Familjarët e gjyqtarëve e prokurorëve u rehatuan nëpër gjykata – a pati ndikime? - NACIONALE

Familjarët e gjyqtarëve e prokurorëve u rehatuan nëpër gjykata – a pati ndikime?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për 70 vende në pozitën bashkëpunëtorë profesionalë kishte shpallur konkurs Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Nëpër të gjitha gjykatat në nivel vendi, procedurat përfunduan me shumë ankesa. Kjo pas dilemave se një pjesë e të përzgjedhurve që të punësohen, rezultuan të jenë familjarë me gjyqtarë, ish-gjyqtarë e zyrtarë të tjerë të lartë nëpër gjykata. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Një grup juristësh të diplomuar anonimë, ngritën alarmin se nëpër Gjykatat e Kosovës u rehatuan në pozitat e bashkëpunëtorëve profesionalë, kryesisht familjarë të gjyqtarëve e ish-gjyqtarëve, por edhe të afërm të zyrtarëve tjerë të lartë. Nga 70 bashkëpunëtorë profesionalë që kërkoheshin nëpër të gjitha Gjykatat e Kosovës, u pranuan 58, kurse 12 vende të tjera mbeten bosh.

Në një faqe në rrjete sociale “Studentët e së drejtës”, u publikuan edhe lidhjet që rezultojnë të kenë disa prej të punësuarve në këto pozicione, me gjyqtarë e ish-gjyqtarë.

Leart Rexhaj është përzgjedhur të jetë bashkëpunëtor professional në Gjykatën e Apelit. Ai ishte më i vlerësuari me pikë nga komisioni përkatës i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Learti është i biri i gjyqtarit në Gjykatën e Pejës, Ahmet Rexhaj, i cili që nga viti 2013 është gjyqtar për lëndët e kundërvajtjes në Gjykatën e Pejës. Lidhja e tyre familjare konfirmohet edhe nëpërmjet fotografive që të njëjtit kanë publikuar nëpër rrjete sociale, e të cilat i ka siguruar Nacionale.

Si bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën e Prizrenit është punësuar Leodita Skoro. Nga konkursi ajo ka marrë 78 pikë gjithsej. Kjo e fundit është bashkëshortja e Atnor Skoros, prokuror në Prokurorinë e Prizrenit. Leodita është gjithashtu reja e ish-gjyqtarit Fillim Skoro. Ky i fundit kishte qenë gjyqtar për krime të rënda në Gjykatën e Apelit për kohë të gjatë. Gazeta Nacionale ka siguruar edhe fotografi të publikuara në rrjete sociale, me të cilat dëshmohet lidhja familjare e këtyre tre zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë.

Në këtë konkurs për bashkëpunëtore profesionale më e vlerësuara ka dalë Bionda Rexhepi. Ajo ka marrë 92 pikë në total. Rexhepi po del se është mbesa e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipon Fazliu.

Faqja Studentët e së Drejtës ka publikuar edhe emra të tjerë, për të cilët thonë se kanë lidhje me zyrtarë të lartë nëpër institucione të drejtësisë. Sipas emrave të publikuar nga kjo faqe, Visar Gashi i pranuar si bashkëpunëtor në Apel, është djali i vëllaut të gjyqtarit Eroll Gashi. Në mesin e të punësuarve në këtë konkrus ka qenë edhe Afërdita Prenaj në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Sipas raportimeve, ajo është e bija e gjyqtarit Lekë Prenaj. Kurse, Leotrim Hoti i pranuar në punë si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Prishtinës dega në Drenas, është familjari i vëllait të gjyqtarit Hajriz Hoti. Ata kanë përmendur edhe lidhje të tjera familjare të të punësuarve.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me grupin e juristëve anonimë. Ata duke mos dashur t’u zbulohet identiteti, kanë thënë për Nacionalen se pjesa më e madhe e të punësuave në këtë konkurs kanë lidhje familjare.

“70% e atyre që janë pranuar kanë lidhje familjare me të punësuar në sistemin gjyqësor apo prokurorial. Informatat që i kemi publikuar janë verifikuar nga 3 burime të ndryshme, minimalisht secila. Dmth, secili kandidat, student apo edhe profesionist ligjor që na ka shënuar, informacioni është verifikuar 3 herë.”

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por pavarësisht pritjes dyditore deri në momentin e publikimit të shkrimit, nuk ka pasur përgjigje.

Problemet tjera në konkurs

Në konkursin që ishte shpallur, theksohej se secili kandidat që arrin së paku 67 pikë nga rezultati përfundimtar, llogaritet ta ketë mundësinë për tu punësuar si bashkëpunëtor profesional. Kjo varësisht nga rezultatet më të mira që kanë kandidatët. Por, në listën e kandidatëve që nuk kanë pasur sukses për punësim në këtë pozicion, ka kandidatë që kanë pasur deri në 80 pikë, e sërish nuk janë punësuar,

Kandidatë që kanë pasur mbi 67 pikë deri në 80 e nuk janë punësuar, janë 11 persona. Ata kanë dështuar të punësohen, pavarësisht se marrim shembull, në degën e Podujevës të Gjykatës së Prishtinës, konkursi kishte qenë për 3 persona, përderisa janë pranuar vetëm dy. Kurse në Gjykatën e Prizrenit, janë pranuar 8 persona, nga 9 për sa ka qenë konkursi. Kurse në Gjykatën e Mitrovicës, nuk janë plotësuar vendet e lira për 4 pozita nga radhët e komunitetit serb.

Gazeta Nacionale është interesuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës të kuptojë nëse është ofruar mundësia që kandidatët që i kanë plotësuar kushtet, kanë mundur të punësohen në gjykatat te të cilat nuk janë plotësuar vendet, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, nga listat e publikuara, nëpër disa degë të Gjykatave tjera, ka pasur kandidatë që janë pranuar edhe me 69, 70 e 71 pikë të grumbulluara.

Faqja Studentët e së Drejtës në vazhdimësi kishte kërkuar reagim edhe nga Ministria e Drejtësisë e institucione të tjera, por deri më tani ata thanë se nuk kanë pasur ndonjë përgjigje.

PËRDITËSIM: Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas publikimit të artikullit, ka thënë se në konkurs nuk ka pasur asnjë ndikim.

Lajme të ngjashme