qëllim, ulin pritshmëritë e qytetarëve duke lënë hapësirë që gabimet e tjera të kalojnë pa kritika, ose me më pak kritika. Pra, duke përcjellë rrjedhën e ngjarjeve të zhvilluara, nuk është befasi për mua nëse kryeministri do t’i ndryshonte veprimet e tij, edhe pse deklarativisht nuk ka ndryshuar qëndrim.
Nacionale: Formimin e Asociacionit ai e kushtëzoj me disa kushte. Si i keni parë këto kushte?
Humolli: Është krijuar një opinion nga bashkësia ndërkombëtare së është normale që Serbia të bëjë kërkesa dhe të vendos kushte, ndërsa Kosova të dëgjoj dhe të lëshoj pe. Që kështu, nuk na kanë trajtuar si të barabartë dhe kjo qasje e njëanshme e tyre duhet të përfundoj. Andaj, unë mendoj që kushtet, kërkesat dhe nevojat e Kosovës janë shumë më shumë se vetëm këto gjashtë pika, të cilat unë i shoh më shumë si parime mbi bazën e të cilave synohet të ndërtohet një marrëveshje, dhe si të tilla, këto parime përfaqësojnë drejtë interesin e Kosovës pasi qe: (1) nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën, (2) bëhet fjalë për pushtet horizontal dhe jo monoetnik, (3) merret parasysh parimi i reciprocitetit, (4) shuhen strukturat paralele, (5) marrëveshja hyn në fuqi vetëm pas njohjes reciproke, (6) ndalet fushata e mos-njohjes.
Nacionale: Siç dihet z. Kurti ishte kundërshtar i çfarëdo Asociacioni. Çka mendoni se ka ndikuar në ndryshimin e këtij qëndrimi?
Humolli: Ne kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) i cili funksionin për bukuri në vendin tonë, madje shpesh-herë ka ndikim goxha pozitiv për qeverisjen lokale, andaj nuk mendoj që secili asociacion kundërshtohet. Mirëpo, secili asociacion që është kundër interesave të përgjithshme të Kosovës dhe që shkel kushtetutën tonë do të kundërshtohet.
Nacionale: A duhet ta mbështes opozita këtë qëndrim të Kurtit?
Humolli: Unë në fjalimin tim të parë në Kuvend kam bërë thirrje që të krijohet një Institut Kombëtar që merret me studimin e asaj që kemi bërë deri tani, ku jemi, dhe ku duhet të shkojmë. Ne na duhet një qëndrim unik dhe i palëkundur për raportet tona me miqtë apo me armiqtë tanë, andaj një institut i tillë do të ishte forcë e madhe për ne në këtë drejtim. Mungesa e tij është një e metë e cila fillimisht i adresohet pozitës, pastaj edhe partive opozitare.
Sidoqoftë, në situatën që jemi, ne duhet të bëjmë përpjekje të jemi sa më unik në qëndrimin tonë dhe cilido deklarim apo veprim që nxitë ndasi dhe përçarje si nga pozita dhe nga opozita, ashtu edhe nga mediat dhe shoqëria civile, duhet te minimizohet.
Se si po sillemi ne është shqetësuese, sidomos ku kemi nga ana tjetër një Serbi të organizuar e cila inskenon përplasje parlamentare duke dashur të marrin sa më shumë nga ajo që nuk u takon.
Pra, Serbia është e vetëdijshme për faktin se Kosova nuk është pjesë e saj, mirëpo opozita atje (në koordinim me pozitën) refuzon çdo marrëveshje që e legjitimon atë fakt tashmë të qartë për secilin nga ta. Ndërsa në Kosove bëhet presion nga opozita të lëshohet pe dhe ti zhbëjmë faktet, edhe kur secili jemi të vetëdijshëm se ne jemi çliruar nga Serbia e nuk jemi ndarë paqësisht me ta.
Nacionale: Cili duhet të jetë qëndrimi i Kosovës në këtë fazë të dialogut?
Humolli: Ne duhet ta kemi të qartë se me kë po dialogojmë dhe kush po na ndërmjetëson para se gjithash. Jemi përballë një dialogu të ndërmjetësuar nga BE, nga ata që nuk na njohin si shtet dhe rrjedhimisht mbajnë anën e Serbisë, dhe fatkeqësisht, tani edhe paanshmëria e deri tanishme e palës amerikane është duke rrëshqitur më afër krahut të Serbisë me deklarimet përkëdhelëse për ta nga ana e përfaqësuesve të ShBA-së.
Që Kosova të jetë në pozicion sa më të favorshëm në politikën e jashtme, duhet fillimisht të fuqizohet dhe të ketë mbështetje të brendshme. Për këtë, unë në vazhdimësi kam bërë vërejtjet e mia në raport me sjelljen dhe mënyrën e qeverisjes së brendshme, pasi që është tentuar dhe po tentohet në vazhdimësi të krijohet një armiqësi ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve që e kanë votuar atë. Njëjtë, kjo tendencë për armiqësi e ka përcjellë edhe diplomacinë e cila është dashur të fokusohet në fuqizimin e pozicionit të Kosovës, sidomos pas konfliktit Ukrainë-Rusi.
Prandaj, qëndrimi i Kosovës në këtë fazë të dialogut duhet fillimisht të ndryshoj në raport me mbështetjen e brendshme, ta rifitoj atë dhe të sillet me respekt ndaj vlerave. Vetëm në këtë mënyrë, dukë iu kthyer qeveria bazës së vet në popull dhe kur të eliminohet kjo shkëputje e krijuar, pozicioni i Kosovës në dialog do të fuqizohet.
Nacionale: A duhet ta pranojë Kosova planin franko-gjerman?
Humolli: Neve ende nuk na është prezantuar ndonjë plan franko-gjerman apo plan i BE-së për të cilin po flitet, andaj nuk mund ta di se çfarë përmban ai. Sidoqoftë, me sa na është thënë sipas adresimit të kryeministrit, kjo nuk është një marrëveshje e cila duhet nënshkruar apo refuzuar, por është një plan bazik mbi të cilin supozohet te ndërtohet marrëveshja. Unë personalisht jam skeptik kur bëhet fjalë për propozime që vijnë nga Franca duke pasur në mendje qëndrimet e Francës historikisht në raport me shqiptarët.