Gjykata Speciale: Nominimi i gjyqtarit Mettraux për GjPN, nuk ka asnjë ndikim negativ në rastin e krerëve të UÇK-së - NACIONALE

Gjykata Speciale: Nominimi i gjyqtarit Mettraux për GjPN, nuk ka asnjë ndikim negativ në rastin e krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Gjykata Speciale me seli në Hagë, po del të jetë kthyer në një institucion ‘trampolinë’ për gjyqtarët

Në vitet e fundit, dy prej tyre prej rastit të krerëve të UÇK-së, synuan të kalojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Së fundmi është edhe gjyqtari zviceran, Genauel Mettraux, i cili është pjesë e panelit për rastin e krerëve të UÇK-së ku vendimi pritet së shpejti.

Megjithatë, nominimi i tij, nuk ka ndonjë efekt në diskutimet për vendimin. Kështu të paktën kanë thënë nga Gjykata Speciale.

“Gjyqtari Mettraux është nominuar nga qeveria zvicerane si kandidat për Gjyqtar në GJPN dhe zgjedhjet do të zhvillohen në fund të vitit. Shqyrtimet e Panelit Gjykues II po vazhdojnë pa ndërprerje dhe nominimi nuk ka efekt negativ në zhvillimin e shpejtë të shqyrtimeve të Gjyqtarëve”, thuhet në përgjigje.

Ky nominim vjen në vlugun e punës dhe afatit kur Gjykata Speciale po e shqyrton vendimin përfundimtar në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Mettraux është pjesë e panelit të gjyqtarëve në këtë rast, dhe bashkë me gjyqtarët e tjerë, prej mesit të shkurtit, janë tërhequr për të vendosur lidhur me rastin e krerëve të UÇK-së.

Megjithatë, përderisa afati 90-ditor po shkon drejt fundit, në krejt këtë kohë, gjyqtari zviceran njërin sy e ka pasur kah Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Nacionale ka parë listën e kandidatëve me emrat e gjyqtarëve që janë propozuar për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe shteti i Zvicrës e ka propozuar Guenael Mettraux për këtë pozitë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare është prej institucioneve më të rëndësishme në drejtësinë ndërkombëtare.

E përgjatë kohës që afati për vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së po kalonte, Mettraux po bënte edhe fushatë te shtetet për ta përkrahur kandidaturën e tij për postin e gjyqtarit në ICC.

Në një postim në Linkedin të institucioneve të Zvicrës, janë bërë publike disa fotografi nga takimet e gjyqtarit zviceran.

“Guénaël Mettraux, kandidati i Zvicrës për pozicionin e Gjyqtarit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për mandatin 2027–2036 dhe aktualisht Gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ishte në Nju Jork këtë javë për t'u takuar me shtetet për fushatën e tij”, thuhej në postim.

Gjyqtari Mettraux, kishte qenë edhe pjesë e panelit në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Guillou dhe kalimi i tij në ICC

Gjyqtari francez, Nicolas Guillou, përderisa po punonte në Gjykatën Speciale, ishte pranuar edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Për këtë, kishte raportuar gazeta Nacionale.

Ishte dhjetori i vitit 2023 kur Gjykata Speciale njoftoi se njëri nga gjyqtarët më të njohur të këtij institucioni po largohej nga Specialja. Kjo pasi ai ishte përzgjedhur për gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Megjithatë, pavarësisht se që nga 8 marsi 2024 Nicolas Guillou ishte betuar si gjyqtar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ai e vazhdoi aktivitetin e tij edhe në Dhomat e Specializuara të Hagës. Kjo vërtetohet edhe nga një njoftim i Speciales rreth një aktiviteti të mbajtur më 15 mars 2024 ku shihej edhe Guillou.

Në një parashtresë të mbrojtjes së Hashim Thaçit të cilën e kishte parë Nacionale, avokatët kërkonin që gjyqtari të përjashtohet nga rasti i krerëv të UÇK-së, ku e kishte udhëhequr rastin në procedurën paraprake.

“Është e domosdoshme që çdo sistem gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur të jetë i pagabueshëm për çdo çështje të këtij lloji. Pavarësia e gjyqtarëve të KSK-së duhet të jetë përtej qortimit. Rolet e njëkohshme të gjyqtarit Guillou si gjyqtar i GJNP-së dhe gjyqtar i KSC-së, i ka hapur derën këtyre lloj shqetësimeve mbi pavarësinë dhe integritetin e procedurës aktuale. Mbi këtë bazë, Mbrojtja kërkon përjashtimin e gjyqtarit Guillou”, thuhej në këtë parashtresë, raporton Nacionale.

Pas disa muajsh pune në të dy institucionet, Guillou u largua në drejtim të Gjykatës Penale ndërkombëtare. Madje, u bë i famshëm pasi ai lëshoi urdhër-arrestin për Benjamin Netanyahun. Si rezultat, Guillou u fut në listën e zezë të Amerikës.

Lajme të ngjashme