Këshilli Mbikëqyrës ia rrëzon Qeverisë Kryeinspektorin e Punës dhe konkursin për Drejtor të ATK-së - NACIONALE

Këshilli Mbikëqyrës ia rrëzon Qeverisë Kryeinspektorin e Punës dhe konkursin për Drejtor të ATK-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria Kurti ka marrë një goditje të rendë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ky i fundit ia ka shpallur të kundërligjshëm Qeverisë vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës edhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar së emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Nacionale muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshme që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në raportin që ka siguruar gazeta Nacionale, KPMShCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes se Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji.

Rekomandimi i këshillit obligon Qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.

Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publik.

Në këtë konkursin, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.

Në fund të muajit të kaluar, më 25 maj, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë.

Gazeta kishte raportuar zgjedhja e Hekuran Nikçit në këtë pozitë ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kabineti qeveritar emërimin e këtij zyrtari të lartë e kishte bërë sipas Ligjit të Inspektoriatit, i cili parasheh se Kryeinspektori emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në këtë mënyrë, Qeveria kishte anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili prej korrikut të vitit 2020, kur ka hyrë në fuqi, përcakton se nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese duhet të zgjidhen sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, të cilat kërkojnë se për këtë pozitë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë konkurs.

Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të kësaj pozite, si duket Qeveria kishte mbyllur sytë dhe kishte zgjedhur rrugën më të shpejtë të zgjedhjes së Kryeinspektorit.

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura në nenin 22 përcakton se drejtorët ekzekutivë të agjencive janë nëpunës civilë të kategorisë së lartë drejtuese, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Standardi i dyfishtë i Qeverisë

Krejt ndryshe Qeveria kishte vepruar me zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues.

Në këtë rast, Qeveria ka zbatuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë, dhe Ministria e Punëve të Brendshme, më 16 maj, ka shpallur konkurs publik.

Edhe qeveritë e mëhershme kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, por KPMShCK-ja i kishte detyruar të tërhiqen.

As ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk e kishte respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, kur kishte liruar nga puna Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn.

Ky i fundit ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri e ka shkarkuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe e kishte fituar rastin.

Lajme të ngjashme