Sondazh: Kundërshtari i pavarësisë së Kosovës, i mbështetur nga VV-ja, pritet ta arrijë balotazhin në Francë
Udhëheqësi i së majtës ekstreme franceze, Jean-Luc Melenchon, i cili në të kaluarën është shprehur kundër shtetësisë së Kosovës, shihet si rivali me gjasat më të mëdha përballë kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në balotazhin presidencial të vitit të ardhshëm, sipas një sondazhi të publikuar të hënën, duke e vënë në pah elektoratin e polarizuar thellë, kur mandati i presidentit Emmanuel Macron po i afrohet fundit.
Blloku në të cilin bënte pjesë partia e Melenchon-it ishte përkrahur publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje në qershorin e vitit 2024.
Më 20 shkurt të vitit 2018, pak ditë pas 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Melenchon kishte dalë me një artikull të gjatë në uebfaqen e tij zyrtare kundër pavarësisë së vendit tonë, madje edhe kundër bombardimit të Jugosllavisë nga NATO-ja e kundër përkrahjes së ShBA-së për Kosovën. Sipas tij, pavarësimi i Kosovës “e ka rëndësinë e vet në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, nga i cili pasojat ne po i vuajmë sot”.
Melenchon, kandidat i partisë së të majtës ekstreme, Franca e Papërkulur (LFI), shihet si pjesëmarrës në balotazh në të paktën tre prej pesë skenarëve që ishin pjesë e sondazhit, ndërsa është i barabartë me një kandidat tjetër për vendin e dytë në skenarin e katërt. Megjithatë, Le Pen pritet ta mposhtë atë me lehtësi në balotazh, sipas sondazhit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur mandati i dytë dhe i fundit i Macronit po i afrohet fundit, presidenti me mbështetje të ulët popullore lë pas vetes një ekonomi të dobët, duke u lënë hapësirë partive me qëndrime më të ashpra, si LFI-ja dhe Tubimi Kombëtar i Le Penit.
“Rreziku i ballafaqimit të znj. Le Pen dhe z. Melenchon në rundin e dytë është real dhe serioz” – tha të hënën para gazetarëve kandidati i qendrës, Edouard Philippe.
Sipas rezultateve të sondazhit, Melenchon pritet të fitojë 16 ose 17 për qind të votave në rundin e parë, ndërsa Le Pen 35 deri në 38 për qind.
Në balotazh, megjithatë, Le Pen do të fitonte 64 për qind të votave përballë Melenchon-it.
Melenchon ka garuar tashmë tri herë për president më 2012, 2017 dhe 2022, por asnjëherë nuk ka arritur që ta sigurojë balotazhin.