Escobari pyetet se çka i thotë Blinkenit: E informoj që Asociacioni nuk është zbatuar ende - NACIONALE

Escobari pyetet se çka i thotë Blinkenit: E informoj që Asociacioni nuk është zbatuar ende

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për mediumin serb në gjuhën angleze “The Pavlovic today”. Në intervistën për këtë medium, Escobar ka treguar edhe për informimet që ia bënë z. Anthony Blinken, sekretar i ShBA-së. Natyrisht, një nga temat për të cilat e informon Escobari Blinkenin, sipas deklarimit të Escobarit, është moszbatimi i marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por në këtë intervistë, z. Escobar ka folur edhe për planin franko-gjerman, të cilët sërish ka theksuar se ShBA-ja e përkrah, dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht, Escobar ka përmendur edhe ndikimet malinje të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

I pyetur nga gazetarja serbe, Ksenija Pavlovic McAteer, se çka e informon sekretarin Blinken në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, z. Escobar e përmendi planin franko-gjerman dhe Asociacionin.

“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman të cilin ne e mbështesim – unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë – ishte një hap i rëndësishëm në normalizimin”. Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm, shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij. Por ndërkohë, ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i shumicës serbe.” – tha Escobar.

Një gjë tjetër interesante në këtë intervistë ishte edhe deklarimi i Escobarit në lidhje me bisedën e sekretarit Blinken me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. I pyetur se çka nënkupton togfjalëshi "angazhim konstruktiv", të cilin Blinken e përdori pas bisedës me Vuçiqin, Escobar ofroi sqarimin e tij si zyrtar i Departamentit të ShBA-së.

"Ata janë të gatshëm të marrin në konsideratë çdo pikë të marrëveshjes. Ata janë të gatshëm të fillojnë menjëherë zbatimin dhe negocimin e anekseve, anekseve shoqëruese. Pra, kjo është vërtet konstruktive." - shpjegoi Escobar.

Blinken ka folur edhe për kryeministrin Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë. Ai ka treguar se pse mendon që mund të arrihet një marrëveshje mes dy palëve, e cila do të konkretizohej nëpërmjet nënshkrimit të planit franko-gjerman.

“Së pari, unë shpresoj që ata të dy shohin mundësitë në këtë. Të kemi një marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe të parashikueshme mes tyre, mes dy vendeve”, tha Escobar. “Së dyti, urgjenca që evropianët dhe amerikanët po u japin të dyja palëve për nevojën për ta realizuar këtë. Dhe le të jemi të qartë: Ne duam që kjo të jetë një fitore për të dyja palët. Ne duam që të dyja palët të jenë në gjendje të korrin përfitimet e para së gjithash, një marrëdhënie paqësore. Dhe së dyti, një derë e hapur për integrimin evropian.” – tha ai.

Kujtojmë që Kurti dje gjatë një seance në Kuvend shpalosi gjashtë kushtet e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme