Mjekët raportojnë për shtatë të vrarë nga zjarri izraelit në Gaza, përfshirë dy fëmijë
Sulmet ajrore dhe zjarri i armëve të forcave izraelite lanë të vrarë të paktën shtatë palestinezë të mërkurën në Rripin e Gazës, përfshirë dy fëmijë 6 dhe 10 vjeç, thanë zyrtarët shëndetësorë atje.
Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit la të vrarë një person afër një shkolle në qytetin Gaza. Dymbëdhjetë njerëz u plagosën në dy incidente. Ushtria izraelite tha se goditi militantë në qytetin Gaza, por nuk ishte e vetëdijshme për viktimat, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një sulm tjetër ajror izraelit goditi një tendë për persona të zhvendosur në zonën Mawasi në Khan Younis, në jug të enklavës, duke vrarë të paktën katër njerëz, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar.
Më vonë të mërkurën, zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se një djalë 6-vjeçar u vra nga zjarri i armëve izraelite në lagjen Zeitoun të qytetin Gaza. Një sulm tjetër goditi një automjet në perëndim të qytetit, duke vrarë një person, thanë mjekët, duke e çuar në të paktën shtatë numrin e të vrarëve të mërkurën.
Ushtria izraelite nuk e komentoi menjëherë ndonjërin nga këto incidente.
Izraeli në mënyrë të përsëritur ka kryer sulme në Gaza që nga arritja e armëpushimit me Hamasin në tetorin e vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e ShBA-së, duke thënë se po i shënjestron militantët që i rrezikojnë forcat e tij ose që kanë marrë pjesë në sulmin e tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit.
Hamasi e ka akuzuar Izraelin për shkeljen e armëpushimit. Nikolay Mladenov, emisar i Bordit të Paqes për Gazën, ka thënë se të dyja palët e kanë shkelur marrëveshjen./Nacionale