Vrau gruan e tij: Supremja ia zbut dënimin Edmond Lajqit, nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burg
Gjykata Supreme e Kosovës ka ndryshuar vendimin për dënimin ndaj Edmond Lajqit, duke ia zëvendësuar burgimin e përjetshëm me 30 vjet burgim.
Lajqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Pejë më 27 dhjetor 2024, pasi u shpall fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Megjithatë, duke vendosur për ankesën e mbrojtjes, Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht ankesën dhe ka ndryshuar vendimet e dy instancave më të ulëta vetëm sa i përket lartësisë së dënimit.
Sipas komunikatës së Gjykatës Supreme, Edmond Lajqit i është shqiptuar dënimi me 30 vjet burgim, ku do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 16 prilli 2024.
Në arsyetimin e saj, Supremja ka bërë të ditur se nuk ka gjetur shkelje lidhur me fajësinë e të pandehurit apo cilësimin juridik të veprave penale.
“Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt gjendjen juridike lidhur me fajësinë e të pandehurit dhe cilësimin juridik të veprave penale, ndërsa nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal në këtë aspekt.” – thuhet në vendimin e Supremes.
Megjithatë, sipas Supremes, gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kanë zbatuar drejt ligjin kur kanë shqiptuar burgimin e përjetshëm.
“Një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa prej tyre përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe, për këtë arsye, nuk mund të justifikojnë shqiptimin e dënimit më të rëndë.”
Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që e dallojnë qartë rastin nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale.
“Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk është plotësuar ky standard ligjor.”
Sipas Supremes, dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të dënuarit, duke vlerësuar se me këtë masë mund të arrihet qëllimi i dënimit.
Në pjesët tjera, aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit kanë mbetur të pandryshuara.
Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024 i akuzuari Lajqi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij në prill të atij viti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.
Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.
Me ç’rast, thuhet derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës, i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës.
“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë të siguruar nga Betimi për Drejtësi.
Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173, par. 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën- pistoletën model “Zoraki 917-T” me karikator, në atë mënyrë që me të ka privuar nga jeta viktimën – bashkëshorten e tij Gj.U.
Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal