Forcat ukrainase afër të rrethuarit Chasiv Yar thonë se kanë fort nevojë për municion - NACIONALE

Forcat ukrainase afër të rrethuarit Chasiv Yar thonë se kanë fort nevojë për municion

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase që po e mbrojnë bastionin strategjik lindor, Chasiv Yar, thonë se ende janë duke pritur dërgesa të reja municioni, pasi Shtetet e Bashkuara miratuan një pako të madhe të ndihmave ushtarake, në kohën e shpeshtimit të sulmeve nga Rusia.

Ushtria ruse është duke përparuar në perëndim të qytetit Avdivka, që e mori nën kontroll në shkurt, dhe trupat e saj kanë arritur në periferi të Chasiv Yar-it, objektiv tjetër i rëndësishëm që do t’u mundësonte që të kontrollonin terren më të lartë dhe të vënë në shënjestër qytete e qyteza më tej në perëndim, raporton agjencia “Reuters”.

Oleh Shyriaiev, komandant i Batalionit të 225-të të Ndarë Sulmues, që është duke luftuar afër qytetit Chasiv Yar, tha se më shumë predha artilerie do ta ndihmonin njësitin e tij që t’i mbajë pozicionet e veta.

“Shpresoj që të marrim së shpejti predha artilerie” – tha ai, duke folur në një pikë komande afër qytezës. Shyriaievi shtoi se municionet e ofruara nga aleatët kishin bërë një dallim domethënës në fushën e betejës në të kaluarën.

“Isha dëshmitar i ngjarjeve para një viti, kur Wagner-i po avanconte” – tha ai, duke iu referuar grupit mercenar rus që tashmë është shpërbërë. “Ne pranuam municion thërrmues që e ndryshoi gjendjen në masë domethënëse dhe ne arritëm që të kundërsulmonim me sukses” – shtoi oficeri ukrainas.

Sipas tij, më shumë trupa të trajnuara dhe armë me rreze të gjatë gjithashtu do ta ndihmonin Ukrainën për ta mbrojtur territorin e vet në mënyrë më efikase.

“Nëse marrim armë me rreze të gjatë, udhëheqësit tanë do t’ua ndërpresin [forcave ruse] logjistikën dhe furnizimet” – tha më tej komandanti i Batalionit të 225-të.

Ukraina tashmë ka marrë disa raketa me rreze të gjatë nga aleatët dhe ato janë përdorur kundër fushave ajrore, depove të armëve, pikave të komandës dhe përqendrimeve të trupave të Rusisë.

“Ata pësojnë humbje të mëdha, trupat tona vrasin shumë prej tyre, por duhet të theksoj se armiku ka shumë automjete ajrore pa pilotë që ndikojnë në masë të konsiderueshme ndaj situatës këtu” – tha Shyriaievi.

Ai shprehu besim se forcat ruse nuk do të hyjnë në Chasiv Yar deri më 9 maj, kur Rusia e feston Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Disa zyrtarë ukrainas kanë thënë se Moska synon që ta marrë qytezën deri në këtë datë.

Lajme të ngjashme