Tri ankesa për punësimet e fundit në Gjykata, Këshilli Civil pezullon trajtimin e tyre - NACIONALE

Tri ankesa për punësimet e fundit në Gjykata, Këshilli Civil pezullon trajtimin e tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka pranuar tri ankesa në lidhje me konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë nëpër gjykata. Megjithatë, ata po del se nuk janë kompetentë për ta bërë trajtimin e këtyre ankesave, ku si rezultat trajtimi i tyre është pezulluar.

Kjo pasi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vitin 2021, kishte nxjerrë një rregullore ku për bashkëpunëtorët profesionalë, theksohej se ankesat duhet të bëhen në gjykatat kompetente.

Gazeta Nacionale ditë më parë raportoi se në pozicionet e bashkëpuntorëve profesionalë, janë emëruar familjarë të gjyqtarëve e ish-gjyqtarëve, e zyrtarëve tjerë të lartë.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka pranuar tri (3) ankesa përmes të cilave palët e kanë kontestuar konkursin për pozitën: “Bashkëpunëtor Profesional” të shpallur nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me pretendimet se ka pasur shkelje procedurale gjatë fazave të procedurës rekrutuese, sikurse edhe paqartësi juridike lidhur me statusin e pozitave respektive”, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK-së për Nacionalen.

Këshilli e ka përmendur rregulloren, ku sipas të cilëve, ata nuk janë kompetent për t’i trajtuar këto ankesa

“Këshilli ka nxjerrë vendime për ankesat në fjalë dhe në rastin konkret ka Pezulluar Procedimin Administrativ të iniciuar sipas ankesave të palëve, për shkak se Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vitin 2021 ka nxjerrë Rregulloren Nr.04/2021 për Procedurat e Rekrutimit, Përzgjedhjes të Bashkëpunëtoreve Profesionalë ku ndër tjerash si instancë ankimore i referohet Gjykatave Kompetente”, thuhet më tej në përgjigjen e Këshillit të Pavarur Civil.

“Andaj, në kuptim të asaj që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nuk ka juridiksion që të shqyrtojë ligjshmërinë e akteve të brendshme normative në rastin konkret të Këshillit Gjyqësor me qëllim të ruajtjes së pavarësisë funksionale dhe organizative të garantuar me Kushtetutë, në pajtim me dispozitat e aplikuara ligjore ka vendosur që procedimi administrativ në Këshill të pezullohet siç e theksuam edhe më lart”, përfundon përgjigjja e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Familjarët e gjyqtarëve rehatohen si bashkëpunëtorë profesionalë

Për 70 vende në pozitën bashkëpunëtorë profesionalë kishte shpallur konkurs Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Nëpër të gjitha gjykatat në nivel vendi, procedurat përfunduan me shumë ankesa. Kjo pas dilemave se një pjesë e të përzgjedhurve që të punësohen, rezultuan të jenë familjarë me gjyqtarë, ish-gjyqtarë e zyrtarë të tjerë të lartë nëpër gjykata.

Një grup juristësh të diplomuar anonimë, ngritën alarmin se nëpër Gjykatat e Kosovës u rehatuan në pozitat e bashkëpunëtorëve profesionalë, kryesisht familjarë të gjyqtarëve e ish-gjyqtarëve, por edhe të afërm të zyrtarëve tjerë të lartë. Nga 70 bashkëpunëtorë profesionalë që kërkoheshin nëpër të gjitha Gjykatat e Kosovës, u pranuan 58, kurse 12 vende të tjera mbetën bosh.

Në një faqe në rrjete sociale, “Studentët e së drejtës”, u publikuan edhe lidhjet që rezultojnë të kenë disa prej të punësuarve në këto pozicione, me gjyqtarë e ish-gjyqtarë.

