Arsenal me mund triumfon ndaj Tottenhamit
Arsenal ka shënuar fitore të vështirë në derbin londinez ndaj Tottenhamit, në kuadër të xhiros së 35-të në Premierligë.
“Topçinjtë” fituan me rezultat 2:3, duke arkëtuar pikë shumë të rëndësishme në kampionatin anglez.
Arsenal e nisi shumë më mirë, duke kaluar në epërsi përmes Pierre Hojbjerg që shënoi autogol në përpjekje për ta larguar goditjen e Bukayo Sakas (15’).
Tottenham e barazoi rezultatin me mbrojtësin Van de Ben mirëpo që goli iu anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Derisa Tottenham po sulmonte, Arsenal nisi një kundërzbritje me Kai Havertz që e gjeti Bukayo Sakan, i cili s’gaboi përballë portierit vendas për të dyfishuar epërsinë (27’).
Ndërsa, Kai Havertz u përkujdes për golin e tretë pas një harkimit të Rice (38’).
Megjithatë, Tottenham nisi këndelljen në pjesën e dytë duke qenë afër edhe ta barazonin rezultatin.
Portieri David Raya bëri një gabim amator duke ia falur topin Cristian Romeros, i cili nuk fali nga afërsia për ta kthyer Spurs në lojë (64’).
Ndërsa, ishte Heung-min Son që shënoi nga pika e bardhë për ta ngushtuar epërsinë (87’).
Tottenham kishte edhe një rast të mirë, mirëpo që dështuan nga afërsia andaj “Topçinjtë” i fituan pikët e plota.
Arsenal tani mban kreun me 80 pikë derisa Tottenham zë vendin e pestë me 60 sosh.