Dështon ‘kapja’ e Agjencisë Kadastrale: Këshilli e rrëzon konkursin, synohej vendosja e njeriut të Kurtit - NACIONALE

Dështon ‘kapja’ e Agjencisë Kadastrale: Këshilli e rrëzon konkursin, synohej vendosja e njeriut të Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zgjedhja e ish-këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, Nora Kelmendit, në pozitën e drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka dështuar.

Kjo pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës më 23 janar të këtij viti e ka anuluar konkursin për këtë pozitë.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale, anulimi i konkursit ka ndodhur pas ankesës që ka bër Faik Kelmendi, i cili ka qenë në garë për këtë pozitë të rëndësishme.

Gjatë shqyrtimit të ankesës së z. Kelmendi, KPMShCK-ja ka gjetur parregullsi në konkursin, i cili ishte shpallur më 22 korrik të vitit të kaluar.

Pika katër e vendimit obligon Ministrin e Punëve të Brendshme që të bëj zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e pranimit.

Ndërsa, Këshilli duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes se veprimeve në pajtim më këtë vendim.

Para disa muajve, gazeta Nacionale kishte raportuar për parregullsi në konkursin për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila futet në dikasterin e ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësionor që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu.

Ndonëse në konkurs kishin aplikuar edhe kandidatë të tjerë, ata që kanë shkuar në rrethin e ngushtë ishin vetëm gashtë sosh.

Në listën e ngushtë ishte edhe Nora Kelmendi. Burimet e gazetës kishin bërë me dije se Kelmendi ka së shumti gjasa për të marrë këtë pozitë të lartë drejtuese.

Ministria e Brendshme, me 7 shtator, kishte njoftuar për Listën e ngushtë për kandidatët që vazhdojnë procedurën e mëtejme të rekrutimit për pozitën, Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kdastrale të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nora Kelmendi ka qenë ish-këshilltare e Kryeministrit Kurti gjatë Qeverisë Kurti I. Më 5 mars të vitit 2020 Kurti kishte emëruar Nora Kelmendin Këshilltare Politike për koordinimin e të drejtave pronësore.

Gjithashtu, ajo është edhe anëtare e Vetëvendosjes dhe madje edhe asambleiste e kësaj partie në komunën e Prishtinës.

Këshilli ka rrëzuar edhe konkurse tjera

Anulimi i konkursit për Drejtor Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nuk është vendimi i parë që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka marrë këtë vit.

Para dy jave, ky këshill ka rrëzuar edhe vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra.

Bazuar në ankesën që Kodra kishte bërë, Këshilli kishte vendosur që të anulohet edhe vendimin i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svçla, për suspendimin e Kodrës nga kjo pozitë.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme obligohet që ankuesit Fadil Kodra t'ia kompensoj të gjitha pagat e pa realizuara nga dita e shkarkimit me datë 14.10.2022.

“Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme, që ankuesit Fadil Kodra t'ia kompensoj të gjitha pagat e pa realizuara nga dita e shkarkimit me datë 14.10.2022 deri në ditën e zbatimit të këtij vendimi, ndërsa Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë obligohet që në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi të emëroj ankuesin në një pozitë të mesme drejtuese apo profesionale në kuadër të Shërbimit Civil, të gjitha këto brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi” është thënë në piken 3 të vendit të këshillit.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil edhe gjatë vitit të kaluar ka qenë i zënë për shqyrtimin e shumë vendimeve dhe konkurseve të qeverisë.

Gjatë viti 2022, ky këshill kishte rrezuar edhe konkursin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që e kishte hapur për pranimin e dhjetëra diplomatëve. Gjithashtu, këshilli e ka konsideruar si të kundërligjshëm edhe emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës. Ndonëse e ka obligim ligjor, Qeveria këtë vendim të këshillit ende nuk e ka zbatuar.

Lajme të ngjashme