Leart Rexhaj është përzgjedhur të jetë bashkëpunëtor professional në Gjykatën e Apelit. Ai ishte më i vlerësuari me pikë nga komisioni përkatës i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Learti është i biri i gjyqtarit në Gjykatën e Pejës, Ahmet Rexhaj, i cili që nga viti 2013 është gjyqtar për lëndët e kundërvajtjes në Gjykatën e Pejës. Lidhja e tyre familjare konfirmohet edhe nëpërmjet fotografive që të njëjtit kanë publikuar nëpër rrjete sociale, e të cilat i ka siguruar Nacionale.

Si bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën e Prizrenit është punësuar Leodita Skoro. Nga konkursi ajo ka marrë 78 pikë gjithsej. Kjo e fundit është bashkëshortja e Atnor Skoros, prokuror në Prokurorinë e Prizrenit. Leodita është gjithashtu reja e ish-gjyqtarit Fillim Skoro. Ky i fundit kishte qenë gjyqtar për krime të rënda në Gjykatën e Apelit për kohë të gjatë. Gazeta Nacionale ka siguruar edhe fotografi të publikuara në rrjete sociale, me të cilat dëshmohet lidhja familjare e këtyre tre zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë.

Në këtë konkurs për bashkëpunëtore profesionale më e vlerësuara ka dalë Bionda Rexhepi. Ajo ka marrë 92 pikë në total. Rexhepi po del se është mbesa e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipon Fazliu.

Faqja Studentët e së Drejtës ka publikuar edhe emra të tjerë, për të cilët thonë se kanë lidhje me zyrtarë të lartë nëpër institucione të drejtësisë. Sipas emrave të publikuar nga kjo faqe, Visar Gashi i pranuar si bashkëpunëtor në Apel, është djali i vëllaut të gjyqtarit Eroll Gashi. Në mesin e të punësuarve në këtë konkrus ka qenë edhe Afërdita Prenaj në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Sipas raportimeve, ajo është e bija e gjyqtarit Lekë Prenaj. Kurse, Leotrim Hoti i pranuar në punë si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Prishtinës dega në Drenas, është familjari i vëllait të gjyqtarit Hajriz Hoti. Ata kanë përmendur edhe lidhje të tjera familjare të të punësuarve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mohon se ka pasur ndikime

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje për Nacionalen, ka thënë se në këtë konkurs, nuk ka pasur asnjë ndikim.

“Testi ka qenë i koduar. Prandaj gjatë vlerësimit të testeve, asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk ka pasur njohuri se testin e cilit kandidat/e është duke e vlerësuar”, thuhet në përgjigje.

E në lidhje me pikët e kandidatëve dhe pozitat që kanë mbetur pa plotësuar, KGJK-ja e ka përcjellë një deklaratë të kryesuesit Albert Zogaj.

“Lidhur me rezultatin, ka komentuar edhe Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, i cili ka dhënë koment publik në media: “Te konkursi për bashkëpunëtorë profesional, kandidatët kanë mundur të aplikojnë për katër pozita, respektivisht në katër nivele/gjykata. Ka kandidatë të cilët kanë aplikuar në të gjitha nivelet, ndërsa ka edhe kandidatë që kanë aplikuar vetëm në një ose dy gjykata. Kur është nxjerrë lista përfundimtare, ka ndodhur që në një degë të një gjykate është rekomanduar një kandidat, mirëpo ka kandidat i cili ka më shumë pikë, por nuk është rekomanduar. P.sh.: në një gjykatë janë zgjedhur tre kandidatë, e në qoftë se të gjithë kandidatët kishin qenë në atë gjykatë, ka mundur që të ketë kandidatë me pikë maksimale, por që i njëjti mbetet jashtë listës. Ne nuk kemi mundur të rekomandojmë kandidatë në një degë, në të cilën nuk ka aplikuar”, thuhet në përgjigje.

“Ju njoftojmë se në asnjë mënyrë nuk qëndrojnë informacionet publike lidhur me procesin e përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve profesional, për faktin se nga i gjithë procesi ka qenë i mirë organizuar në mënyrë profesionale dhe me transparencë të plotë. Po ashtu, i gjithë procesi është monitoruar edhe nga shumë Organizata Joqeveritare si dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë”, thuhet më tej.

Lajme të ngjashme