Kurti: Dëshirojmë marrëveshje për një president konsensual, LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për presidentin.
Ai ka bërë me dije se është i gatshme për bisedime rreth një presidenti konsensual.
Pas ceremonisë së diplomimit të 100 kadetëve të rinj në Shërbimin Korrektues, Kurti ka thënë se me qëllimi i tij që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Ju e keni parasysh qëndrimi i LVV-së, si fituese e zgjedhjeve, është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare e qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, presidenti i ri duhet të jetë koncensual dhe gjithëpërfshirës.
“Qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti/ja i ardhshëm të jetë koncensual, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita e kontribut, vlera kombëtare, qytetare por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e në shoqëri. Përveç kësaj, dëshirojmë që për këtë të merremi vesh paraprakisht, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, formimi i Qeverisë, nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese”, është shprehur Kurti.
Ai ka komentuar edhe bisedime me LDK-në.
Sipas tij, partia e Lumir Abdixhikut është dashur të pranojë koalicionin me LVV-në.
“Ne ja kemi ofruar LDK-së kryeparlamentarin. Gjithashtu kam deklaruar edhe në takime edhe jashtë tyre jemi për president koncensual. Pra në tri pozita të larta shtetërore, Vetëvendosje ka zbritur në vetëm një. Presidenti koncensual, kryeparlamentarin LDK-ja. Pozita e kryeparlamentarit është refuzuar nga LDK-ja, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur ta marrin atë pozitë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike, nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformim të rezultatit nuk mund të jetë. Me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është e pak. Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është përsëritur tani. Nëse LVV-ja do ta kishte kandidatin për president, atëherë LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është koncensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. Unë besoj që edhe oferta për kryeparlamentar, edhe për bashkëqeverisje, nuk është pak. Unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera, gjithëpërfshirës të jetë presidenti“, ka deklaruar ai.