Dokumenti “Top sekret 2” në dosjen e Shehollit: Plani i BIA-s për kthimin e Kosovës në “Kandahar”
Një aktakuzë voluminoze prej 80 faqesh e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur prova dhe pretendime që, sipas Prokurorisë, dokumentojnë veprimtari destabilizuese të Shërbimit Informativ të Serbisë brenda territorit të shtetit të Kosovës. Dosja penale e përpiluar nga Prokurori i Shtetit e ngarkon të pandehurin Fatmir Sheholli me veprat penale të Spiunazhit në vazhdimësi dhe Shantazhit në vazhdimësi, duke paraqitur varg provash materiale, përgjimesh dhe komunikimesh elektronike të sekuestruara.
Përtej veprimeve konkrete të ndërhyrjes në proceset zgjedhore të vendit, aktakuza veçon në faqet 55–57 një provë me peshë të veçantë: një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, i zbuluar gjatë ekzaminimit të telefonit celular të sekuestruar nga i pandehuri. Këtë shkresë me karakter konfidencial, Prokuroria e trajton si dëshmi kyçe që fakton kontaktet dhe veprimtarinë e tij operative në raport me strukturat e BIA-s.
Sipas Prokurorisë, ky material përmban plan konkret të BIA-së në dëm të interesave të Kosovës, i cili përshkruan strategji për destabilizimin e vendit përmes instrumentalizimit të fesë dhe zgjerimit të ndikimit të radikalizimit islamik.
Skema e financimit dhe shtrirja infrastrukturore
Sipas përkthimit të përfshirë në aktakuzë, skema nis me marrëveshjen me “operativët” në Kosovë dhe me mbledhjen e fondeve nga të ashtuquajturat ambasada islamike në Beograd. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të drejtohej, sipas dokumentit, në ndërtimin e xhamive.
Ato duhej të ndërtoheshin në vende të dukshme, pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa numri i xhamive në fshatrat e mëdha duhej të dyfishohej ose trefishohej.
“Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen.”
Plani i paraqitur në dokument nuk kufizohej vetëm te ndërtimi i objekteve, por synonte shtrirjen e shkollave fetare në të gjithë vendin, përfshirë edhe mjediset ku interesimi ishte më i vogël, si dhe përfshirjen e fëmijëve dhe të rriturve nga zona që dokumenti i përshkruan si vende “ku feja është më e rëndësishme se kombi”. Shkresa përcakton tekstualisht:
“Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren.” – thuhet aty.
Infiltrimi në struktura
Sipas analizës së Prokurorisë Speciale, strategjia e inteligjencës serbe parashihte vënien nën kontroll të krerëve të bashkësive islame në të gjithë rajonin për të rekrutuar figura publike me peshë shoqërore.
Në dokument thuhet ndër tjera:
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne...”
Më tej, plani i zbuluar synonte dërgimin e emisarëve fetarë të kontrolluar nga misionet diplomatike serbe në Perëndim:
“Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike. Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën.”
Synimi final: Transformimi në "Kandahar" dhe zhbërja e shtetit
Pjesa përfundimtare e këtij plani e formulon synimin gjeopolitik të përshkruar në dokument: dëmtimin e perceptimit të Kosovës në Perëndim, nxitjen e radikalizimit dhe krijimin e kushteve për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Teksti i BIA-s e saktëson këtë synim:
“Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.”
Për më tepër, projekti parashihte hapin përfundimtar të spastrimit të heshtur demografik:
“Kur kjo të arrihet Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi.”