“U fsheh gjatë luftimeve”: Shukri Buja nën hetime nga Specialja, s’pranon të përgjigjet për dëshminë e Ramiz Qeriqit - NACIONALE

“U fsheh gjatë luftimeve”: Shukri Buja nën hetime nga Specialja, s’pranon të përgjigjet për dëshminë e Ramiz Qeriqit

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Deklaratat e ish-anëtarit të UÇK-së, Ramiz Qeriqit, gjatë dëshmisë në Hagë, kanë shkaktuar shumë reagime.

Ai gjatë dëshmisë duke folur për Shukri Bujën, tha se “Shukri Buja gjatë luftimeve, ikte, fshihej”.

“Vetëm kur ka pasur luftime nuk ka qenë aty. Ne përditë nuk kemi pas luftime. Këto ditë të tjera ai ka qenë. Gjatë krejt qershorit ai ka qenë aty, kur ka pas luftime u ik u mshef dikund. Këtë mos ma shtrembëroni”, u përgjigj Qeriqi.

Për këto deklarata, Shukri Buja nuk ka pranuar të përgjigjet.

Për Nacionalen, Buja ka thënë se nuk komenton asgjë për Gjykatën Speciale pasi ai vazhdon të jetë nën hetime.

“Unë jam nën hetime hala prej Gjykatës Speciale, gjatë marrjes në pyetje atje nuk jam deklaruar fare, jam mbrojt në heshtje. Kush më ka thirr prej gazetarëve edhe përpara, edhe pa këtë deklaratë, nuk jam prononcu fare për Specialen, sepse në konsultim me avokatin jam mbrojt në heshtje. Nuk deklaroj asgjë çka thotë ky as ai, as për Specialen as procesin, sepse jam tu mbrojt në heshtje përderisa jam nën hetime”, tha Buja për Nacionalen.

“Edhe në dëshmi, edhe në rast se më thirrin, avokati po thotë që të mos shkosh në dëshmi pasi je nën hetime. Nuk mundem me u prononcu”, deklaroi Shukri Buja.

Lajme të ngjashme